Ligje ka, zgjidhje nuk ka: Pse Maqedonia e Veriut nuk arrin ta ulë numrin e kafshëve të rrugës?

“Fitimi shkon për sterilizimin e maceve“, shkruan në tezgën e Teadorës dhe Irenës në bazarin e organizuar në kafe-barin “Dnevna“, në të cilën janë ekspozuar libra, varëse, vathë dhe ndonjë veshje. Në vend për fitime personale këto dy vajza shesin gjësende personale që të mbledhin mjete financiare për ta zvogëluar problemin me macet e rrugës, transmeton Portalb.mk nga Pina.

Ato janë pjesë e dhjetëra të rinjve dhe studentëve që kërkojnë zgjidhje, pasi kanë vënë re se në rrjetet sociale publikohen shumë mace të braktisura.

“Si një shoqëri ku secili nga ne kemi kafshë shtëpiake në shtëpi – duam të ndihmojmë. Financiarisht nuk jemi shumë të fuqishëm për të bërë donacione, kështu që e kuptuam se kemi gjësende që mund t’i ofrojmë për shitje dhe në këtë mënyrë të mbledhim mjete të cilat do t’ia dhuronim dikujt që kujdeset dhe i ndihmon macet e rrugës“, tha Teadora Stefanovska.

Irena thotë se nevojitet trajtim i njëjtë për macet e rrugës ashtu siç e kanë qentë e rrugës në Ndërmarrjen Publike “Llajka“ në Shkup, e cila kujdeset për kapjen, sterilizimin dhe strehimin e tyre. Sipas saj institucionet duhet të angazhohen më shumë rreth kafshëve të rrugës.

“Me qasjen e institucioneve ndaj kafshëve të rrugës paralelisht duhet të bëhet edhe vetëdijesimi tek njerëzit. Mund të kemi ligje, por nëse nuk kemi vetëdije, asgjë nga ligjet“, thotë Irena Latinovska.

Numrin e kafshëve të rrugës në vend askush nuk e di me saktësi. Sipas vlerësimeve rrugëve të vendit tonë enden më shumë se 8.000 qen, me supozimin se 15 deri në 20 përqind prej tyre janë kafshë shtëpiake të braktisura.

Numri i maceve të rrugës, nga ana tjetër, nuk dihet as përafërsisht, pasi asnjëherë nuk është bërë monitorim i popullatës së tyre. Supozohet se është shumë më i madh se ai i qenve, pasi shumimi i tyre është shumë më i madh dhe më pak i kontrolluar se ai i qenve.

Qen endacak në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacak në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në mungesë të një reagimi gjithëpërfshirës sistemik kujdesi për kafshët e rrugës dhe kërkimi i zgjidhjes po përcillet te aktivistët dhe në rrjetet sociale, për çka ato çdo ditë janë të mbushura me thirrje për shpëtimin e ndonjë qeni apo maceje të rrugës.

Problem shumëvjeçar me kafshët e rrugës

Alarmi për gjendjen me popullatën e kafshëve të rrugës vjen edhe nga aktivistët dhe organizatat që u ndihmojnë atyre, por edhe nga sfera e veterinarisë. Sipas tyre kjo gjendje po zgjat me dekada, problemi nuk zgjidhet në mënyrë thelbësore, por vetëm “menaxhohet” përkohësisht.

Për Gizella Boshkovskën nga “Anima Mundi“ kjo është rezultat i moskoordinimit dhjetëvjeçar institucional, pronësisë së papërgjegjshme dhe parandalimit të pamjaftueshëm.

“Problemi nuk fillon në rrugë, por në shtëpi dhe në sistem. Kemi braktisje të vazhdueshme të kafshëve, shumim të pakontrolluar, çipim të pamjaftueshëm dhe kontroll të dobët të pronarëve. Në të njëjtën kohë shumë komuna ende nuk kanë programe afatgjata dhe sistemike për përballje me problemin, por reagojnë në mënyrë afatshkurtër dhe nën presionin e qytetarëve“, thotë Boshkovska. Përshtypja e saj e përgjithshme është se shteti ende i përgjigjet problemit kryesisht në mënyrë reaktive, e jo preventive.

Edhe Meri Jordanovska nga uebfaqja e parë e specializuar për kafshët shtëpiake “Pets.mk“ pajtohet se pronësia e papërgjegjshme është burimi kryesor i problemit. Ajo mendon se mungon përgjegjësia e përbashkët e më shumë institucioneve që duhet të veprojnë për përballje me problemin.

