Trajtimi i qenve në Tetovë: Marrëveshja u nënshkrua me çmim më të ulët se oferta fillestare, shërbimet mbeten më e shtrenjta se në qytetet tjera

Ndonëse oferta fillestare nga ‘Ana Agro’ ndaj Komunës së Tetovës kapte shifrën prej 23,600 denarë (me TVSH) për shërbimet e trajtimit të një qeni, gjatë procesit së marrëveshjes çmimet e shërbimeve janë ulur dhe çmimi i trajtimit të një qeni ra në 14,499 denarë pa TVSH pasi shoqata është e liruar nga TVSH-ja. Megjithatë, Komuna e Tetovës paguan shërbimet përsëri më shtrenjtë se Struga, Kërçova apo Ohri, shkruan Portalb.mk.

Oferta mbi të cilën u nënshkrua marrëveshja më 5 nëntor 2025 midis ‘Ana Agro’ dhe Komunës së Tetovës për trajtimin e qenve endacakë për vitin 2025 nuk gjendet në portalin elektronik të prokurimeve publike.

Aty figuron vetëm oferta fillestare, sipas së cilës shërbimet për trajtimin për një qen kushtojnë në total 23,600 denarë me TVSH.

Në sistemin elektronik figuron edhe marrëveshja e nënshkruar midis Komunës së Tetovës dhe “Ana Agro”, por pa bashkëngjitjen e ofertës përfundimtare mbi të cilën u arrit marrëveshja.

Pavarësisht se Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Tetovës detaje nga marrëveshja dhe çmimet e trajtimit, nga ky institucion me javë nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Portalb.mk më 13 dhjetor publikoi analizën lidhur me çmimet nga oferta fillestare ku trajtimi për një qen arrinte në 23,600 denarë (382 euro).

Ndërsa dy ditë më vonë, më 15 dhjetor, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami kur u pyet gjatë një ngjarjeje publike nga Portalb.mk sqaroi se marrëveshja është nënshkruar me çmime më të lira se oferta fillestare e pranuar, dhe se çmimet e shërbimeve nuk mund të krahasohen midis komunave.

Më pas, po të njëjtën ditë (15 dhjetor), nga Komuna e Tetovës, përsëri duke mos dhënë shumë detaje për Portalb.mk njoftuan se vlera për trajtimin e një qeni për vitin 2025, është 14.499 denarë dhe jo 23.600 denarë.

Ky çmim prej 14,499 denarëve është pa TVSH.

Komuna e Tetovës deri te redaksia jonë e dorëzoi edhe ofertën përfundimtare mbi të cilën u nënshkrua marrëveshja, ku përfshihen gjithsej 13 shërbime.

Oferta mbi të cilën u nënshkrua marrëveshja midis Ana Agro dhe Komunës së Tetovës
Oferta mbi të cilën u nënshkrua marrëveshja midis Ana Agro dhe Komunës së Tetovës
Kontrata e Komunës së Tetovës me Ana Agro 2025
Kontrata e Komunës së Tetovës me Ana Agro 2025

Nga Komuna e Tetovës konfirmuan se ‘Ana Agro’ është e liruar nga TVSH-ja. Por, edhe pa TVSH, përsëri çmimet mbeten më të larta se në Strugë, Kërçovë, Ohër dhe Gostivar.

“Në vitin 2024, janë trajtuar 224 qen. Ndërsa në vitin 2025, deri tani janë trajtuar 23 qen, dhe 37 janë në pritje për t’ua dërguar monstrën e gjakut për analizë tek Agjensioni për Ushqim dhe Veterinari”, thanë nga Komuna e Tetovës. 

Megjithatë, nga Komuna e Tetovës përsëri nuk u përgjigjën në shumë pyetje gazetareske lidhur me këtë çështje, disa prej të cilave janë: 

  • Pasi kontrata është nënshkruar me çmime fikse për një qen 14,499 denarë pa TVSH, përsëri është shumë më e lartë nga shërbime që paguajnë komunat tjera. Pse nuk keni kërkuar ofertë më të lirë?
  • Cilat shërbime konkrete e bëjnë trajtimin në Tetovë më të shtrenjtë se në Strugë, Ohër, Kërçovë apo Gostivar?
  • A ka komuna ndonjë analizë krahasuese zyrtare të çmimeve para se ta pranonte këtë ofertë?
  • Pse u anulua tenderi i parë, me arsyetimin se oferta ishte “joreale”, ndërkohë që oferta e re është shumë më e shtrenjtë?
  • Keni deklaruar se tenderi u anulua sepse kishte aplikuar kompani “jashtë Tetovës”, por edhe Ana Agro nuk është nga Tetova. Si e shpjegoni këtë kundërthënie?
  • A është e vërtetë se tenderi është anuluar me qëllim që t’i jepet shoqatës “Ana Agro”?
  • Agjencia për Ushqim dhe Veterinari konfirmoi se strehimorja “Ana Agro” ka kapacitet vetëm për 10 qen. Si është e mundur që kjo shoqatë trajton qindra qen?
  • A ka Komuna mekanizma kontrolli për të verifikuar sa qen realisht janë trajtuar dhe në çfarë kushtesh? Kush e mbikëqyr zbatimin e kontratës në terren dhe a janë bërë inspektime të pavarura?
  • Na jepni raport të detajuar të trajtimit të qenve në vitin 2024 dhe 2025?
  • Si e shpjegoni faktin që “Ana Agro” ka fituar vetëm tenderë nga Komuna e Tetovës dhe asnjë nga komuna të tjera?
  • A e ka verifikuar Komuna gjendjen financiare të kësaj shoqate, përfshirë faktin që llogaria bankare i figuron e bllokuar?
  • Nëse nga viti 2024 deri në maj 2025 janë trajtuar 224 qen, pse situata në qytet mbetet alarmante?

