U shpall tender i ri për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë deponinë e parë rajonale në Sveti Nikole

Tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që duhet të ndërtojë deponinë e parë rajonale në Sveti Nikole është shpallur sërish muajin e kaluar. Kësaj radhe kushtet që duhet t’i plotësojnë kompanitë,  janë lehtësuar, informoi sot zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor, Ane Llaskoska, në brifingun e parë për gazetarë të organizuar nga ministri i ri i Mjedisit Jetësor, Muhamet Hoxha, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Tenderi do të zgjasë deri në mesin e muajit mars, pas së cilës do të pasojë vlerësimi i ofertave. Tenderi ishte shpallur një herë edhe vitin e kaluar, por përfundoi pa sukses, pasi aplikuesit nuk i plotësonin kushtet e kërkuara. Kriteret tani janë lehtësuar, sepse, siç thonë nga Ministria, në rajon nuk ka kompani me përvojë në realizimin e këtij lloji projektesh.

“Projekti financohet me fonde evropiane, ndërsa zbatimin e plotë dhe kontrollin e tenderit dhe procedurës e udhëheq Komisioni Evropian, i cili do ta kryejë edhe vlerësimin e ofertave. Ne shpresojmë që tenderi kësaj radhe të jetë i suksesshëm dhe që projekti të realizohet sa më shpejt dhe të shërbejë si shembull përmes të cilit qytetarët do të shohin se si duhet të rregullohet menaxhimi i mbetjeve në shtet. Mendojmë se më pas realizimi i të gjitha qendrave të tjera rajonale do të jetë më i lehtë”, tha Llaskoska.

Tenderi i parë përfundoi në maj të vitit të kaluar, pas së cilës pasoi periudha 90-ditore e vlerësimit të ofertave, para se Ministria të njoftonte se ishte i pasuksesshëm, pasi asnjëra nga kompanitë nuk i plotësonte kushtet. Atëherë, Ministria nuk publikoi sa kompani kishin aplikuar, cilat ishin ato, nëse kishte ndonjë kompani vendore, e as cilat ishin kushtet që nuk u përmbushën. As tani nuk ka detaje se çfarë rishikimi është bërë në dokumentacionin e tenderit dhe cilat janë kushtet e reja për kompaninë që në të ardhmen duhet të ndërtojë deponinë e parë evropiane në vend.

Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit, të publikuar në qershor të këtij viti, projekti për Sveti Nikolen do t’i kushtojë shtetit 40 përqind më shumë për shkak të zgjatjes së afateve dhe vonesës së fazës së tretë, për të cilën është shpallur ky tender. Sipas ESHR-së, në fazën e tretë të projektit, që përfshin ndërtimin e deponisë rajonale dhe stacioneve të transferimit, shteti do të duhet të marrë pjesë me 65 përqind të mjeteve, ndërsa fondet evropiane me 35 për qind, në vend të 85 përqind nga BE-ja dhe 15 përqind nga buxheti, siç ishte parashikuar fillimisht. Përndryshe, kostoja totale e qendrës për trajtimin e mbetjeve është 48,4 milionë euro, por në këtë shumë përfshihen edhe dy fazat e para të projektit, përkatësisht blerja e infrastrukturës dhe mbyllja e deponive ilegale.

Deponia e parë rajonale në vend duhet t’i përmbushë nevojat për trajtim modern të mbetjeve të banorëve të rajonit Lindor dhe Verilindor të Maqedonisë. Ajo duhet të ndërtohet në zonën e fshatrave Meçkuevci–Arbashanci në Komunën e Sveti Nikolës dhe do të përbëhet nga sisteme për grumbullimin dhe seleksionimin primar të mbetjeve, transport, stacione transferimi, seleksionim sekondar të mbetjeve dhe krijim të lëndëve të para për ricikluesit, nxjerrje materialesh dhe depozitimin e mbetjeve që nuk mund të rikthehen në rrjedhat ekonomike si lëndë e parë.

Gjithashtu, është paraparë të vendoset edhe rrjet për nxjerrjen e biogazit nga deponia për përdorim të mëtejshëm energjetik. Me këtë do të kompletohej një cikël i vendosjes së bazave të ekonomisë qarkulluese në menaxhimin e mbetjeve në këtë rajon. Një pjesë e punës së qendrës për menaxhimin e mbetjeve është edhe ndërtimi dhe administrimi i një deponie sanitare për mbetje komunale.

Ministri Muhamet Hoxha theksoi sot se realizimi i sistemeve rajonale për mbetje do të jetë një nga prioritetet e tij, krahas luftës kundër ndotjes së ajrit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhet problemi me deponitë ilegale.

“Institucionet duhet të mundësojnë një alternativë ekologjike dhe të mençur për trajtimin e mbetjeve. Prej një dekade flitet për këto zgjidhje dhe nuk guxojmë të lejojmë më vonesa”, tha Hoxha.

Ai shtoi se së fundmi ka filluar edhe procesi për qendrën rajonale për menaxhimin e mbetjeve në Novac, e cila duhet përfundimisht ta mbyllë deponinë Meglenci dhe të sigurojë zgjidhje për trajtimin e mbetjeve për rajonin e Pellagonisë dhe Jugperëndimit. Në kuadër të projektit është siguruar pajisje për seleksionimin e mbetjeve për 400.000 banorë në të gjitha 18 komunat.

Kujtojmë se më 8 tetor 2025, dështoi procedura e tenderit për ndërtimin e deponisë së parë rajonale në Meçkuevci të Sveti Nikoles, për Rajonin Lindor dhe Verilindor. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor u bë e ditur se arsyeja ishte interesi i pamjaftueshëm, pasi kompanitë e aplikuara nuk i plotësonin kriteret. Dokumentacioni i tenderit ishte rishikuar dhe pritej miratimi nga BE për përsëritjen e procedurës.

Ndryshe, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në muajin korrik ka nënshkruar marrëveshje për grant me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej 2 milionë euro, me të cilën fillon përgatitja e fazës së dytë të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Maqedoninë e Veriut.