Në varrezat e qytetit të Tetovës iu dha lamtumira e fundit këngëtarit Shpat Kasapi

Familjarë, miq dhe kolegë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën sot në Pallatin e Kulturës në Tetovë për t’i dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit të njohur tetovar, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, shkruan Portalb.mk.

Motra e Shpat Kasapi, Jehona Kasapi, në fjalën e saj tha se është shumë e vështirë ti gjej fjalët që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjen.

“Sot me zemër të thyer jemi mbledhur këtu për të dhënë lamtumirën e fundit, vëllait tim dhe tuajit, Shpatit. Është shumë e vështirë të gjej fjalët që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjej, sepse kjo humbje nuk është e thjeshtë por është një humbje e një pjese të shpirtit e një zëri të mrekullueshëm që na ka shoqëruar gjithë jetën”, tha Kasapit.

Ministria e Kulturës e Kosovës, ka shprehur ngushëllime për vdekjen në moshë të re të artistit, Shpat Kasapi.

Përmes një telegrami ngushëllimi, ministria thotë se vdekja e Shpat Kasapit ka prekur zemrat e të gjithëve.

“Shpat Kasapi, me zërin e tij, me punën dhe me prezencën artistike, arriti të bashkonte publikun anembanë trojeve shqiptare dhe të krijonte një lidhje të veçantë me artdashësit. Kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm dhe kujtimi për të do të jetojë gjatë”.

“Në emër të Ministrisë së Kulturës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve, bashkëpunëtorëve të tij, si dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e vlerësuan artin e tij”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Bilall Kasami Kryetar i Komunës së Tetovës tha se humbja e hershme e Shpatit, nuk është humbje vetëm për familjarët e miqtë, por për gjithë Tetovën.

“Unë vetëm dua të them se ndoshta më shumë vlen thënia që, Perëndia i merr pranë vetes ata që më së shumti i do, për më shumë që ndoshta kjo botë e padrejtë nuk e meritonte Shpatin dhe Zoti e mori më herët nga se e pritëm”, theksoi Kasami.

Komuna e Tetovës shpalli ditën e hënë, 1 dhjetor 2025, ditë zie. 

Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe Kryetari i Bashkimit Demokratik Ali Ahmeti, së bashku me qindra qytetarë që erdhën për të nderuar kujtimin e artistit.

Kolegët që erdhën nga të gjitha viset shqiptare, me lot në sy kujtuan momentet e bukura që kaluan me Shpatin.

Këngëtarja Big Mama u shpreh para të pranishmëve se pikërisht në skenën e Pallatiti të Kulturës ajo dhe Shpati dolën sëbashku, ishte vendi ku mësuan të marrim frymë si fëmijë dhe si artistë.

“Në këtë skenë, pikërisht këtu ku unë dhe Shpati kemi filluar për herë të parë bashkë, sot po këtu në skenë që për ne dy nuk ishte vetëm skenë por vendi ku morëm frymë për herë të parë si fëmijë, si artisë, ku ndamë ëndrrat dhe rritëm talentin shpresat dhe miqësinë tonë”, tha Big Mama.

Pas mbledhjes komemorative në Shtëpinë e kulturës, familjarët shokët miqtë dhe gjithë ata që e njohën, përcollën atë në varrezat e Tetovës.