MPJ-ja i dorëzoi Antikorrupsionit dhe Prokurorisë dokumentet për tenderin 1.8 milionë euro të fituar nga donatori i BDI-së

Ministria e Punëve të Jashtme i dorëzoi Komisionit kundër korrupsionit dhe Prokurorisë dokumentacionin për tenderin prej 1.8 milionë euro që e ditoi kompania Eurovia – donatore e BDI-së, e cila duhet të bëjë përshtatje të qendrës sportive “Boris Trajkovski” për Konferenën  ministrore të OSBE-së në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Ministria i bën thirrje institucioneve që t’i kushtojnë rëndësi dhe prioritet të veçantë kësaj teme, duke pasur parasysh edhe implikimet e shkaktuara nga spekulimet e shumta në opinion sipas tyre.

Në njoftim thuhet se nuk ka parregullsi në procedurë, ndërsa për shfrytëzim ekonomik dhe efikas të buxhetit, kusht për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm ka qenë çmimi më i ulët.

“Nga katër ofertuesit, kompania e përzgjedhur kishte çmimin më konkurrues”, tha ministria.

Lëvizja e MPJ-së me në krye Bujar Osmanin, kuadër i BDI-së, ka ardhur pas kërkeksës së dokumentacionit nga Komisioni Antikorrupsion.

“Janë kërkuar informacione, për plotësimin e informatave të tjera që kemi pasur më herët nga ana e tyre, rasti është drejt fundit dhe kur të jemi konkret do të marrim vendim në seancën e ardhshme”, theksuan dje nga Antikorupsioni.

Kompania “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës është zgjedhur fituese në këtë tender ku kanë aplikuar katër kompani. Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie është Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi.  Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në opinon.

Ministria e Punëve të Jashtme, në krye me Bujar Osmanin nga BDI, përmes një komunikate tha se kompania e përzgjedhur ka ofruar çmimin më i ulët nga të gjithë ata që aplikuan, dhe se procedura është bërë në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Eurovias” përmes një reagimi publik tha se nuk ka asgjë të kundërligjshme në procedurën e tenderit. Ndërkaq hodhi poshtë donacionin ndaj BDI-së.

Ky rast ka nxitur edhe reagim të partive opozitare si Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat kanë akuzuar për korrupsion BDI-në.