Për të pavarurit nuk duhen vetëm dy nënshkrime, Kondarko paralajmëroi detyrime tjera
Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor në një intervistë për Radio Evropa e Lirë theksoi nevojën për një Ligj Zgjedhor komplet të ri me rregulla që do të saktësohen, transmeton Portalb.mk.
“Unë në një paraqitje thash se vështirësitë më të mëdha na i jep ligji, ligji zgjedhor i cili 30 herë ka ndryshuar e u plotësua prej vitit 2006, por ka shumë paqartësi, shumë pasaktësi që na japin çështje ligjore dhe na japin pengesa”, deklaroi Kondarko.
Ai sqaroi se Ligji Zgjedhor nuk e përfshin vetëm punën e organeve zgjedhore, pro edhe financimin e partive, fushatat dhe mediumet, por e shpreh nevojën që mënyra e financimit duhet të kthehet në një ligj të veçantë.
Kondarko sqaroi se mbledhja e dy nënshkrimeve nuk është kushti i vetëm për dorëzimin e listave të kandidatëve të pavarur, duke paralajmëruar edhe kushte tjera nga KSHZ-ja.
Kujtojmë që më 17 gusht Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi që dy nënshkrime nga dy zgjedhës do të jenë të nevojshme që kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor.
Zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.