“Deri sa nuk kemi bashkëpunim mes gjithë atyre që janë kompetentë, problemi do vazhdojë të ekzistojë dhe do të zhvillohet, ndërsa Maqedonia do të sillet në rreth sa i përket zgjidhjes së problemit me popullatën e tepërt të qenve dhe maceve të rrugës. Pikërisht për këtë arsye programi ‘kap – sterilizo – kthe’ i cili zbatohet në të gjitha shtetet e zhvilluara demokratike, te ne në këtë moment nuk mund të japë rezultat“, thotë Jordanovska.

Qen, qentë endacak në Shkup
Qentë endacak në Shkup, foto: Suad Bajrami

Nëse pronësisë së papërgjegjshme i shtohen edhe të dhënat nga monitorimi i kryer në Shkup në vitin 2023, i cili nxori në pah se nga rreth 40.000 qen shtëpiakë të sterilizuar ishin vetëm 8,9 përqind, ndërsa nga 4.500 qen të rrugës në kryeqytet ishte i sterilizuar çdo i dyti ose 48 përqind e qenve, pasqyra për atë se kush është burimi kryesor i popullatës së qenve të rrugës bëhet më e qartë. Sipas të dhënave nga sistemi informativ i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në Maqedoni janë regjistruar 156.555 kafshë shtëpiake, nga të cilat 144.693 qen, 11.856 mace dhe 6 nuselale.

Institucionet si enë të lidhura

Për programin “Kap – Sterilizo – Vaksino – Kthe“ të qenve të rrugës në Shkup nga viti 2020 kujdeset NP “Llajka“. Edhe pse aty në vit sterilizohen rreth 1.000 qen rruge, tek qytetarët ekziston mendimi se numri i tyre në rrugët e vendit jo vetëm që nuk po zvogëlohet, por përkundrazi, po rritet.

Drejtori i “Llajka“, Vojisllav Dimitrovski, i cili është veteriner, thotë se përballja me problemin nuk mund të zgjidhet nga një institucion, por nga një aksion i koordinuar i më shumë subjekteve. “Llajka“, siç thotë ai, është hallka e fundit në sistem që reagon ndaj pasojave, ndërsa zgjidhja thelbësore qëndron në parandalimin dhe ndalimin e shkaqeve që e krijojnë problemin.

“Për momentin është e domosdoshme që të gjitha institucionet e përfshira seriozisht t’i riorganizojnë dhe t’i përforcojnë kapacitetet e tyre me qëllim që problemi me qentë e rrugës të vihet nën kontroll në afat të gjatë“, thotë Dimitrovski.

Dimitrovski thotë se po punohet në një strategji për përfshirjen e të gjitha burimeve veterinare të disponueshme në qytet, si dhe për një plan afatgjatë për zgjerimin e kapaciteteve të NP “Llajka“.

“Kontrolli dhe sanksionimi nga institucionet kompetente janë vetëm një pjesë e zgjidhjes. Po aq i rëndësishëm është edukimi dhe ngritja e vetëdijes publike për pronësinë e papërgjegjshme. Strategjia ‘Kap – Sterilizo – Vaksino – Kthe’, të cilën e zbaton NP “Llajka“, mund të japë rezultate afatgjata vetëm nëse shoqërohet me ndryshimin e zakoneve dhe sjelljeve shoqërore“, thotë Dimitrovski.

Qentë endacakë në Kërçovë, Foto:Portalb.mk
Qentë endacakë në Kërçovë, Foto:Portalb.mk

AUV, MPB, Drejtoria e Doganave, Inspektorati i Ministrisë së Bujqësisë janë institucione për të cilat, si Boshkovska ashtu edhe Jordanovska, janë të mendimit se duhet të punojnë bashkërisht për t’i zgjidhur shkaqet për shkak të të cilave krijohet ky problem. Nga ky obligim ato nuk e përjashtojnë as gjyqësorin, e as arsimin.

Ligj vetëm në letër

Ekziston rregullativë ligjore që e rregullon këtë fushë, para se gjithash Ligji për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve, mirëpo pjesa më e madhe e kritikave janë pikërisht për mosrespektimin e tij.

