Përveç gropave në ‘Aeroportin’ e Tetovës u shfaqën edhe gunga

Në rrugën rajonale të re e cila lidh Porojin me bulevardin ‘Vidoe Smilevski Bato’ të njohur si ‘Aeroporti i Tetovës’, përveç gropave tani aty është vendosur edhe një pengesë rrugore (gungë) nga autorë të panjohur, çka ka shkaktuar revoltë te qytetarët. Komuna thotë se do e largojë, raporton Portalb.mk.

Kjo pengesë rrugore, e cila u vendos ditë më parë, ka shkaktuar reagime negative nga qytetarë dhe banorë të zonës përreth.

“Më në fund u bë një rrugë ku mund t’ju ikim ‘dyqind’ gungave në Drenovec dhe Poroj, është ngritur ndonjë bos dhe në rrugën e re ka vendosur pengesë, i kanë hedhur rrugët mbi vete”, tha një qytetare e revoltuar.

“E kanë filluar me një, besoj se do vendosin më shumë nëse nuk ndërhyn komuna, që duhet urgjentisht, nuk e di pse e kanë lejuar kaq ditë atë rrugë”, tha një qytetar.

“E kam vërejtur këto ditë, mendoja se është punë e komunës, por mandej e kuptova se dikush nga banorët kokë në vete e ka vendosur”, tha një qytetar.

Nga Komuna e Tetovës, zëdhënësja Besarta Ramadani tha se pengesa rrugore do të largohet.

“Për çështjen e pengesave që janë vendosur në atë pjesë të rrugës, sigurisht nuk janë vendosur nga ana e Komunës dhe do të merren masa për largimin”, tha Ramadani.

Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë deri tani nuk ka ndonjë denoncim për vendosjen e pengesës rrugore në këtë rrugë.

Bulevardi ‘Vidoe Smilevski Bato’ nga pjesa te Kazerma e Tetovës deri në Poroj, u lëshua në përdorim pa pranim-dorëzim, ku më pas e njëjta pësoi dëmtime.

“Për çështjen e rrugës, ku ka pasur disa dëmtime nga të reshurat e shiut dhe për shkak se nuk është bërë pranim-dorëzimi i rrugës, edhe ajo pjesë do të rregullohet dhe rruga shumë shpejt do të rregullohet”, tha Ramadani.

Lidhur për lëshimin në përdorim pa pranim-dorëzim, këshilltarët komunal BDI-së kanë paralajmëruar kallëzim penal.

Bulevardi Industrial që e lidh Tetovën me Porojin në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, u përurua më 30 dhjetor 2025. Pak ditë më pas u paraqitën gropa, të cilat u mbuluan më pas por që përsëri rruga nuk është rrafshuar mirë.