Këshilli Komunal në Tetovë do të rifillojë procesin e riemërimit të rrugëve, opozita me dilemë për fuqinë politike të Kasamit
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale. Nga Komuna e Tetovës thonë se procesi do të rifillojë aty ku ka mbetur, ndërsa nga opozita shqiptare ngrenë pikëpyetje nëse Kasami do të ketë fuqi politike ta bëjë këtë ndryshim. Partitë maqedonase nuk i kanë ndryshuar qëndrimet, shkruan Portalb.mk.
Pasi pak ditë më parë u konstituua Këshilli i ri Komunal i përbërjes 2025/29, në seancat në vijim pritet që të vijojë procesi i riemërimit të rrugëve i cili u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Këshilltari nga VLEN, Albi Qamili ka thënë se do të formohet Komision i ri i Këshillit Komunal dhe procedura do vijojë aty ku ka mbetur.
“Tetova do ketë emra të ri të rrugëve dhe numra për çdo banesë shtëpi lagje dhe fshat të komunës së Tetovës. Gjithsesi se do ketë një lloj marrëveshjeje edhe në bazë të numrave të këshilltarëve komunal por edhe në bazë të numrit të banorëve të komunës me regjistrimin e fundit dhe në bazë të këtij proporcioni, do gjejmë një kompromis për riemërtimin e rrugëve për gjithë qytetin”, tha Qamili.
Nga ana tjetër, AKI nga opozita do të përkrahë këtë proces, por kanë dilema nëse kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami do të ketë fuqi politike për të bërë këtë ndryshim.
Këshilltari nga AKI, Berat Murati tha se do përkrahin këtë nismë në mënyrë që qytetarët të kenë adresë me emër dhe numër të saktë.
“Shpresojmë se kryetari i Komunës Bilall Kasami do të ketë fuqi apo takat politik për ndryshimin e emrave të rrugëve, jo vetëm për rrugët që janë pa emra dhe me numër por do duhet që t’i ndryshojë edhe emrat e rrugëve që janë nga e kaluara Jugosllave”, tha Murati.
Megjithatë, partneri i VLEN-it, VMRO–DPMNE është kundër ndryshimit të emrave ekzistues të rrugëve.
““Përbërja e re e këshilltarëve komunal të VMRO-së nuk ka mbajtur ende mbledhje në këtë temë, por, qëndrimi i VMRO-së është i qartë dhe i pandryshuar, nuk do të pranojmë ndërrim të emrave ekzistues të rrugëve”, tha këshilltari Angel Karapetrov nga VMRO-DPMNE.
Kundër është edhe LSDM opozitare.
“Ne si LSDM jemi të prerë se nuk do të përkrahim asnjë nisme në drejtim të ndërrimit të emrave të rrugëve në qytetin e Tetovës”, tha këshilltari Zhive Aleksoski nga LSDM.
Nisma për riemërimin e rrugëve në Tetovë pauzoi disa muaj, pasi sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për emërimin e rrugëve kërkohet që procesi të ndalet gjashtë muaj para zgjedhjeve të rregullta lokale dhe të vazhdojë më pas.
Kujtojmë që në kuadër të kësaj nisme deri më tani janë mbajtur tre debate publike.
Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së e paralajmëroi Kasamin edhe më 25 janar se ndryshimi i paralajmëruar i emrave të rrugëve mund të hapë kutinë e Pandorës dhe të çojë në intolerancë ndëretnike. Ata dorëzuan nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së riemërimit të rrugëve në Tetovë.
Thirrja publike për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës ishte e hapur deri më 10 mars, ku qytetarët mund të jepnin propozimet e tyre.
Nisma e ndryshimit të emrave edhe në të kaluarën ka ngjallur debat dhe tensione politike.
Aktualisht sipas të dhënave nga Komuna e Tetovës, është konstatuar që në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim.
Grupi punues për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës u themelua më 26 gusht 2024.
Ky grup punues përbëhej nga këshilltarët e përbërjes komunale 2021/2025 nga të gjitha partitë politike, përveç na LSDM-ja të cilët u tërhoqën. Anëtarë të tjerë ishin: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani.
Grupi i punës pati për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse.
Në këtë vendim nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.
Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.
- LEXO: Riemërimi i rrugëve në Tetovë pas zgjedhjeve lokale, presidentja: Procesi të jetë gjithëpërfshirës
- LEXO: Riemërtimi i rrugëve në Tetovë në pauzë deri pas zgjedhjeve lokale
- LEXO: Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së ka dorëzuar iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së riemërtimit të rrugëve në Tetovë
- LEXO: Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë: Midis të kaluarës, realitetit dhe përplasjeve politike
- LEXO: Ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë: Midis të kaluarës, realitetit dhe përplasjeve politike
- LEXO: Qeveria e prerë se nuk do të kalojë nisma për riemërimin e rrugëve në Tetovë, Kasami: Është deformim i deklaratës së Qeverisë
- LEXO: Zvarritet ndryshimi i emrave të rrugëve në Tetovë