Kristina Atanasova, veterinare nga klinika veterinare “Pet Vitality“, është e mendimit se rregullativa ligjore ekzistuese është jofunksionale në praktikë për shkak të moszbatimit të saj. Sipas saj, për zgjidhjen e vërtetë të problemit me kafshët e rrugës nevojiten ndryshime të caktuara dhe përforcim i rregullativës.

“Së pari të fillojmë me çipimin e detyrueshëm dhe evidentimin e kafshëve në regjistër, si dhe me zbatimin e kontrolleve të përforcuara, prezantimin e tatimit për kafshët shtëpiake të pasterilizuara, kontrolle më të rrepta ndaj mbarështueseve, por edhe ndalimin e shitjes së kafshëve shtëpiake që nuk janë nga ndonjë mbarështues i regjistruar, si dhe dënime të larta që do të zbatohen me të vërtetë për braktisjen apo keqtrajtimin e kafshës“, thotë Atanasova.

Një nga mangësitë më të mëdha të rregullativës aktuale, sipas Dimitrovskit, është mospërputhshmëria mes ligjeve që e rregullojnë këtë fushë, sidomos në pjesën e politikës ndëshkuese. Ai është i mendimit se rregullativa ekzistuese në masë të madhe është e harmonizuar me standardet evropiane dhe përmban mekanizma që mund të kontribuojnë për menaxhim efikas të problemit.

“Në praktikë kjo rezulton me sanksione relativisht të ulëta për shkeljet e lidhura me mirëqenien e kafshëve, si dhe për obligimet që kanë të bëjnë me identifikimin, regjistrimin dhe pronësinë e përgjegjshme të kafshëve shtëpiake. Nga përvoja e deritanishme sfida më e madhe nuk është vetë korniza ligjore, por zbatimi i saj në realitet“, tha Dimitrovski.

Qen endacakë në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacakë në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Jordanovska nga “Pets.mk“ është e mendimit se rregullativa ligjore aktuale absolutisht nuk është e mjaftueshme për ta zgjidhur problemin me kafshët e rrugës dhe keqtrajtimin e tyre, gjë që sipas saj shihet nga dënimet minimale për braktisjen e kafshëve shtëpiake, për pronësinë e papërgjegjshme, për mosçipimin, por edhe shumimin e pakontrolluar dhe shitjen e kafshëve shtëpiake nga mbarështuesit e paregjistruar në rrjetet sociale.

Sipas Boshkovskës nga “Anima Mundi“ mungon edhe një strategji kombëtare që do t’i bashkojë institucionet, pushtetin lokal, sektorin veterinar dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve. Ajo thotë se pa një qasje të koordinuar problemi vetëm po bartet nga njëri vend në tjetrin, por nuk po zgjidhet në mënyrë thelbësore.

Ndryshimet ligjore të bllokuara mes institucioneve

Tashmë prej disa vitesh po paralajmërohen ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve, i cili i rregullon çështjet për pronësinë e përgjegjshme, por edhe për përballjen me popullatën e kafshëve të rrugës, para se gjithash atë të qenve. Ndryshimet e para në Kuvend i dorëzoi grupi parlamentar i Partisë Liberal-Demokrate në fillim të vitit 2024, por pa ndonjë rezultat konkret.

Drejt miratimit të një ligji të ri u qas edhe AUV-ja rreth një vit më parë. Nga Agjencia thonë se e kanë kuptuar që masat e deritanishme të komunave dhe Qytetit të Shkupit, që janë përgjegjës për zbatimin e sistemit për kontrollin e popullatës së qenve, nuk po japin rezultate. Sipas AUV-së gjendja aktuale me kafshët e rrugës në Maqedoni është pasojë edhe e zbatimit të pamjaftueshëm të zgjidhjes ligjore ekzistuese, por edhe e paqartësive dhe mangësive të saj.

“Braktisja e kafshëve shtëpiake është problem i vazhdueshëm dhe burim kryesor i popullatës së qenve të rrugës, siç është edhe shumimi i pakontrolluar. Dënimet e vogla nuk i frikësojnë dhe nuk i zmbrapsin pronarët e qenve që të mos i braktisin kafshët dhe të mos i shumojnë ato në mënyrë të pakontrolluar. Sterilizimi i kafshëve shtëpiake që mbahen në shtëpi me zgjidhjen ligjore të tanishme nuk është i detyrueshëm, edhe pse është një nga themelet e pronësisë së përgjegjshme“, thonë nga AUV.

