Gjykata i shqiptoi Merkos gjobë prej 10 mijë eurosh për emërimin e paligjshëm të drejtorëve të shkollave në rajonin e Strugës
Gjykata Themelore e Strugës i vendosi gjobë prej 10,000 eurosh në denarë kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, me akuzën për kryerje të pakujdesshme në shërbim, konkretisht, për parregullsi të kryera në emërimin e drejtorëve në detyrë të shkollave fillore në fshatrat Labunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë, transmeton Portalb.mk.
Duke shpjeguar vendimin, gjykatësi Jordan Jovanov, i cili udhëhoqi procesin, tha se gjatë marrjes së vendimit dhe llogaritjes së shumës së gjobës, u morën parasysh disa rrethana lehtësuese – fakti që i pandehuri nuk ka të kaluar kriminale, pra nuk është dënuar më parë.
Jovanov tha se i pandehuri veproi në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Fillor, si dhe se ekzistojnë raporte dhe procesverbale nga mbikëqyrja e kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit që rendisin nenet ku është shkelur ligji. Të gjithë drejtorët në këtë rast, të cilët, siç tha gjykatësi, u emëruan drejtorë në detyrë në këtë pozicion, nuk u zgjodhën nga radhët e të punësuarve, u emëruan pa shpallje publike, nuk kishin pesë vjet përvojë të kërkuar dhe u zgjodhën njëri pas tjetrit, megjithëse ligji nuk e lejon këtë.
“Nuk diskutohet që drejtorët e emëruar i kryen detyrimet e tyre të punës, por e diskutueshme është nëse ata mund të ishin emëruar. Ka rregulla se si bëhet kjo dhe për sa kohë që janë në fuqi, ato duhet të respektohen”, tha gjykatësi.
Përfaqësuesit e Prokurorisë njoftuan se do ta apelojnë vendimin.
Ndryshe, Merko mori lirim nga akuzat në fillim të këtij muaji në rastin që po zhvillohej kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare në blerjen e një makine Audi me vlerë 67,000 euro.