Platforma “Lice v lice” dhe Borçe Stamenov morën çmimin “Meto Jovanovski”

Platformës për Zhvillim të Qëndrueshëm “Lice v Lice (Ballë për Ballë)” dhe Borçe Stamenovit nga iniciativa “Dhuro kompjuter” iu nda çmimi shtetëror vjetor “Meto Jovanovski”. Në ceremoninë që u mbajt në Kuvend, kryetarja e Këshillit për ndarjen e çmimit shtetëror “Meto Jovanovski”, Aleksandra Cvetanovska, tha se Këshilli nuk e ka pasur të vështirë për ta ndarë njëzëri çmimin e këtij viti, transmeton Portalb.mk.

“Platforma “Lice v Lice (Ballë për Ballë)” ekziston që nga viti 2012 dhe si sipërmarrje sociale është një nga të parat, ku janë përfshirë mbi 150 shitës të revistës, të cilët i ka ndihmuar për të dalë nga varfëria dhe përjashtimi social. Revista ka shumë veprime me rezultate konkrete, prej të cilave duhet përmendur ndikimi në ndryshimet e sivjetme të Ligjit për evidencën amë, me të cilat u zgjidh problemi shumë vjetor i personave që nuk kanë çertifikata të lindjes dhe shtetësi”, tha Cvetanovska.

Platforma “Lice v lice” dhe Borçe Stamenov morën çmimin “Meto Jovanovski". Foto: Meta.mk
Platforma “Lice v lice” dhe Borçe Stamenov morën çmimin “Meto Jovanovski”. Foto: Meta.mk

Sa i përket Borçe Stamenovit, themeluesit të iniciativës “Dhuro kompjuter”, Cvetanovska theksoi se duke mbledhur kompjuterë të prishur dhe duke i riparuar ata ose duke montuar kompjuterë funksionalë nga kompjuterët e dhuruar, ai u mundëson familjeve të pafavorizuara sociale të bëhen një mjet që u mundëson edhe qasje në të drejtën themelore për arsim.

Deri më tani, falë Stamenovit, ndihmësve të tij dhe qytetarëve humanë, në duart e personave në rrezik social dhe në 40 shkolla në vend kanë arritur mbi 2650 kompjuterë.

“Duke ditur se qasja në arsim është e drejtë e njeriut roli i Borçes ishte veçanërisht i dukshëm gjatë pandemisë, me ndihmën e tij shumë fëmijë i ndoqën mësimet dhe iu mundësua kjo e drejtë”, theksoi Cvetanovska.

Çmimet i pranuan Maja Ravanska nga “Lice v Lice” dhe Borçe Stamenov.