Trençevska pretendon se prapa protestave të pensionistëve qëndron VMRO-DPMNE

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, deklaroi se pas organizimit të protestave të pensionistëve fshihen prapavija politike, gjegjësisht se ato nuk janë aspak reagim spontan, por se pas tyre qëndron partia – VMRO-DPMNE. Këtë pohim ajo e bëri në paraqitjen e sotme mysafire në programin e mëngjesit të televizionit Radio Televizionit Maqedonas, transmeton Portalb.mk.

Trençevska tha se dyert e ministrisë janë të hapura për çdo qytetar dhe kërkesat e Bordit iniciativ do të shqyrtohen. Ajo dje pati takim me përfaqësuesit e Bordit Iniciativ të pensionistëve të cilët protestuan në Shkup për pensione më të larta.

Ministrja informoi se sot do të mbahet takim me Lidhjen e Pensionistëve të Maqedonisë, si organ legjitim i përfaqësimit të pensionistëve dhe do të hapet diskutimi për kërkesat e pensionistëve protestues, si dhe për çështje të tjera.

Është legjitime të protestohet, kurse çështja e rritjes lineare është kategori kushtetuese, thotë Trençevska. Ajo shtroi një pyetje, nëse minimumi 18.000 është i drejtë për të gjithë pensionistët, nëse kemi parasysh se shumica e pensionistëve me pension minimal kanë përvojë pune më të shkurtër, ndërsa pjesa tjetër që marrin rreth 20.000 denarë kanë përvojë më të gjatë pune dhe të barazojnë kontributin e tyre me ata që nuk kanë përvojë të njëjtë.

Ajo theksoi edhe një herë se me masat populiste, si rritja lineare e pensioneve, do të vihet në pikëpyetje stabiliteti i sistemit të pensioneve. Trençevska tha gjithashtu se kjo Qeveri është e orientuar të krijojë politika që sigurojnë një fond pensional stabil, pensione të rregullta që do të vazhdojnë të paguhen para kohe.

Ministrja theksoi se çdo mars dhe shtator pensionet janë të përafruara me këtë metodologji dhe se nga viti 2022 e deri më tani pensioni është rritur për 24 përqind. Ajo theksoi se ende nuk mendon se pensioni minimal është i lartë, por sipas rregullimit të fundit nga 9.000 denarë do të rritet për rreth 4.000 denarë, gjegjësisht do të jetë mbi 13.000 denarë.

Trençevska gjithashtu apeloi deri te komunat që në kuadër të kompetencave të tyre, pasi krijojnë masa për kategoritë e cenueshme, të krijojnë masa për pensionistët që kanë pensione më të ulëta. Për këtë qëllim, në komuna janë themeluar këshilla social që mund të propozojnë masa për qytetarët në bashkësitë e tyre lokale.

Ministrja iu referua pensioneve në rajon dhe tha se krahasuar me vendet fqinje, si vend jemi diku në mes. Domethënë në Serbi pensioni minimal është 10.841 denarë, kurse pensioni mesatar është 19.866 denarë. Në Kroaci me vendim të Qeverisë bartet shuma me të cilën shumëzohen vitet e shërbimit, pra 11.19 euro shumëzuar me vitet e shërbimit. Në Mal të Zi pensioni minimal është 280 euro, kurse në Greqi 411 euro.