Përfaqësuesit e KE-së dhe BE-së në Shkup zhvilluan takimin e 21-të të nënkomiteteve BE-RMV
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe delegacioni i BE-së në Shkup zhvilluan takim me autoritetet kompetente në Maqedoninë e Veriut në lidhje me arsimin, kulturën, transformimin digjital, mediat, politikën sociale, punësimin, lëvizjen e punëtorëve, shkencë dhe kërkimin, transmeton Portalb.mk.
“Sa i përket arsimit, Komisioni mirëpriti progresin e arritur në fushën e arsimit parauniversitar dhe trajnimit profesional dhe arsimor (APT), duke theksuar rolin e hapave përkatës të Agjendës për Reforma”, njoftuan nga Delegacioni i BE-së në Shkup.
Ky është takimi i 21-të i Nënkomitetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut në lidhje me inovacionin, shoqërinë e informacionit dhe politikën sociale.
Komisioni kërkoi zbatimin e Strategjisë Kombëtare të të Rinjve, duke kërkuar miratimin e një Plani të ri veprimit, ndërsa projektin e Shkupit Kryeqytet Evropian të Kulturës për vitin 2028-të e vlerësoi si një mundësi për Shkupin.
“Në fushën e medias, Komisioni mirëpriti sigurinë në lidhje me financimin dhe pavarësinë financiare të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale”, raportoi Delegacioni.
Në lidhje me barazinë gjinore, Komisioni kërkoi të vazhdohet me punësimin e grave në zonat rurale dhe gratë rome.