PD sot zhvillon protestë por policia s’ka dhënë leje, ministrja e MPB-së: Kush shkel ligjin, do procedohet penalisht
Partia Demokratike e Shqipërisë do të zhvillojë sot në orën 18:00 një protestë kombëtare para Kryeministrisë, pavarësisht se Policia nuk ka dhënë miratimin për zhvillimin e saj, transmeton Rtsh.ala.
Lidhur me këtë situatë reagoi ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila theksoi se protesta është një e drejtë kushtetuese, por duhet të zhvillohet në përputhje me ligjin.
“Ne e kemi thënë shpeshherë, protestat janë e drejtë kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore”, u shpreh Koçiu.
Sa i përket mosmiratimit nga Policia e Shtetit, ministrja sqaroi se vendimi lidhet me precedentët e dy protestave të kaluara.
“Patjetër që kjo është një procedurë e lidhur drejtpërdrejtë me dy protestat e kaluara, duke pasur në konsideratë veprimet e dhunshme që janë kryer në dy protestat e kaluara. E drejta për të tubuar dhe manifestuar është e kujtdo”, deklaroi ajo.
Koçiu nënvizoi se Policia e Shtetit ka për detyrë ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe është e angazhuar maksimalisht për këtë qëllim.
“Si të jetë protesta me leje apo pa leje, kushdo që kryen një veprim i cili dënohet ligjërisht, patjetër që bën klasifikimin e veprës dhe është policia, e prokuroria në varësi dhe të veprimeve që kryhen”, tha ministrja.
Ajo paralajmëroi se çdo shkelje e ligjit do të ndiqet penalisht. “Në çdo rast kushdo që kryen një veprim të paligjshëm procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi”, përfundoi Koçiu.
Koçiu u ka bërë thirrje drejtuesve të tubimit të distancohen nga aktet e dhunës. Ajo u kërkoi gjithashtu, që të mos përfshijnë të miturit në protesta e të mos i shfrytëzojnë për të kryer akte të dhunshme.
Gjithashtu, ministrja bëri me dije se ka urdhëruar hetim sa i përket përdorimit ose jo të një bombule gazi të skaduar.