Pas Tetovës, edhe Komuna e Çairit shpalli ditë zie për ndarjen nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi

Pas Tetovës, sot ditë zie u shpall edhe në Komunën e Çairit. Në mbledhjen e 4-të të jashtëzakonshme të Këshillit të kësaj komune, u miratua vendimi për shpalljen dite zie të ditës së sotme, 1 dhjetor 2025, në territorin e komunës së Çairit, transmeton Portalb.mk.

“Ky vendim pasqyron pikëllimin dhe respektin e thellë të komunitetit tonë për humbjen e papritur të këngëtarit Shpat Kasapi, një artist i dashur që la gjurmë të veçanta në skenën muzikore shqiptare”, thuhet në njoftimin e Komunës së Çairit.

Të martën, më 2 dhjetor 2025, në ora 13:00, në Teatrin Shqiptar në Shkup do të organizohet mbledhje komemorative, ku së bashku me qytetarët, miqtë dhe artdashësit do të shprehim nderimin për veprën dhe kontributin e tij. Po ashtu, libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur nga e marta deri të premten, në teatër, për t’u mundësuar të gjithëve të lënë mesazhin e tyre të ngushëllimit.

Vendimi për ditën e zisë hyn në fuqi ditën e publikimit në Fletën Zyrtare të Komunës së Çairit.

Ditë zie sot është edhe në Komunën e Tetovës.

Ndryshe, këngëtari i ndjerë Shpat Kasapi sot (30 nëntor) u përcoll me homazhe për te varrezat e qytetit të Tetovës, ku u varros në prani të shumë dashamirëve nga gjithë trojet shqiptare.

Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40 vjeçare më 26 nëntor në Itali.