Trençevska: Është e padrejtë të barazohen pensionet e personave që kanë 15 vjet dhe atyre me 40 vjet përvojë pune

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trenchevska, deri në fund të vitit pret të gjendet një zgjidhje e duhur për harmonizimin e pensioneve. Ajo sot deklaroi se në takimet me Bordin iniciativ të pensionistëve të Maqedonisë dhe me Lidhjen e shoqatave të pensionistëve, është rënë dakord që çështja e pensionit minimal të zgjidhet përmes grupit punues, transmeton Portalb.mk.

“Takimi edhe me Bordin inicues edhe me Lidhjen e Pensionistëve ka qenë konstruktiv, kemi dëgjuar kërkesat. Në seancën e djeshme të Qeverisë ramë dakord që unë si ministre e Punës dhe Politikës Sociale të dorëzoj informacion me të cilin do të formojmë grup punues për të vazhduar me atë që e lamë për shkak të pushimeve verore, që është çështja e pensionit minimal, pra ndryshimet në ligjin për pensionet, ku do të përcaktojm masë për pensionin minimal në shtet, por në përputhje me gjithçka që nënkupton stabilitetin e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor dhe çfarë do të thotë kapaciteti i shtetit për sa i përket implikimeve fiskale”, tha Trençevska.

Ajo informoi se nga shtatori pensionistët presin korrigjim të ri të pensioneve, ndërsa përqindja e saktë e rritjes do të dihet këto ditë pasi Ministria të marrë informacion nga Enti Shtetëror i Statistikave.

“Ne jemi ulur të punojmë, do të udhëheqim dialogun dhe mendoj se deri në fund të vitit do të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme, natyrisht duke ndjekur shembujt e vendeve të tjera, se si të përcaktohet pensioni minimal në vend”, tha ministrja.

Lidhur me kërkesat e disa pensionistëve të adresuar në protestën e djeshme, Trençevska tha se pensioni minimal prej 18.000 denarë është “joreal”, sepse paga minimale ka qenë rreth 20.000 denarë.

Ministrja theksoi se duhet të merret parasysh stabiliteti i Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, ndërsa shumat e tilla do ta rëndonin atë.

Pensionet janë kategori ekonomike, shtoi ajo, dhe shuma e tyre varet nga sa investojmë në sistemin pensional gjatë viteve të punës.

“Është e padrejtë të barazosh personat që kanë 15 vite shërbim dhe personat që kanë 40 vite punë, sepse me 40 vite punë, absolutisht me kontributin tënd në sistemin e pensioneve, nëpërmjet kontributeve, pret të kesh një pension më të madh. Ata pensionistë që aktualisht marrin pension minimal, shumica e tyre kanë 15 vite punë”, shtoi Trençevska.

E pyetur për rritjen e moshës për pensionim, Trençevska u përgjigj se deri më tani nuk është diskutuar për një gjë të tillë, por fokusi ishte te “pensionet më të mëdha në kontekst të krizës ekonomike dhe energjetike”.