POLIKRIZA DHE SOCIOLOGJIA (II)

“S’mbahet kombi as vetëm me letërsi e histori, as vetëm me ekonomi, jurisprudencë e IT.”

-autoriale

“Ne besojmë se ndërhyrjet kritike të shkencëtarëve shoqërorë janë më thelbësore se kurrë.
Dhe riafirmojmë vlerat dhe angazhimet që janë në themel të punës sonë si studiues, edukatorë dhe intelektualë publikë.

Ne qëndrojmë për:

  • Një sociologji rigoroze, të bazuar në fakte dhe analiza, që refuzon narrativat e thjeshtuara dhe që përqafon kompleksitetin e botës;
  • Një sociologji të pavarur që na kujton se fjalët e të pushtetshmëve nuk janë gjithmonë të vërteta, dhe se një gënjeshtër e përsëritur një mijë herë mbetet gënjeshtër;
  • Një sociologji kritike që vë në pikëpyetje pabarazitë në rritje dhe sfidon mitin e njeriut të “vetë-krijuar” (self-made man), theksin e thjeshtuar mbi tregjet dhe konsumizmin, si dhe maskulinitetin alfa (lexo: dominant);
  • Një sociologji publike që angazhohet në debatet qytetare, jo nga një piedestal i një epërsie intelektuale të supozuar, por në dialog me ata që përpiqen të transformojnë shoqërinë dhe të mbrojnë të mirën e përbashkët;
  • Një sociologji të përgjithshme që iu reziston rreziqeve të hiperspecializimit dhe fragmentimit dhe që trajton çështjet urgjente të kohës sonë;
  • Një sociologji globale që mëson nga studiues dhe aktorë shoqërorë nga pjesë të ndryshme të botës se si të kuptojmë dhe të përballemi me sfidat e shekullit XXI, dhe që kontribuon në ndërtimin e një ndjenje të njerëzimit të përbashkët.

Ne besojmë fuqishëm se shkencat shoqërore dhe liria akademike janë të pandashme nga demokracia dhe duhet të mbrohen e të promovohen.

Ne besojmë se një debat publik i informuar, me bazë historike dhe me rëndësi sociologjike, është jetik për të kuptuar dhe për të naviguar krizat e kohës sonë.

Ne jemi të bindur se sociologjia jo vetëm që na ndihmon të kuptojmë botën, por edhe të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë, më të jetueshme, më paqësore dhe më të qëndrueshme.

Në një kohë ndryshimesh klimatike, lufte, pabarazish dhe urrejtjeje në rritje, sociologjia është bërë një mjet i domosdoshëm për të jetuar së bashku në një planet të fundëm.”

Kjo deklaratë është një platformë e mirë që afirmon sociologjinë dhe metodologjitë e saj për shoqërindërtim më të shëndoshë dhe siç shprehet B.H. Olsen, për të imagjinuar të ardhme të formësueshme  (shapeable futures). Sociologjia shqiptare që është pjesë e ISA-s mbështet fuqishëm këtë deklaratë dhe ngulmon në implementimin e kësaj disipline në të gjitha nivelet e arsimit, në edukimin sociologjik të brezave që do ta kenë mbi supe barrën e kohës. Pa sociologji ne do vazhdojmë me hakmarrjet, me avazet e vjetra, me qasjet tradicionale ndaj dukurive, me interpretimin subjektiv dhe jokritik të së kaluarës, me keqshkoqitjen e feve, të figurave tona historike, me shkeljen e pamëshirshme të publikes, me politikbërie klanesh, me ideologjizime përjashtuese e kështu me radhë. Për një shoqërindërtim funksional duhet njohur e ndërtuar individin përmes psikologjisë dhe duhet lexuar drejt mjedisin dhe pëlhurën sociale (social fabric) përmes sociologjisë. Është koha për të bërë seriozisht sociologji, sociologji humaniste që zhvillon njerëzishmërinë e plotë (Scimecca, 2025). Sociologjia na ndihmon në vetëpozicionimin tonë, që është bazë për pozicionimin e vetes kolektive nga të tjerët.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.