Urtësia botërore (II)

Weltklugheit nënkupton shkathtësinë për të lundruar nëpër natyrën njerëzore, nëpër dinamikat sociale dhe rrethanat e jetës. Ajo fokusohet tek përshtatshmëria, largpamësia strategjike dhe inteligjenca emocionale. Maturia ka të bëjë me arritjen e përfitimit dhe suksesit personal, ndërsa morali: me të vepruarit nisur nga detyra universale. Nga ana tjetër, Moralität është veprimi sipas detyrës morale dhe ligjit moral universal, jo sipas interesit. Ai bazohet në imperativin kategorik. Është i pavarur nga rezultati ose përfitimi. Shënjon atë çfarë duhet bërë, jo atë që sjell dobi. Vlen për të gjithë njerëzit në mënyrë universale. Weltklugheit  të mëson si “si të jesh i suksesshëm në botë” (praktikë, interes, zgjuarsi), kurse Moralität të orienton si “si të jesh i drejtë” (detyrë, parim, universalitet). Weltklugheit  identifikohet me logjikën e suksesit, kurse Moralität, me atë të detyrës morale.

Urtësia botërore ka të bëjë me përvojën, strategjinë dhe interesin. Synon suksesin, përfitimin, përshtatjen me situatat.  Lidhet me pyetjen si të arrish atë që dëshiron në jetë. Nuk është domosdoshmërisht morale. Ekziston edhe dallimi mes ‘mençurisë së librave’ (Schulklugheit) dhe ‘mençurisë së jetës’ (Weltklugheit): e para e bën njeriun intelektual, por është e dyta ajo që e bën atë të urtë dhe të suksesshëm në jetë, botë. Njeriut nuk i mjafton vetëm dituria, duhet të jetë edhe “i dalët”, dmth duhet të jetë syhapur, të ketë kaluar nëpër sprova të përditshmërisë që të mund të notojë si duhet në dallgët e oqeanit të jetës. “Dalshmërisë” ndryshe i thonë edhe “të kesh sherr”, të mos jesh naiv.

Në filozofinë kantiane, një veprim mund të jetë shumë “i zgjuar” (Weltklugheit), por megjithatë të mos jetë njerëzor nëse nuk përputhet me ligjin moral. Sot nëse nuk je i zgjuar dhe nëse nuk e ke të zhvilluar këtë shkathtësi, njerëzit tallen, të përçmojnë dhe mbetesh në marginat e shoqërisë. As vetëm librat me shkollën, as vetëm virtytet nuk të mjaftojnë për t’u vetërealizuar nëse nuk e ke të zhvilluar këtë aftësi të rëndësishme dhe thelbësore për të lundruar në kompleksitetet e qytetërimit njerëzor. Nuk mjafton të jesh i kënduar, duhet të jesh edhe mendjehapët, të strateg dhe i përgatitur për dinamikat e botës njerëzore. Duhet të jesh edhe “i rrahur me vaj e me uthull”, “street smart”, përvojëmadh, të njohësh psikologjinë e masës dhe dinamikat sociale jashtë zyrave apo librave. Pa këtë ndjenjë të shkelin, të bllokojnë, s’mund të ecësh as të përparosh në jetë. Weltklugheit është e rëndësihme edhe për individët, për grupet, institucionet, madje edhe për shtetet. Në fund të theksojmë se botëetika nuk është një kalk i qëlluar për të përkthyer këtë term gjerman, ngase në librin në fjalë më tepër ka të bëjë me gjindshmërinë e shteteve në kontekstin e realpolitikës ku mbizotëron formula “çdokush kundër çdokujt”. Sadoqë duket larg vlerave morale, ajo na mbron karshi halabakëve dhe të pacipëve në jetën sociale dhe në politikën globale.

 

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.