Donald Tusk këtë javë pritet të bëhet kryeministër i ri i Polonisë

Donald Tusk pritet të bëhet kryeministër i Polonisë këtë javë, gati dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare në të cilat shumica iu dorëzua një aleance të partive opozitare. Emërimi i tij si kryeministër do t’i japë fund mbretërimit tetë-vjeçar të partisë nacionaliste, populiste Ligj dhe Drejtësi, shkruan Guardian.

Aleanca e udhëhequr nga Tusk fitoi një shumicë të qartë të vendeve parlamentare pas votimit më 15 tetor, por presidenti polak Andrzej Duda, përndryshe një aleat i partisë Ligj dhe Drejtësi, i dha kryeministrit aktual Mateusz Morawiecki shansin e parë për të formuar një qeveri në atë që shihet gjerësisht si një taktikë e zvarritjes.

Sot, Morawiecki është planifikuar të prezantojë qeverinë e re në Sejm – Dhomën e Ulët të Parlamentit polak, pasuar nga një votëbesimi, e cila pritet të dështojë.

Sejmi më pas duhet të propozojë kandidatin e tij dhe pritet të jetë Tusk ai që do të prezantojë nesër qeverinë e tij.

Pas negociatave intensive mes partnerëve potencialë të koalicionit, tashmë është rënë dakord për një kabinet, shkruan Guardian.

Megjithatë, Tusk do të përballet me sfida të shumta. Koalicioni i gjerë ka përballë një situatë të vështirë ekonomike për t’u menaxhuar dhe një buxhet që duhet të miratohet para fundit të vitit.

Ligj dhe drejtësi do të mbetet partia më e madhe e pavarur në parlament me 194 nga 460 vende në Dhomën e Ulët.

Kjo parti fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2015 dhe që atëherë ka nisur një program që ndërthur politikat sociale “bujare” me politikat populiste. Qeveria polake është përplasur me Brukselin për çështjet e sundimit të ligjit, duke çuar në ngrirjen e miliarda eurove të destinuara për Poloninë.

Tusk ishte kryeministër i Polonisë midis 2007 dhe 2014, përpara se të largohej nga politika e brendshme për t’u bërë president i Këshillit Evropian.