Ballkani Perëndimor në garën e re teknologjike

Jemi dëshmitarë të ndryshimeve të shpejta. Këto lidhen me transformimet që shoqëria njerëzore ka përjetuar gjatë fazave të ndryshme.

Njëkohësisht, nuk mund t’u shmangemi sfidave të reja teknologjike.

Gjatë dy viteve të fundit, qytetarët e zakonshëm, universitetet, qeveritë dhe sektorë të tjerë janë përballur me sfidën se si t’u përgjigjen kërcënimeve që lindin nga ky transformim drejt një bote digjitale.

Në të ardhmen e afërt, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e përgjigjeve për pyetjet se si të sigurohet qasja në mallra, tregje, metale të rralla dhe materiale të tjera strategjike.

Nga ky këndvështrim, mund të fillojmë të mendojmë se si do të duket e ardhmja jonë gjatë dy ose tri dekadave të ardhshme, dhe, ç’është më e rëndësishmja, se si do të veprojnë shtetet brenda një mjedisi të tillë.

Për njerëzimin dhe qeveritë, kjo do të përbëjë një sfidë, pasi çështja nuk është më thjesht fizike, por ka të bëjë me një strukturë digjitale të krijuar për të mbetur e tillë për disa dekada.

Si pasojë, në dekadat që vijnë, do të shohim një botë ndryshe, të karakterizuar nga marrëdhënie të transformuara midis shteteve dhe organizatave që aktualisht luajnë një rol kyç në politikën ndërkombëtare.

Mund të argumentohet se kjo është një përsëritje e trajektoreve të së kaluarës dhe se ky model është thjesht një vazhdimësi në forma të ndryshme.

Megjithatë, situata nuk është statike, sepse në epokën e inteligjencës artificiale, qasjes në teknologji dhe politikës ndërkombëtare digjitale, shtetet do të bëjnë çmos për t’u mohuar shteteve të tjera qasjen në burime ose asete strategjike.

Ndonëse kjo mund të duket si skenar filmi fantastiko-shkencor, në realitet ne po lëvizim pikërisht në atë drejtim.

Evropa dhe Ballkani janë në faza të ndryshme zhvillimi. Edhe pse disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë marrë angazhime për t’u bërë pjesë e normativës së BE-së në inteligjencën artificiale, rrjeti digjital në rajon është ende i brishtë.

Nga Samiti i tetë Digjital i Ballkanit Perëndimor i organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në Herceg Novi të Malit të Zi më 13-14 tetor 2026 u vërejt se BE-ja është e interesuar që infrastruktura në Ballkanin Perëndimor të kalojë në formatin digjital.

Megjithatë, gjithçka tani varet nga vullneti i qeverive.

Pavarësisht kushteve aktuale dhe mungesës së hapave të mëtejshëm në sferën digjitale, koha dhe zhvillimet e tjera teknologjike do t’i shtyjnë shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në botën e së ardhmes, një botë që, siç kemi përmendur në artikuj të mëparshëm, do të jetë digjitale, me përfitimet dhe rreziqet e saj.

Në veçanti, gjeopolitika do të ndërthuret me teknologjinë në atë masë saqë shtetet që zotërojnë aftësi në fushën e inteligjencës artificiale, do të mund të kufizojnë aksesin në mallra dhe materiale të tjera thelbësore për shtetet jo aleate.

Në një skenar të tillë dhe për shkak të së kaluarës, rajoni mund të përballet me një ndarje në dy nivele.

Të bëhet pjesë e BE-së, duke marrë përgjegjësitë dhe e dyta të qëndrojë në periferi.

Mirëpo, situata aktuale ofron një parashikim më të qartë se si do të duken forcat strukturore dhe të tjera, si në nivel rajonal ashtu edhe në atë global, me ndikim te Ballkani Perëndimor si pjesë e makrosistemit gjeopolitik.

Duke qenë se Ballkani Perëndimor historikisht ka luajtur rol në ndërlidhje dhe, herë pas here, ka qenë pjesë e problemeve botërore, ekzistojnë mundësi të mëdha që, në dy dekadat e ardhshme, ai të ndikohet nga tri fuqitë e mëdha, duke i marrë në konsideratë dy ndarjet e mundshme të lartëpërmendura.

ShBA-ja do të ketë rol në teknologjinë e mbrojtjes, Rusia do të vazhdojë me ndikimin në fushën e dezinformimit dhe përzierjeve etno-fetare, ndërsa Kina ka gjasa të bëhet aktor në ekonomi, financa dhe infrastrukturë.

Kina sipas dinamikave ka potencial të drejtojë aspektet digjitale ekonomike të rajonit në shtetet që kanë gjasa të mbeten jashtë BE-së apo të një strukture tjetër gjeoekonomike e teknologjike.

Nga vështrimi paraprak, shihet se qasjet në teknologji të reja dhe në materialet strategjike do të bëhen pjesë e një loje më të gjerë konkurruese.

ShBA-ja që nga viti 2022 ka vendosur disa kufizime për çipat.

As autoritetet kineze nuk kanë vonuar në këtë drejtim.

Kina që nga viti 2023 ka vendosur kufizime në eksportin e galiumit.

Në këtë garë, e cila nuk ka ende fitues, Ballkani Perëndimor, duke qenë në fazën fillestare të digjitalizmit dhe të rregullimit të inteligjencës artificiale, është në varësi të lartë nga ShBA-ja, Kina, Rusia dhe BE-ja.

Akti evropian për inteligjencën artificiale (2024), Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, e shumë procese të tjera të nisura nga BE-ja dhe ShBA-ja janë një tregues se tregu evropian kërkon përshtatje dhe plotësim të kritereve për t’u bërë të fortë e të qëndrueshëm.

Rreziku i të qëndruarit të shteteve në periferi, bartë rreziqe si te autostrada Bar- Boljare në Mal të Zi, e cila është ndërtuar me kredi kineze.

Për sa u përket projekteve digjitale si shembull mund të nënvizohet sistemi i vëzhgimit në Serbi (Huawei) dhe shumë forma të tjera të ndikimit teknologjik kinez në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq me instalimet e fundit të sistemeve “Safe City” në disa shtete të rajonit, për arsye të ndjeshmërisë, shtetet në të ardhmen mund të ekspozohen ndaj ndërhyrjeve të jashtme.

Në fund, shtetet që do të kenë aftësinë të ndërtojnë një infrastrukturë të tillë inteligjente, në fakt do të jenë në gjendje të kontrollojnë ndjeshëm të ardhmen teknologjike.

Prandaj qeveritë rajonale duhet të vendosin tani nëse do të jenë pjesëmarrës, vëzhgues apo të dominuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.