Afër 400 euro për një qen: Ofertë dhe marrëveshje e dyshimtë për trajtimin e qenve në Tetovë, komunat tjera harxhojnë më pak (Infografik)
Në Tetovë, trajtimi i një qeni kushton 23,600 denarë, çmimi është shumë herë më i lartë në krahasim me ofertat që kanë pranuar qytetet si Struga, Kërçova, Ohri dhe Gostivari. Kjo është oferta që Komuna e Tetovës e ka pranuar nga Shoqata “Ana Agro” me të cilën ka nënshkruar marrëveshje. Kjo marrëveshje si e tillë, hap dilema për keqpërdorime financiare duke pasur parasysh edhe faktin se ‘Ana Agro’ deri më tani ka fituar tenderë vetëm nga Komuna e Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Më 5 nëntor 2025, Komuna e Tetovës ka nënshkruar kontratë në vlerë 3 milionë denarë me Shoqërinë për përkujdesjen e qenve endacakë “Ana Agro”.
Oferta mbi të cilën është nënshkruar kjo marrëveshje parasheh që për një qen të harxhohen 23,600 denarë (382 euro).

Sa për krahasim, qytetet tjera kanë nënshkruar marrëveshje me oferta shumë herë më të lira se Tetova.
Portalb.mk i analizoi ofertat dhe marrëveshjet nga ueb-faqja e prokurimeve publike.

Për shembull, në Strugë oferta për një qen është 3,466 denarë, në Kërçovë 7,021 denarë, në Ohër 9,119 denarë dhe në Gostivar 14,360 denarë. Shumë komuna të tjera kanë pranuar oferta shumë më të lira.
Veterineri: Keqpërdorim financiar
Pasi që çmimet janë shumë të larta, u konsultuam me një veteriner i cili i njeh mirë procedurat dhe mënyrën se si bëhet trajtimi i qenve endacakë. Ai për redaksinë tonë preferoi të flet në kushte anonime, duke aluduar në keqpërdorime të mundshme.
“Nuk është reale kjo. Këtu nuk punohet asgjë, këtu vetëm vidhen para. Këtu kanë hyrë për të bërë krim financiar”, tha ai.
Sipas tij, harxhimet reale për trajtimin e një qeni endacak shkojnë nga shtatë deri në nëntë mijë denarë.
Ai tha se edhe procedurat e trajtimit nuk bëhen si duhet.
“Çdo qen që hyn në strehimore, në fillim merret gjak dhe duhet të shkojë në Shkup dhe pastaj veprohet operacione gjëra tjera, mandej bëhet kastrimi, sterelizimi, vaksinimi për tërbimin, pastaj bëhen këto gjëra. Nuk bëhet asgjë pa mos ardhur rezultati i Shkupit, rregullorja është e tillë, nuk mund të bëhet operacion pa mos i marrë gjak, nëse del me leshmanjozë atëherë duhet të merren masa tjera. Këta nuk kanë kapacitet, aty kanë hyrë njerëz që nuk e dinë as çka është veterinaria”, tha veterinari.
Nga Instituti i Veterinarisë nuk treguan se sa analiza të leshmanjozës janë dërguar nga ‘Ana Agro’ në dy vitet e fundit.
Nga ana tjetër, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për Portalb.mk e konfirmuan se ‘Ana Agro’ ka kapacitet prej 10 qenve.
“Strehimorja është miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe është e regjistruar në Regjistrin e Strehimoreve të Miratuara. Strehimorja ka kapacitet prej 10 qensh”, thanë nga AUV.
Marrëveshje në rrethana të dyshimta
Përpara se Komuna e Tetovës ta nënshkruajë më 05.11.2025 marrëveshjen me ‘Ana Agro’, në këtë thirrje pati aplikuar një kompani tjetër, megjithatë procedura u anulua më 18.09.2025.

