Për Siljanovskën Zvicra është shembull i mirë për shumëgjuhësi, për Mickoskin nuk është shembull i mirë
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkokva, dje e llogariti Zvicrën si një shembull të mirë për tejkalimin e dallimeve gjuhësore, ndërsa kryeministri Hristijan Micskoki nuk e llogariti si shembull që duhet marrë parasysh, transmeton Portalb.mk.
“Përse ka rëndësi për ne, sepse bëhet fjalë për një shembull të suksesshëm të një shteti të vogël federativ shumëgjuhësor, në të cilin dallimet tejkalohen me dituri, me kapacitet qytetar, me kompetencë, dhe kuptohet, me aktivitet të vazhdueshëm”, deklaroi dje (29 prill) Siljanovska-Davkova për Zvicrën.
Ajo këto deklarat i dha pas takimit që ka pasur në Shkup me homologun zviceran, Guy Parmelan. Një ditë më pas, Mickoski nuk ndan mendim të njëjtë me presidenten në lidhje me shumegjuhësinë e një shteti.
“Belgjika, Zvicra nuk janë një shembull i mirë, ato janë konfederata, federata, po flasim për shtete unitare dhe nuk ka shembull të dytë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se gjyqësori duhet të jetë në një gjuhë, dhe ajo është maqedonishtja, dhe këtu duhet të përfundojë ky diskutim. Nëse të gjithë e pranojmë këtë fakt, duhet të gjejmë një mënyrë që dhënia e provimit të jurisprudencës të jetë e vlefshme në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe nuk shoh ndonjë problem këtu”, deklaroi Mickoski.
Ai sqaroi që komisioni i përbërë nga ekspertët kushtetues e ligjorë po punojnë për zgjidhjen e problemit.
Kujtojmë se, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë protestuan më 6 prill në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdoi të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe. Një ditë pas protestës, më 7 prill ka reaguar kryeministri Hristijan Mickoski, duke deklaruar se qeveria po punon për zgjidhje ligjore, ndërkaq tha se protesta pati konotacion politik dhe përpjekje për destabilizim.