Në lidhje me këto çmime, Portalb.mk konsultoi një veteriner cili i njeh mirë procedurat dhe mënyrën se si bëhet trajtimi i qenve endacakë.

“Nuk është reale kjo. Këtu nuk punohet asgjë, këtu vetëm vidhen para. Këtu kanë hyrë për të bërë krim financiar”, tha ai.

Sipas tij, harxhimet reale për trajtimin e një qeni endacak shkojnë nga shtatë deri në nëntë mijë denarë.

Këto të dhëna Portalb.mk i ka dorëzuar edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nga ky institucion na njoftuan se do ta shqyrtojnë si rast në një nga kolegiumet që pritet të mbahet këtë javë.

Nga Instituti i Veterinarisë nuk treguan se sa analiza të leshmanjozës janë dërguar nga ‘Ana Agro’ në dy vitet e fundit.

Nga ana tjetër, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për Portalb.mk e konfirmuan se ‘Ana Agro’ ka kapacitet prej 10 qenve.

“Strehimorja është miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe është e regjistruar në Regjistrin e Strehimoreve të Miratuara. Strehimorja ka kapacitet prej 10 qensh”, thanë nga AUV.

Marrëveshja në rrethana të dyshimta

Përpara se Komuna e Tetovës ta nënshkruajë më 05.11.2025 marrëveshjen me ‘Ana Agro’, në këtë thirrje pati aplikuar një kompani tjetër, megjithatë procedura u anulua më 18.09.2025.

Foto: Printscreen nga e-nabavki
Foto: Printscreen nga e-nabavki

I pyetur se përse u anulua ky tender, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 25 shtator 2025 tha:

“Sepse ka aplikuar një kompani jashtë Tetovës e cila ka ofruar çmim që është joreal për të kryer shërbimet të cilat duhet të kryhen për trajtimin adekuat të qenve endacakë”.

Megjithatë, edhe shoqata ‘Ana Agro’ nuk është nga Tetova por nga Komuna e Jegunovcës, strehimorja ku trajtohen qentë ndodhet në fshatin Ratajë..

Për më tepër, burimet tona thonë se tenderi u anulua me qëllim që t’i jepet shoqatës “Ana Agro”.

Kjo shoqatë edhe vitin 2024 fitoi tenderin nga Komuna e Tetovës për trajtimin e qenve endacakë në vlerë prej 3.2 milionë denarë.

Ana Agro përfituese e tenderëve vetëm nga Komuna e Tetovës

Shoqëria për përkujdesjen e qenve endacakë “Ana Agro” në këto katër vite sa ekziston, sipas faqes së prokurimeve publike ka fituar gjithsej dy tenderë, të dyja nga Komuna e Tetovës.

Foto: Printscreen nga e-nabavki
Foto: Printscreen nga e-nabavki

Sipas bazës së të dhënave nga CompanyWall Business, ‘Ana Agro’ është themeluar më 26.8.2021 dhe ka dy të punësuar.

Sipas këtij regjistri, kjo shoqatë në vitin 2022 nuk ka pasur aspak të hyra. Në vitin 2023 ka regjistruar të hyra prej 16.000 denarë, ndërsa në vitin 2024 ka të regjistruara të hyra prej 1.866.000 denarë.

Ndërkaq, sipas këtij regjistri figuron se llogaria bankare e Ana Agro momentalisht është e bllokuar.

Nga Komuna e Tetovës siç sqaruan, Ana Agro është e liruar nga TVSH-ja.

Sipas Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), tatimpagues është person juridik dhe fizik që ushtron veprimtari në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe obligim për regjistrim të detyrueshëm për qëllime të TVSH-së kanë vetëm ata tatimpagues të cilët:

  • Në vitin e kaluar kalendarik kanë realizuar qarkullim të përgjithshëm të tatueshëm mbi 2.000.000 denarë (përfshirë tatimin që u takon, përveç qarkullimit të liruar pa të drejtë zbritjeje të tatimit paraprak);
  • Ose qarkullimi total i të cilit pritet që në fillim të aktivitetit afarist të tejkalojë shumën (mbi 2.000.000 denarë);
  • Ose gjatë vitit e kalon shumën (mbi 2.000.000 denarë).
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Situata me qentë në Tetovë është alarmante

Përderisa Komuna e Tetovës shpenzon miliona denarë, situata në terren me qentë endacakë mbetet shqetësuese.

Në katër vitet e fundit, sipas të dhënave nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë janë regjistruar rreth 300 raste të kafshimit të qenve endacakë. Megjithatë ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjithë qytetarët i kanë paraqitur rastet në polici.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se qentë endacakë në strehimoren “Ana Agro” në Ratajë filluan të trajtohen në fund të muajit korrik 2024. Pavarësisht trajtimit të tyre, në qytet ende ka turma qensh, për të cilat qytetarët vazhdimisht ankohen.

Përndryshe, vite më parë u paralajmërua ndërtimi i një strehimoreje rajonale për të zgjidhur këtë problem për të gjithë komunat e Pollogut, por kjo nuk është realizuar deri më tani.