2023 po mbaron por rruga te Kazerma e Tetovës nuk është asfaltuar siç u paralajmërua (Video)

Pavarësisht se u paralajmërua se do të asfaltohet në vitin 2023, rruga afër Kazermës së Tetovës dhe nën Stadiumin e Vjetër vazhdon të mbetet e harruar nga autoritetet. Nga viti 2024 na ndajnë më pak se dy muaj ndërkaq në terren nuk ka punime për këtë rrugë. Banorët të cilët me dekada e presin këtë rrugë i kanë humbur shpresat, ndërkaq Komuna e Tetovës hesht, shkruan Portalb.mk.

Rruga prej rreth 450 metrash mbi Kazermën e Tetovës që lidhet edhe me bulevardin “Bllagoja Toska” mbetet në gjendje kritike, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë. E njëjta lidh këtë bulevard me lagjen “Drenovec” në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë.

Fundvitin e kaluar banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë, nga Komuna aso kohe u tha se asfaltimi i rrugës është në plan për vitin 2023. Ndërkaq në fillim të korrikut të vitit 2032 Sektori për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës theksoi se ishte në përfundim të projektit për këtë rrugë dhe se me punë planifikohej të fillohej pas muajit korrik-gusht. Por, kjo nuk është bërë deri më tani.

Portalb.mk. vizitoi këtë lokacion dhe pamjet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët aspak të hijshme.

Banorët që jetojnë aty kërkojnë zgjidhje sa më parë.

“Me vite jemi kështu të harruar, rruga është katastrofë, sidomos tash kur do fillojnë reshjet dhe bora këtu bëhet e gjitha baltë, i kemi humbur shpresat. Problem është sa të duash, gropa, baltë nuk e di, të vjen gjynah të kalosh me veturë. Kërkojmë zgjidhje nuk e meritojmë këtë”, tha një qytetar.

“Nuk na merr askush parasysh, kanë thënë se këtë vit do e rregullojnë rrugën po nuk e di, ja edhe një muaj hyjmë në Vitin e Ri punët nuk janë askund. Pastaj do arsyetohen se moti është i keq hajt vitin tjetër dhe kështu do zvarritet prapë”, tha një qytetar tjetër.

Sektori për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës nga 1 nëntori ka udhëheqës të ri, e kontaktuam atë përmes emailit, mesazhit dhe thirrjes në telefon, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk na u përgjigj në asnjë rast.

Ndryshe, në pjesën mbi këtë rrugë ekziston deponi me mbeturina të ndryshme. Në korrik të vitit 2023 nga Komuna e Tetovës njoftuan se deponia do të pastrohet pasi të asfaltohet rruga, që deri më tani asnjëra nuk është bërë.