BDI dhe VLEN përplasje për gjuhët: Akuza për moszbatimin e shqipes dhe futjen e serbishtes në Kumanovë

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VLEN kanë shkëmbyer akuza për përdorimin e gjuhës shqipe dhe futjen e gjuhës serbe në përdorimin zyrtar të Komunës së Kumanovës. Derisa BDI thotë me VLEN-in në pushtet po bëhet shkeljen flagrante të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, VLEN kërkon llogari pas publikimit të djeshëm të një dokumenti q sipas tyre dëshmon se pikërisht BDI-ja, në vitin 2010, “kur ishte në kulmin e pushtetit, votoi për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës”, transmeton Portalb.mk.

“Rasti i djeshëm, ku Ministri i Shëndetësisë, z. Azir Aliu, promovoi një mbishkrim në kuadër të një departamenti të Institutit për Shëndet Publik vetëm në gjuhën maqedonase, është dëshmi e qartë e nëpërkëmbjes së gjuhës shqipe dhe e shkeljes me të dyja këmbët të ligjit në fuqi. Për ironi, në të njëjtin institucion, gjatë kohës së qeverisjes së Bashkimit Demokratik për Integrim, mbishkrimet ishin vendosur në dy gjuhë, në përputhje me ligjin dhe me frymën e barazisë institucionale”, thonë nga BDI.

Ata kanë dërguar dy, për të cilat thonë se “opinioni publik mund ta shohë qartë dallimin”: si është tani nën këtë qeveri dhe si ishte “në kohën kur BDI kujdesej për zbatimin e ligjit dhe respektimin e gjuhës shqipe në institucionet publike”.

“BDI rikujton se Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe detyrues: mbishkrimet në institucionet publike duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe. Prandaj pyesim publikisht: çfarë duhet të ndodhë më shumë që vazalët shqiptarë në Qeveri të ndalojnë duartrokitjet dhe të reagojnë? Sa herë duhet të shkelet gjuha shqipe që ata ta kuptojnë se heshtja e tyre është bashkëfajësi? Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë ta denoncojë çdo përpjekje për degradimin e të drejtave të shqiptarëve dhe çdo shkelje të ligjit që garanton barazinë gjuhësore në vend”, thonë nga kjo parti.

Nga ana tjetër VLEN ka vazhduar me kërkimin e përgjegjësisë për çështjen e ngritur dje, ku publikuan një dokument, që sipas tyre, BDI ka lejuar përdorimin zyrtar të serbishes në Kumanovë.

Dokumenti që sipas VLEN, BDI votoi për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës
Dokumenti që sipas VLEN, BDI votoi për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës

“Kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumentit që dëshmon se pikërisht BDI-ja, në vitin 2010, kur ishte në kulmin e pushtetit, votoi për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës. Deri më tani, BDI nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë fakt. Nuk e mohuan dokumentin. Nuk e mohuan vendimin. Nuk e mohuan votën e tyre. Zgjodhën heshtjen. Dhe në politikë, heshtja është pranimi më i mirë i së vërtetës. Kur faktet janë kundër tyre, BDI ikën nga debati. Kur dokumentet flasin, ata ndërrojnë temë. Kur shqiptarët kërkojnë përgjigje, ata ndërrojnë temën. Prandaj, ua shtrojmë sërish publikisht pyetjen. Pse BDI e mbështeti zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë? Pse për këtë çështje kishte zell, votë e vullnet, ndërsa për hallet e shqiptarëve kishte vonesa e pengesa dhe punë të lëna përgjysmë? Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta, jo deklarata boshe dhe patriotizëm sezonal. BDI hesht, sepse dokumenti flet. Dhe kur dokumenti flet, propaganda nuk pi më ujë. Dokumenti ekziston, ndërsa BDI ende nuk ka guxim të përballet me të”, tha Afan Elezi -VLEN.

Ndryshe, paraprakisht, Bashkimi Demokratik për Integrim publikoi dokumente nga Agjencia e Kadastrës të cilët, siç pohonin, hapin dyshime serioze për marrëdhëniet pronësore dhe biznesore midis ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe drejtorit aktual të NOMAGAS-it, Nedim Rama, të cilin partia opozitare e akuzon se ka përfituar kapital të konsiderueshëm pronësor dhe financiar derisa ka qenë i punësuar në Komunën e Çairit si këshilltar i Izet Mexhitit. Nga VLEN-i reaguan duke i hedhur poshtë si të pavërteta informatat që sot BDI-ja i prezantoi për gjoja lidhshmërinë pronësore të Ganiut me Ramën.