Aktakuzë ndaj 13 policëve për zjarrin në “Pulse”

Pas zhvillimit të një procedure hetimore të gjerë, e cila përfshiu 27 zyrtarë policorë, prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të kryera nga persona me autorizime policore në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPTH NKO) ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale Shkup kundër 13 zyrtarëve policorë, transmeton Portalb.mk.

Të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale ‘vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, lidhur me zjarrin që më 16 mars 2025 shpërtheu në kabarenë “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa 223 persona pësuan lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, në periudhën nga 14 deri më 16 mars 2025, zyrtarët policorë të akuzuar kanë miratuar dhe zbatuar plan për kontroll aksionar të objekteve hotelierike, pa kryer verifikim të plotë nëse janë respektuar dispozitat ligjore dhe procedurat e sigurisë.

“Gjatë kontrollit në kabare nuk janë ndërmarrë masa adekuate për mbrojtjen e personave të pranishëm, as nuk është parandaluar përdorimi i pajisjeve piroteknike të paparaqitura, çka ka çuar në shpërthimin e zjarrit”, informoi Prokuroria.

Krahas aktakuzës, në Gjykatën Themelore Penale Shkup janë dorëzuar edhe propozim-aktakuza kundër 12 zyrtarëve të tjerë policorë. Nëntë prej tyre akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar gjatë dhënies së pëlqimit për funksionimin e kabare-së në vitet 2022 dhe 2023, me ç’rast është mundësuar përfitim pasuror i kundërligjshëm. Tre zyrtarë policorë akuzohen se gjatë përpilimit të procesverbaleve zyrtare kanë futur të dhëna të pasakta dhe kanë mundësuar zhvillim të parregullt të procedurave kundërvajtëse.

Sa i përket shtatë zyrtarëve policorë, prokurori publik ka nxjerrë urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore, pasi është konstatuar se kompetencat e tyre ligjore nuk janë në lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë me shpërthimin e zjarrit. Për një pjesë të veprimeve është konstatuar edhe parashkrimi i ndjekjes penale, ndërsa për veprimet e ndërmarra në vitin 2022 është zhvilluar procedurë parahetimore, për të cilën sot është ngritur aktakuza përkatëse. Gjatë hetimit është nxjerrë gjithashtu urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj zyrtarit policor të ndjerë.

Për të gjithë personat e akuzuar mbeten në fuqi masat për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë, deri në vendimin e gjykatës kompetente.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.

Për rastin e zjarrit në “Puls”, tashmë në bankën e të akuzuarve ndodhen 35 persona fizikë dhe 3 persona juridikë, mes tyre: pronari i klubit, bashkëpunëtorë të tij të afërt, inspektorë nga institucionet shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë së sigurimit. 

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë.