‘FABRIKA E IDIOTËVE DIGJITALË’ (II)

“Projektuesit menaxhojnë, shfrytëzuesit menaxhohen!” 

Njerëzit, në përgjithësi, priren të mendojnë se teknologjia informatike na sjell vetëm të mira: çlodhje, qetësi, mirëqenie, gëzim dhe efikasitet më të madh në sfera të ndryshme të jetës. Në praktikë, megjitahtë mjetet digjitale po bëhen gjithnjë e më shumë sinonim i stresit dhe i telasheve të shumta, tek të gjitha për të gjitha grupmoshat, veçanërisht për më të rinjtë, pra për fëmijët. “Ajo që po u bëjmë fëmijëve tanë është e pafalshme. Ndoshta asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk është zhvilluar në përmasa kaq të mëdha një eksperiment i tillë i mpirjes së aftësive mendore”, vlerëson Desmurget.

Alarmet që ngriti autori në fjalë para shtatë vjetësh lidhur me gjumin, vëmendjen, ankthin, zhvillimin gjuhësor dhe vetminë, sot janë objekt i studimeve të shumta nga organizata të ndryshme, ndër to edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). “Veglat e mençura” duket se, dita-ditës, po na bëjnë më pak të aftë për të menduar e për t’u përqendruar; thënë me fjalë arkaike, po na bëjnë ahmakë, me një gjuhën më moderne, po na idiotizojnë,.

Njeriu i transformuar nga teknologjia digjitale, apo mutanti digjital (digital mutant), dhe individi i rritur në një mjedis të karakterizuar nga prania e internetit, pajisjeve inteligjente dhe komunikimit të ndërmjetësuar nga teknologjia – vendasi digjital (digital native), term ky i  popullarizuar nga Marc Prensky (2001) – janë dy figura karakteristike të shekullit XXI. Të dyja na përballin me një paradoks të madh: vetë produkti njerëzor, i krijuar për ta lehtësuar jetën, mund të kthehet në faktor që kërcënon zhvillimin tonë dhe, në skajshmëri, të na çojë drejt vetëshkatërrimit.

Shumë shtete, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Holandën, kanë ndërmarrë masa ligjore ose kanë miratuar udhëzime për kufizimin apo ndalimin e telefonave inteligjentë në shkollat fillore dhe të mesme, me synimin për të mbrojtur përqendrimin dhe shëndetin mendor të nxënësve.

Sot, siç shprehet Gaël Allain, “duhet të mësohemi të kënaqemi me njëfarë pasigurie dhe të lëmë mënjanë kohë për punë, çlodhje dhe reflektim jashtë botës digjitale, në mënyrë që truri ynë të mos mbingarkohet nga informacione që nuk arrin t’i përpunojë”.

Ky libër, me një titull vërtet goditës dhe të rëndë, “përbën një nga sintezat e para të studimeve shkencore ndërkombëtare mbi efektet reale të ekranëve. Është vepër e një njeriu të zemëruar, i cili e shpreh hapur shqetësimin e tij për pasojat e përdorimit të tepruar të teknologjisë digjitale. Përfundimi është i prerë: kujdes nga ekranet – ‘janë helme që veprojnë ngadalë!’” (Desmurget, 2019).

Qëndrimi i autorit nuk duhet interpretuar si teknofobi, por si një qasje realiste ndaj botës digjitale, pa të cilën sot vështirë se mund të funksionojmë, pavarësisht pasojave që tanimë janë të dukshme. Duke huazuar një varg këngës së Dino Merlinit nga albumi i vitit 1986, për raportin tonë me digjitalizimin mund të themi: “Keq me ty, edhe më keq pa ty”. Qenie me mend jemi; kemi krijuar mjete gjithnjë e më të mençura, kemi inteligjencën tonë natyrore, por edhe një inteligjencë artificiale që na tejkalon në shumë aspekte. Jemi, pra, në një hall të madh, pikërisht në kohën kur “fabrika” vazhdon të punojë pa u ndalur me shpejtësi marramendëse!

Ekspertët thonë: prodhuesit e teknologjisë lexojnë, ata që e konsumojnë idiotizohen. Sipas nesh, pushtimit teknologjik s’mund t’i shpëtojnë as prodhuesit e ekranëve dhe të teknologjive më të avancuara informatike. Në zjarrin që e kanë ndezur, digjen edhe vetë.

Dhe në fund, një real story e para disa javësh. Nëna: “Shikoje këtë video, interesante!” Djali: “Aaa, e gjatë qenka, një minutë e tridhjetë sekonda!” Me një durim kaq të kufizuar, vallë, a do të arrijë ky brez të lexojë një libër me 350 faqe? A do t’i afrohet një enciklopedie dhjetëvëllimëshe? Apo do ta marrë vizualitetin e pak sekondave si referencë epistemologjike, si masë të njohjes dhe të të kuptuarit?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

LEXO PJESËN E PARË: 

‘FABRIKA E IDIOTËVE DIGJITALË’ (I)