Në zgjidhjen e re ligjore AUV propozon para se gjithash rritjen e dënimeve me çka do të ndikohej në ngritjen e vetëdijes te qytetarët për kujdesin e përgjegjshëm. Për kujdes joadekuat të kafshës shtëpiake është paraparë dënim prej 400 eurosh, ndërsa për keqtrajtimin ose vrasjen e kafshës dënim prej 5.000 eurosh. Ndryshimet duhet ta rregullojnë edhe çështjen e regjistrimit të mbarështueseve të qenve, por edhe ruajtjen e qenve me aftësi riprodhuese.

Qen endacakë në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qen endacakë në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe nga Ministria e Bujqësisë janë të mendimit se problemi me kafshët e rrugës në vendin tonë është pasojë e më shumë faktorëve dhe se korniza ligjore ekzistuese siguron bazë për veprim, por se ekziston hapësirë për avancimin dhe saktësimin e saj të mëtejshëm. Ndryshimet kyçe, sipas tyre, duhet të jenë të orientuara drejt vendosjes së një sistemi më efikas për përmirësimin e gjendjes dhe trajtimi e kafshëve të rrugës.

“Nevojitet një avancim shtesë i sistemeve për identifikim, regjistrim dhe kontroll, me qëllim përballjen më efikase me sfidat“, thonë nga Ministria e Bujqësisë.

Por, një vit më pas, projektligjin ende nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.

Teksti i projektligjit është dorëzuar për harmonizim pranë Ministrisë kompetente të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, gjë që e konfirmuan edhe nga Ministria, por në fillim të majit në opinion u përhap informacioni se ka problem mes të dyja institucioneve rreth miratimit të ligjit të ri.

Nga AUV atëkohë pretendonin se pas gjashtë muajve përgatitje dhe konsultimesh me më shumë palë të përfshira dhe institucione projektligjin e kishin dorëzuar në Ministri, nga ku thanë se një projektligj i tillë nuk u është dorëzuar. Keqkuptimi u tejkalua në një takim të nivelit më të lartë mes të dyja institucioneve, kështu që tani si nga AUV ashtu edhe nga Ministria konfirmojnë se në këtë moment po punohet në harmonizimin e zgjidhjes së projektligjit, por pa precizuar se kur mund të hyjë në procedurë parlamentare.

Vetëm një ligj efikas është zgjidhje

Por, edhe nëse miratohet ligji i ri, të gjithë janë të një mendimi se element kyç do të jetë zbatimi i tij.

“Miratimi i një zgjidhjeje të re ligjore nuk do ta rregullonte problemin gjersa nuk ndryshon qasja e zbatimit të tij. Pa kontrolle më të rrepta, si dhe pa dënime reale për shkelësit, ne do të vazhdojmë të numërojmë në vend“, tha Atanasova nga klinika veterinare “Pet Vitality“.

Për drejtorin e NP “Llajka“ çështja kyçe nuk është nëse do të miratohet ligj i ri, por nëse do mundet të zbatohet në mënyrë efikase.

“Edhe ligji i shkruar më së miri nuk do të japë rezultate nëse institucionet nuk kanë kapacitete, burime dhe mekanizma të mjaftueshëm për zbatimin e tij. Zgjidhja nuk duhet të kërkohet vetëm tek tekstet e reja ligjore, por te krijimi i një sistemi funksional që do të sigurojë zbatimin e tyre të plotë“, tha Dimitrovski.

Për aktivistët si Jordanovska dhe Boshkovska, nuk nevojitet vetëm ligj në letër, por ligj për të cilin do të ketë garanci se mund të zbatohet në terren. Pa zbatim sistemik dhe kontroll, shtojnë ata, rrezikohet që ai të bëhet vetëm edhe një dokument pa efekt real.

E përderisa po përgatitet ligji i ri, e ai i vjetri nuk zbatohet, Teadora dhe Irena së bashku me miqtë e tyre Marija, Niko, Kalina, Damjan, Nadja, Jakov, morën pjesë në bazarin e dytë të gjësendeve të përdorura në kafe-barin “Makka“, përmes të cilit do të ndihmojnë për sterilizimin e maceve të rrugës. Për to zgjidhja nuk mund të presë edhe një procedurë tjetër institucionale.

“Ndoshta do të mbledhim para vetëm për një mace, por edhe një mace mjafton për të filluar t’i ndryshojmë gjërat, sidomos kur shohim se asnjë institucion nuk kujdeset për to“, thotë Teadora.