Përsiatje mbi bjeshkën

Ata që kanë lindur në qytete e fshatra të rrethuara me pyje e bjeshkë, janë të lidhur më ndryshe se të tjerët me natyrën e mahnitshme dhe nganjëherë të egër të bjeshkëve. Unë ndjehem fatlum që linda në Sellcën e rrethuar me kurora të bukura pyjesh e bjeshkësh, perlat e të cilave janë Guri i Kuq dhe Kobilica. Mbase këtu zë fill pasioni im për bjeshkën. Mbase jo rastësisht, qysh si fëmijë, sa herë që shkoja në Magjovicë – arën tonë më të madhe e më pjellore, nga e cila siguronim bukën e familjes, shtrihesha në shpinë dhe vështroja me ëndje mjegullat që ndryshonin vazhdimisht format dhe vijën e thyer të horizontit që më shtonte kurreshtjen për pamjet prapa saj. Në pamundësi për të parë pjesën e padukshme të botës së fshehur prapa vijës së horizontit, e ndërtoja atë me imagjinatën fëmijërore dhe ëndërroja momentin kur sytë e mi do të shohin mrekullitë nga të cilat më privonte mosha. Nganjëherë mendoja se malet përreth meje ishin kufijtë e botës, por babai një ditë më tha: Bota është e madhe, biri im. Përtej asaj që shihet nga ara jonë ka bjeshkë, toka të rrafshta, lumenj e detra të panumërt, të cilët kur të rritesh do të kesh mundësi t’i shohish me sytë e tu.

Fëmijëria kaloi sa çel e mbyll sytë, kurse ëndrra ime u realizua ditën kur babai më morri në bjeshkë për të kripur kafshët që i dërgonim atje gjatë muajve të verës. Me insistimin tim dhe të axhës së babit që ruante delet në bjeshkë, ndejta 3 ditë në stanin e tij dhe shijova bukuritë që gjeratëherë i kasha parë vetëm në ëndërr. Pas kësaj mrekullie shkoja shpesh në bjeshkë me shokët e gjeneratës, disa prej të cilëve kishin dhe stane atje, por ndjenja më e thellë dhe më e qëndrueshme për bjeshkët m’u ndez në shport para 30 vitesh, kur bashkë me mikun tim Miftar Memetin nisëm të endemi të vetmuar bjeshkëve, ku na lindi dhe ideja për themelimin e Shoqërisë së parë Bjeshkatare shqiptare në RMV, të cilën e pagëzuam me emrin “Sytë e Sharrit”.

Qe kjo koha kur nisa të njoh mirëfilli bjeshkët, bukuritë dhe hujet e tyre të çuditshme; të kuptoj se, sa më tepër u afrohesh majave të tyre aq më larg ikin prej teje, për t’u dorëzuar vetëm atëherë kur nuk dorëzohet vullneti i bjeshkatarëve. Atëherë e ndjeva se ngjitja nëpër maja bjeshkësh është shenjë se jemi gjallë, është konfirmim i jetës, një lloj ekstaze, një freskim shpirti, një ndjenjë lirie, një takim me origjinën tonë të vërtetë, një ikje dhe kthim në natyrën tonë parake të cilës nuk i shmangemi dot plotësisht, sado që të përpiqemi.

Unë, as pas kaq vitesh shoqërimi me bjeshkët, nuk e di saktësisht ç’është ajo që më lidh me to? Ndoshta pamja e tyre përrallore, ndoshta egërsimi i papritur që, për paradoks, ka një fuqi të jashtëzakonshme tërhjekëse me diçka hyjnore brenda asaj egërsie, që nuk shfaq hiret para gjithsecilit.

Pa dyshim, bjeshka është për shpirtërat e trazuar që gjakojnë mrekullitë e veçanta të jetës; është për ata që nuk u shmangen sfidave dhe që kanë nevoja më të theksuara për ikje të përkohshme nga banalitetet e jetës nëpërmjet një klithme çlironjëse nga streset e përditshmërisë, nëpërmjet një proteste a një kënge të moçme që ia marrish zëshëm dhe lirshëm si askund tjetër; për ata që kërkojnë ambiente të paqme ku mund t’i japin krahë e ta shpalojnë pjesën e tyre prej fëmije e cila nuk guxon të përmbytet plotësisht në teatrin “serioz” të jetës urbane; për ata që nganjëherë duan të jenë vetëm me vetveten dhe me Zotin e tyre, për të harruar, të paktën për disa orë, shëmtitë e botës së mbytur në thashethemnaja, në beton e në deponi plehurinash turlifare…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.