KSHZ: Kandidatëve të pavarur do t’u nevojiten vetëm dy nënshkrime nga zgjedhësit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale
Dy nënshkrime nga dy zgjedhës do të jenë të nevojshme që kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor. Këtë e parasheh Rregullorja e re për rregullimin e procedurës për mbledhjen e nënshkrimeve për mbështetje të listave të kandidatëve të paraqitura nga një grup zgjedhësish dhe për mënyrën e përcaktimit të noterëve për zgjedhjet lokale të vitit 2025, të cilën sonte (17 gusht) e miratoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhje, transmeton Portalb.mk.
Rregulloren e propozoi anëtari i KSHZ-së, Aleksandar Dashteski, duke u thirrur në nenin 63 të Kodit Zgjedhor i cili, siç tha, nuk është shfuqizuar dhe e rregullon procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për propozimin e kandidatëve, edhe pse neni 62 që i referohet zgjedhjeve lokale është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Do të lexoj disa ndryshime që i propozoj në Rregullore e që janë me rëndësi thelbësore. Bazuar në nenin 63 paragrafi 3, mbledhja e nënshkrimeve në procedurën e kandidimit sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor fillon 10 ditë nga shpallja e zgjedhjeve dhe zgjat 15 ditë. Kur propozues i listës së kandidatëve për anëtarë të këshillit, respektivisht listës për kryetar komune, është grup zgjedhësish, është e nevojshme që propozimi i listës të vërtetohet para zyrave rajonale ose komunale të KSHZ-së me dokument identifikimi të vlefshëm, me adresë banimi në komunën përkatëse ku dorëzohet lista e kandidatëve, dhe në formularin e përcaktuar për mbështetje duhet të firmosen të paktën dy zgjedhës”, tha Dashteski duke arsyetuar dispozitat e Rregullores së re, pasi e vjetra u shfuqizua meqë Gjykata Kushtetuese i anuloi dy nene të Kodit Zgjedhor.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, theksoi se ka mendim të kundërt me atë të Dashteskit nga aspekti proceduror-juridik, por megjithatë ai dhe kolegu i tij Oliver Ristovski do të votojnë për rregulloren.
“Në këtë drejtim nuk e pranoj arsyetimin e kësaj rregulloreje, e cila thirret në nenin 63 që e parashikon procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve, sepse nuk mund të zbatohet një procedurë pa pasur një prag për numrin e nënshkrimeve që duhet të mblidhen. Në këtë rast neni 63 është i pazbatueshëm pasi është i lidhur me nenin 62 të Ligjit, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Por, siç thashë, edhe pse nga aspekti formal-juridik dhe procedural nuk pajtohem, megjithatë unë dhe kolegu Oliver Ristovski do të votojmë për dhe do ta mbështesim këtë rregullore sepse mendoj që është në interes të procesit zgjedhor dhe zhvillimit të pandërprerë të të gjitha veprimeve zgjedhore”, tha Kondarko.
Ai shtoi se zgjedhjet janë shpallur, veprimet zgjedhore janë në vijim dhe KSHZ-ja nuk ka as të drejtë e as mundësi t’i shtyjë ose t’i ndalë ato. Në këtë situatë, siç tha kryetari i Komisionit, KSHZ-ja është gjendur jo me fajin e saj.
“Në dy raste Kuvendi nuk arriti ta rregullojë këtë çështje për numrin e nënshkrimeve të nevojshme për propozimin e listës së një grupi zgjedhësish, dhe për këtë arsye KSHZ-ja, jo me fajin e saj, u detyrua të zbatojë dispozitat e Kodit Zgjedhor ashtu siç janë, për suksesin e organizimit të procesit zgjedhor. Në thelb, duhej të ishte pa mbledhje nënshkrimesh, pra me 0 nënshkrime, por me Rregulloren propozohet të paktën dy nënshkrime nga të paktën dy zgjedhës, gjë që në thelb nuk ndryshon asgjë”, tha Kondarko.
Për këtë replikoi Dashteski i cili tha se me Rregulloren e propozuar nuk dilet jashtë kuadrit ligjor.
Dje Kuvendi pati një përpjekje për të miratuar ndryshime në Kodin Zgjedhor që do ta rregullonin numrin e nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët e pavarur për zgjedhjet lokale, por edhe pse u sigurua shumica e nevojshme, nuk pati numrin e mjaftueshëm të votave sipas Badenterit dhe ato nuk u miratuan. Ndryshimet e propozuara parashihnin që kandidatët e pavarur të duhej të mblidhnin 0,5 për qind të nënshkrimeve nga zgjedhësit e regjistruar në listën zgjedhore të njësisë zgjedhore (NJZ).
Zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.
- LEXO: Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për të ndryshuar Kodin Zgjedhor pas shpalljes së zgjedhjeve
- LEXO: Kryetari i Kuvendit të RMV-së i shpalli zgjedhjet lokale për më 19 tetor
- LEXO: Të pavarurit në RMV mosbesues pavarësisht deklaratës së KSHZ-së se Komisioni nuk mund të parandalojë pjesëmarrjen në zgjedhje