Evropa përgatitet për botën e re

Një dekadë nga votimi për Brexit-in dhe gati gjashtë vjet nga largimi zyrtar i Britanisë së Madhe nga BE-ja, shtetet evropiane anëtare të unionit dhe të NATO-s, po përshtaten në botën e re.

Që nga largimi i Britanisë së Madhe, pothuajse të gjitha institucionet financiare janë zhvendosur në Gjermani e Poloni. Aspektet politike e të sigurisë vazhdojnë po ashtu të kalojnë në duar të Gjermanisë dhe Polonisë.

Megjithëse Berlini dhe Varshava po bëhen dy shtete nga të cilat Evropa varet në luftërat e ardhshme me Rusinë, ashtu si më parë ku Habsburgët ishin të varur nga Polonia në luftën me osmanët, sot investimet strategjike nënujore dhe ngritja e aleancave shihet si domosdoshmëri.

Në kohën tonë, diskutimi pas Luftës së Ftohtë ka qenë nëse NATO-ja do të vazhdojë të ndihmojë shtetet anëtare në rast emergjence humanitare dhe të një sulmi, gjë që ka qenë e vërtetuar dhe e mundur si në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë etj., por në gjendjen aktuale, nenet 4 dhe 5 të NATO-s në zona të caktuara të Evropës në të ardhmen do të jenë shumë të vështira të aktivizohen. Tani të zbresim në një teren më aktual. por që ka lidhje me të kaluarën e Evropës dhe perandorive përreth në kontekst të Samit të NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7-8 korrik.
Një javë më parë Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së Pete Hegseth në Bruksel gjatë një takimi më zyrtarë të lartë të shteteve anëtare të aleancës u tregua i ashpër me partnerët evropianë.

Kjo tregon për paraqitjen e një pikëpyetje të madhe amerikane në angazhimin e tyre ndaj aleatëve në Evropë e më gjerë.

Kështu të mërkurën që lamë pas, pesë nga shtetet anëtare më të fuqishme evropiane të NATO-s ndryshe të njohura si E5, zhvilluan bisedime të nivelit të lartë në Berlin.

Germania, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Polonia kanë biseduar për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, rolin e Evropës në zgjidhjen e konfliktit me Iranin etj.

Ndërsa shekuj më parë kur Perëndimi dhe Perandoria Osmane ishin të ndarë, me një bashkëpunim të kufizuar dhe ndonjëherë të ndërprerë përshkak të konflikteve të njëpasnjëshme, tani gjithnjë e më shumë duket në horizont bashkëpunimi ushtarak për të mbushur vakumin ose hapësirën e ShBA-së që po lë në Evropë me përshtatjen e trupave të tyre ushtarake dhe ndikimin ekonomik.

A mund të gjejnë shtetet evropiane, anëtarët e NATO-s dhe Turqia një mënyrë për t’iu kundërvënë Kinës dhe Rusisë në fusha të tjera, të tilla si kabllot nënujore dhe shumë më tepër, ku kundërshtarët e Perëndimit dhe të Turqisë kanë interes të dëmtojnë fuqitë e dikurushme dhe të tashme? Kjo është një pikëpyetje e madhe pasi Kina tashmë ka bërë një revolucion të madh në këtë drejtim, në ngushticat përreth në Paqësor dhe në ishujt që ajo i zotëron.

Siç dihet, pjesa më e madhe e internetit mbështetet në kabllot nënujore. Kush do të dominojë këtë fushë, në fakt do të sundojë botën në dekadat që vijnë.

Kjo njëherit na kujton thënien e Sir Halford Mackinder (1861-1947) me teorinë e tij të Heartland-it. Shtetet evropiane kanë investuar 5.8 milionë euro për të siguruar këto linja jetësore kritike në Detin Balltik dhe Mesdhe.
Sipas një njoftimi të BE-së e cila synon t’i forcojë qendrat rajonale, BE-ja mund të ndalojnë kërcënimet e mundshme në kohë reale në qoftë se i mban aktive këto qendra bashkë me modernizimin e cila duhet të mbështetet me mjete financiare.

Sipas një raporti të publikuar në Balticwind, BE-ja ka ndarë 533 milionë euro për projektet e kabllove nënujore.
Nga viti 2021 deri në 2024 janë investuar 420 milionë euro. Në shkurt të 2026-ës, Komisioni Evropian (KE) shtoi edhe 347 milionë euro të tjera për projekte strategjike të kabllove.

Në këtë drejtim, Turqia dhe Polonia që po bëhen fuqi të padiskutueshme rajonale e globale, do të duhet t’i rrisin kapacitetet e tilla për t’i konkurruar jo vetëm shtetet evropiane që kanë traditë në këtë fushë, po edhe më gjerë.
Njëherit do t’i bënte të barabartë dhe rivale me E5-ën ashtu si dikur në Mesjetë dhe më pas.

Samiti në Ankara, gjithashtu do të nxjerrë në dritë edhe dallimet e mundshme të vetë aleatëve të NATO-s me dëshirat për tu ri-grupuar në fuqi për tu përshtatur e ripërshtatur në botën e re të tërheqjes selektive amerikane.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.