ANALIZË: Inflacioni në RMV nuk mposhtet me populizëm, por me reforma strukturore dhe politikë të rreptë buxhetore

Parashikimi i inflacionit prej 2,7% për këtë vit po bëhet gjithnjë e më i parealizueshëm. Sipas të dhënave të fundit nga Enti Statistikor, në qershor të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, inflacioni u rrit për 4,8%, ndërsa çmimet me pakicë u rritën për madje 5,3%. Kryeministri Mickoski paralajmëroi masa “jopopullore” për të ulur presionin e çmimeve në planin afatgjatë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Këtë vit inflacion më i lartë se niveli i parashikuar prej 2,7%? 

Në bazë vjetore, në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kostot e jetesës për ushqim u rrit për madje 6,8%, për mobilje, mallra shtëpiake dhe mirëmbajtje të shtëpisë rritja ishte 5,1%, për transport për 4,6%…

Që nga fillimi i këtij viti, qershori nuk ka qenë muaji i vetëm kur është matur përqindje e inflacionit më e lartë se 3%. Sipas disa ekonomistëve, parashikimi i qeverisë për inflacionin prej 2,7% për këtë vit po bëhet gjithnjë e më jorealist.

“Inflacioni i parashikuar prej 2,7% për këtë vit është gjithnjë e më jorealist, pikërisht sepse shteti mbështetet në skenarë optimistë në vend të llogaritjeve strukturore realiste. Zgjidhja qëndron te disiplina dhe largpamësia: një strategji afatgjatë që do të zvogëlojë pasigurinë për bizneset dhe qytetarët, në vend të masave populiste afatshkurtra. Vetëm në këtë mënyrë inflacioni mund të stabilizohet në një nivel që do të mundësojë rritje të qëndrueshme ekonomike”, thotë profesori dhe ekonomisti Abil Baush për Portalb.mk.

Qytetarët po e ndiejnë gjithnjë e më shumë presionin e çmimeve – edhe pse sezoni i frutave dhe perimeve të verës po mbaron, çmimet në dyqane mbahen në nivel të lartë, kështu për shembull, shalqiri shitet për 28 denarë për kilogram, ndërsa pjeshkat deri në 190 denarë.

Qeveria paralajmëron masa “jopopullore” për të stabilizuar inflacionin…

Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se është gati të zbatojë masa “të dhimbshme” për të stabilizuar inflacionin në planin afatgjatë ka tërhequr vëmendjen e publikut. Mickoski vlerësoi se zgjidhja nuk është ngrirja dhe kufizimi i çmimeve dhe marzheve.

“Jemi të vetëdijshëm se mund të ketë një çmim politik, por është më mirë ta paguajmë atë çmim politik në afat të shkurtër sesa ta paguajnë qytetarët në afat të gjatë”, tha kryeministri.

Sipas ekonomistëve, inflacioni nuk mund të “frenohet” me masa administrative. Disa analistë në paralajmërimin e Kryeministrit për ndryshime “të dhimbshme” dalluan një korelacion me ndryshimin e politikave për rritjen e rrogave. Stabilizimi i presionit të çmimeve do të thotë gjithashtu ndryshim të politikave qeveritare dhe të shprehive për shpenzime – thonë ekonomistët.

“Stabilizimi i inflacionit nuk arrihet nëpërmjet masave administrative, por nëpërmjet një kombinimi të disiplinës makroekonomike dhe reformave strukturore. Së pari, nevojitet një politikë më e rreptë buxhetore, duke i kufizuar shpenzimet aktuale dhe duke i drejtuar paratë publike drejt investimeve kapitale që do ta rrisin produktivitetin. Së dyti, politika monetare duhet të mbetet e kujdesshme, me kontroll mbi ekspanzionin kreditor dhe me kurs të qëndrueshëm devizor. “Së treti, nevojiten masa për të mbështetur prodhimin vendas dhe stabilitetin energjetik, sepse varësia nga importi e bën inflacionin edhe më të cenueshëm”, thotë profesori Baush.

Rritja e inflacionit u konfirmua edhe nga BPM-ja.

“Rritja e çmimeve rrjedh nga inflacioni bazë dhe komponenti ushqimor, të cilët kontribuojnë kryesisht në përshpejtimin e rritjes së çmimeve” – njoftoi Banka Popullore.

Institucionet financiare ndërkombëtare theksuar se rritja e rrogave, por edhe pensioneve po ushtron presion mbi inflacionin. Mbetet për t’u parë se si do të përfundojë niveli i çmimeve në vitin 2024.

“Inflacioni nuk mposhtet me populizëm, por me disiplinë dhe reforma strukturore”, kështu e përfundon profesori Baush përgjigjen e tij ndaj pyetjes sonë, si të stabilizohet ose të frenohet inflacioni.