Riemërimi i rrugëve në Tetovë pas zgjedhjeve lokale, presidentja: Procesi të jetë gjithëpërfshirës 

Çështja e riemërtimit të rrugëve në Tetovë duhet të zgjidhet në mënyrë qytetare, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në konsensus. Kështu ka porositur nga Tetova presidentja Gordana Siljanovska Davkova e cila u takua me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, raporton Portalb.mk

Për emërimin e rrugëve në Tetovë, presidentja tha se ka marrë një letër, por edhe premtoi se do ta diskutojë me kryetarin e komunës. 

“Mendoj se duhet të zgjidhet ashtu siç duhet – në mënyrë qytetare, gjithëpërfshirëse, me konsensus. Ne gjithmonë themi se kjo e ashtuquajtur shumicë e dyfishtë dhe shumica Badener janë njësoj të vlefshme në nivel qendror dhe lokal dhe se askush nuk mund të përjashtohet dhe nuk duhet të përjashtohet kur zgjidhen çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në identitetin, dhe rrjedhimisht në integritetin e të gjithë njerëzve,” tha Siljanovska Davkova. 

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se ka të njëjtin qëndrim si presidentja, që do të thotë se çdo qytetar duhet të jetë pjesë e procesit. 

“Duhet të tregojmë se Tetova është qytet evropian ku qytetarët jetojnë në kushte urbane dhe të gjithë do të kenë një adresë ku institucionet dhe miqtë mund ta gjejnë”, tha Kasami. 

Nisma për riemërimin e rrugëve në Tetovë do të pauzojë për disa muaj dhe pritet të vazhdojë pas zgjedhjeve lokale.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për emërimin e rrugëve kërkon që procesi të ndalet gjashtë muaj para zgjedhjeve të rregullta lokale dhe të vazhdojë më pas.

Kujtojmë që në kuadër të kësaj nisme deri më tani janë mbajtur tre debate publike. 

Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së e paralajmëroi Kasamin edhe më 25 janar se ndryshimi i paralajmëruar i emrave të rrugëve mund të hapë kutinë e Pandorës dhe të çojë në intolerancë ndëretnike. Ata dorëzuan nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së riemërimit të rrugëve në Tetovë.

Kujtojmë se këshilltarët komunal të LSDM-së janë tërhequr tërësisht nga çdo strukturë dhe organ në komunë që është duke punuar në procedurën për ndryshimin e emrave të rrugëve. 

Ndërkaq kjo nismë hapi debat edhe me VMRO-DPMNE-në.

Thirrja publike për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës ishte e hapur deri më 10 mars, ku qytetarët mund të jepnin propozimet e tyre.

Nisma e ndryshimit të emrave edhe në të kaluarën ka ngjallur debat dhe tensione politike. 

Aktualisht sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, është konstatuar që në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim. 

Grupi punues për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës u themelua më 26 gusht 2024,

Ky grup punues përbëhet nga këshilltarët komunal: Argjend Veliu (LB), Abdyrahim Maksuti (LB), Veton Murati (BDI), Anita Boshkovska Jovanovska (VMRO-DPMNE), Visar Palloshi (PDSH), Faton Selami (AAA) dhe Gligorije Stojanovski (LSDM), i cili tani më është tërhequr. 

Anëtarë të tjerë janë: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani. 

Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse. 

Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës. 

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë. 

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.