I pyetur se përse u anulua ky tender, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 25 shtator 2025 tha:
“Sepse ka aplikuar një kompani jashtë Tetovës e cila ka ofruar çmim që është joreal për të kryer shërbimet të cilat duhet të kryhen për trajtimin adekuat të qenve endacakë”.
Megjithatë, edhe shoqata ‘Ana Agro’ nuk është nga Tetova por nga Komuna e Jegunovcës, strehimorja ku trajtohen qentë ndodhet në fshatin Ratajë..
Për më tepër, burimet tona thonë se tenderi u anulua me qëllim që t’i jepet shoqatës “Ana Agro”.
Kjo shoqatë edhe vitin 2024 fitoi tenderin nga Komuna e Tetovës për trajtimin e qenve endacakë në vlerë prej 3.2 milionë denarë. Sipas ofertës së dorëzuar, çmimi për trajtimin e një qeni ishte 22,240 denarë me TVSH.

Heshtje nga Komuna e Tetovës dhe Ana Agro
Edhe pse të pyetur disa herë për detaje rreth marrëveshjes dhe çmimeve, as nga Komuna e Tetovës dhe as nga ‘Ana Agro’ nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Këto të dhëna i dorëzuam edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nga ky institucion na njoftuan se do ta shqyrtojnë si rast në një nga kolegiumet që pritet të mbahet javën që vjen.
Ana Agro përfituese e tenderëve vetëm nga Komuna e Tetovës
Shoqëria për përkujdesjen e qenve endacakë “Ana Agro” në këto katër vite sa ekziston, sipas faqes së prokurimeve publike ka fituar gjithsej dy tenderë, të dyja nga Komuna e Tetovës.

Sipas bazës së të dhënave nga CompanyWall Business, ‘Ana Agro’ është themeluar më 26.8.2021 dhe ka dy të punësuar.
Kjo shoqatë në vitin 2022 nuk ka pasur aspak të hyra. Në vitin 2023 ka regjistruar të hyra prej 16.000 denarë, ndërsa në vitin 2024 ka të regjistruara të hyra prej 1.866.000 denarë.
Ndërkaq, sipas këtij regjistri figuron se llogaria bankare e Ana Agro momentalisht është e bllokuar.

Situata me qentë në Tetovë është alarmante
Përderisa Komuna e Tetovës shpenzon miliona denarë, situata në terren me qentë endacakë mbetet shqetësuese.
Në katër vitet e fundit, sipas të dhënave nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë janë regjistruar rreth 300 raste të kafshimit të qenve endacakë. Megjithatë ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjithë qytetarët i kanë paraqitur rastet në polici.

Kujtojmë se qentë endacakë në strehimoren “Ana Agro” në Ratajë filluan të trajtohen në fund të muajit korrik 2024. Pavarësisht trajtimit të tyre, në qytet ende ka turma qensh, për të cilat qytetarët vazhdimisht ankohen.
Në maj 2025, nga strehimorja ‘Ana Agro’ njoftuan se nga viti 2024 deri në maj 2025 në strehimore ishin trajtuar 224 qen. Nga strehimorja patën njoftuar se do të vazhdojnë të funksionojnë edhe në vitin 2025.
Përndryshe, vite më parë u paralajmërua ndërtimi i një strehimoreje rajonale për të zgjidhur këtë problem për të gjithë komunat e Pollogut, por kjo nuk është realizuar deri më tani.
- LEXO: Qentë endacakë vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë publike në Tetovë, pavarësisht ekzistencës së strehimores
- LEXO: Komuna e Tetovës do të shpërblejë qytetarët të cilët do fotografojnë sjelljen e qenve nga qytetet tjera, nuk treguan si
- LEXO: Banorët e Tetovës dhe fshatrave mund t’i raportojnë qentë endacakë te strehimorja përmes telefonit
- LEXO: Komuna e Tetovës hapi strehimoren për qentë endacak
- LEXO: Komuna e Tetovës nuk tregon çfarë u bë me tenderin për qentë endacak, por miraton rregulla të reja për dëmshpërblime nga kafshimet