Nga marsi, linjë e drejtpërdrejtë ajrore Dubai–Shkup tri herë në javë

Në kuadër të vizitës së punës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, zhvilloi takim me drejtorin kryesor komercial të kompanisë Flydubai, Hamad Obaidalla. Në takim u konfirmua zyrtarisht se nga muaji mars, Flydubai do të vendosë linjë të drejtpërdrejtë ajrore Dubai–Shkup, me tri fluturime në javë, transmeton Portalb.mk.

Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë që kjo linjë e drejtpërdrejtë i hap për avancimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, tërheqjen e investimeve, si dhe forcimin e bashkëpunimit turistik dhe kulturor mes dy vendeve.

Ministri Muçunski vlerësoi se vendosja e linjës së drejtpërdrejtë përfaqëson një rezultat konkret të diplomacisë aktive ekonomike dhe përpjekjeve për lidhje më të mira ndërkombëtare.

Njëkohësisht, u theksua roli i rëndësishëm i Ambasadës në Emiratet e Bashkuara Arabe në realizimin e këtij qëllimi, përmes punës së përkushtuar dhe të vazhdueshme gjatë periudhës së kaluar.