Kujdes nga mashtrimet për gjoba, qytetarëve në RMV u dërgohen mesazhe të rreme në emër të MPB-së (FOTO)

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut kanë denoncuar një mesazh të dyshimtë që pretendohet se vjen nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke ngritur alarmin për një tjetër rast mashtrimi online. Sipas denoncimit të një qytetareje në Portalb.mk, mesazhi i është dërguar përmes telefonit dhe paraqitet si njoftim zyrtar për shkelje në komunikacion. Në këtë mesazh thuhet se automjeti i pranuesit ka kryer një shkelje rrugore dhe kërkohet pagesa e një gjobe, me pretendimin për ulje prej 50% nëse pagesa bëhet brenda 8 ditëve. Gjithashtu, përfshihet një link i dyshimtë që paraqitet si portal zyrtar për pagesa dhe ankesa, si dhe një kërkesë për t’u përgjigjur me “1” për të parë prova të supozuara, raporton Portalb.mk.

“Inspektorati për Siguri Rrugore i Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut (MBR)

Njoftim zyrtar në lidhje me përpunimin e shkeljeve të automjeteve sipas Ligjit për Sigurinë në Rrugë në Maqedoninë e Veriut, automjeti juaj regjistrohet automatikisht si automjet që ka kryer shkelje brenda zonës së monitorimit. Kushtet e gjobës: Do të gjobiteni në shumën përkatëse në përputhje me ligjin.

Zvogëlim ligjor: Sipas ligjit të Maqedonisë së Veriut, nëse pagesa bëhet brenda 8 ditëve nga marrja e këtij njoftimi, do të duhet të paguhet vetëm 50% e gjobës totale.

Zbatimi: Mospagesa brenda afatit të përcaktuar do të shkaktojë procedura administrative të mbledhjes, dhe regjistrimi përkatës do të lidhet drejtpërdrejt me inspektimin vjetor të automjetit tuaj (Regjistrimin).

Portali zyrtar për ankesa dhe pagesa: https://mvr.govmk.cam/mk

Përgjigjuni “1” për të parë drejtpërdrejt fotot nga vendi i ngjarjes dhe dokumentet zyrtare për përpunim elektronik”, thuhet në mesazhin e rremë.

Lidhur me këto mesazhe reagoi MPB-ja, nga ku thonë se persona të panjohur nëpërmjet një numri telefoni të huaj +639606963624 u dërgojnë përdoruesve maqedonas mesazhe në lidhje me një shkelje të dyshuar të trafikut dhe kërkojnë pagesë me kartë pagese për të njëjtën në një faqe interneti të rreme.

“Ata e kryejnë mashtrimin në një mënyrë të tillë që, pasi personat klikojnë në lidhjen e lënë në mesazh, kjo çon në një faqe interneti të rreme të Ministrisë së Brendshme ku ju kërkojnë të futni numrin e targës nga automjeti juaj dhe më pas ju çojnë në një dritare të re ku është regjistruar një shkelje për ju dhe kërkojnë një pagesë prej 1500 denarësh për të. U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos u besojnë mesazheve që vijnë nga një faqe interneti jolegjitime e Ministrisë, as të lënë të dhënat e tyre personale dhe të dhënat e kartës së pagesës, të cilat më pas bëhen cak i abuzimit. Sektori i Krimit Kibernetik në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjithashtu u bën thirrje qytetarëve dhe personave juridikë që të mos hapin lidhje të dyshimta dhe dokumente të bashkangjitura në mesazhe që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar dhe të njohur, në mënyrë që të mos bien pre e mashtrimeve të këtij lloji”, thonë nga MPB.

Linku i përfshirë në mesazh nuk ka lidhje me institucionet zyrtare dhe nuk i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për sqarim, e vetmja ueb-faqe zyrtare e MPB-së në Maqedoninë e Veriut është https://mvr.gov.mk/, ndërsa çdo adresë tjetër e ngjashme duhet të konsiderohet e dyshimtë dhe potencialisht mashtruese.

 

Nga verifikimet tona, bëhet fjalë për një tentativë fishingu, ku mashtruesit përpiqen të mashtrojnë qytetarët duke u paraqitur si institucione shtetërore.

Ndryshe, në RMV qytetarët vazhdimisht pranojnë mesazhe të rreme me mashtrime për vjedhjen e të dhënave personale.

Autoritetet më parë kanë bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë në linqe të panjohura dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve të tilla.