Pasion apo biznes

Walter Scott-i e krahasoi jetën me lojën e futbollit. Berthold Brecht-i e krahasoi futbollin me teatrin, sepse konflikti mbetet i hapur deri në fund të lojës. Ernesto Sabato e quajti lojë miqësore dhe universale, që shpesh i ngjan baletit.

Futbolli ishte më joshës, derisa nuk flitej vetëm për shitblerje lojtarësh; kur skuadrat dhe kombëtaret dallonin për lojërat specifike: Italia shquhej për lojën mbrojtëse; Brazili për lojën kreative dhe të bukur, Argjentina për lojën e shpejtë; Gjermania për disiplinën dhe lojën vetëmohuese; Anglia për lojën me pasime të gjata dhe në ajër…

Futbolli i sotëm është më i shpejtë, luhet në terrene shumë të mira, me rekuizita super moderne, por është bërë më shumë biznes sesa sport. Më me pasion luhet në ligat amatore dhe atë të grupmoshave.

Përbotësimi e ndryshoi edhe futbollin, duke ia humbur larminë. Kombëtaret më nuk e shprehin shpirtin dhe karakterin e kombeve. Në Ligën e Kampionëve më nuk luajnë vetëm ekipet kampione të vendeve të tyre. Disa herë është ndryshuar sistemi garues për çështje biznesi dhe jo për shkak të futbollit. Lojtarët më shumë i kushtojnë rëndësi pagës e dukjes dhe shpesh humbin në tatuazhe. Tifozët nuk duan të besojnë se futbolli elitar është biznes; se lojtarëve më nuk u kërkohet ta shprehin talentin e tyre, por të vrapojnë sipas urdhrave të trajnerëve, me përjashtim të disa lojtarëve jashtëserikë.

“Futbolli është bërë një nga bizneset më fitimprurëse në botë, i organizuar jo për lojë, por për ta penguar atë… Për fat të mirë, në fushë ende mund të shihni ndonjë horr të paturp, i cili lë mënjanë skenarin dhe bën gabimin e driblimit duke kaluar të gjithë ekipin kundërshtar, gjyqtarin dhe turmën në tribuna, të gjitha për kënaqësinë mishtore të përqafimit të aventurës së ndaluar të lirisë”, shkroi Eduardo Galeano.

Nuk më pëlqen as “VAR”-i, sepse futbolli është i bukur edhe për shkak të gabimeve njerëzore. Ndeshja Argjentinë – Marok në Olimpiadën e Parisit ishte marrëzi. Pas dy orësh lojtarët u rikthyen në fushë, sepse kështu “vendosi” teknologjia. A po vjen koha kur futbollistët do të thirren me urgjencë që ta vazhdojnë lojën, sepse ka pasur një defekt teknologjik? Kush e adhuron teknologjinë le të merret me video – lojëra.

Sporti e shpreh edhe gjendjen e padukshme në një shoqëri. Ndeshja e Maksimirit në vitet 90-të, ishte një paralajmërim për shpërbërjen e shtetit shumëkombësh jugosllav. Në atë kohë kurdiseshin ndeshjet, fituesi përcaktohej paraprakisht, kurse ajo që nuk thuhej në media, shpërthente në stadium. Atmosfera më e zjarrtë ishte në stadiumin e Prishtinës, ku tifozët i shprehnin edhe qëndrimet kundër regjimit.

Gazetari polak Jakub Olkiewicz, që ra pre e paragjykimeve, shkroi se futbolli mund të bëhet armë e rrezikshme edhe në luftën politike të bazuar në propagandë. Ai veçoi inkuadrimin e shpejtë të klubeve të Krimesë në ligën ruse, shkroi për ndeshjet Dinamo – Crvena Zvezda dhe Serbi – Shqipëri, por edhe për klubet Shkëndija, Zrinjski dhe Borac, të lidhur me kombet e tyre.

Por futbolli ka edhe ndikim pozitiv në shoqëritë e rëna në ligështim. Gjatë krizave ekonomike e morale, kombet gjallërohen pas suksesit të kombëtareve të tyre, sepse fitojnë vetëbesim dhe arrijnë të shënojnë përparime edhe në sferat tjera shoqërore.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.