Osmani në Forum për Dialogun Strategjik RMV-ShBA: Morëm mbështetje të fuqishme nga Departamenti i Shtetit 

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot mbajti fjalim në Forumin për Dialogun Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të organizuar nga Asociacioni i Alumnit Maqedono-Amerikan, transmeton Portalb.mk.

“Morëm mbështetje të fuqishme politike nga Departamenti i Shtetit në drejtim të realizimit të projekteve të planifikuara, duke pasur parasysh se ato do të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të proceseve demokratike, forcimin e institucioneve, inkurajimin e proceseve të reformave, madje edhe në garantimin e progresit të përgjithshëm të vendit”, tha ministri.

Ai theksoi se Dialogu Strategjik është shndërruar në platformë serioze, qëllimi i së cilës është avancimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve me plan konkret të aktiviteteve, respektivisht projekteve konkrete për bashkëpunim në mbrojtje, ekonomi, arsim, transport, energji, mbi ndryshimet klimatike, zhvillimin demokratik, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, tregtinë dhe fusha të tjera.

Në forumin në të cilin morën pjesë Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Ageler, si dhe Kryetarja e Shoqatës së Alumnit Maqedono-Amerikan, Verica Jordanova, Osmani iu referua bashkëpunimin arsimor.

“Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time të madhe për mbështetjen e SHBA-së për bursa të shumta për disa programe shkëmbimi akademik, profesional dhe kulturor, si: Fulbright; Hubert H. Humphrey; Kennedy- Lugar Youth Exchange and Study; Benjamin Franklin Transatlantic Summer Institute, si dhe programe që mundësojnë përsosje studimore në institucionet arsimore në ShBA”, tha Osmani duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në programin Open World, si një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe marrjen e njohurive dhe kontakteve të reja.

Më 2 qershor të vitit të kaluar, në Uashington, Osmani dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, lançuan Dialogun, duke e bërë kështu Maqedoninë e Veriut vendin e parë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që e filluan këtë proces të rëndësishëm.

Kujtojmë se më 25 tetor, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në seancën e Qeverisë, prezantoi Raportin e parë për statusin e realizimit të projekteve nga Plani i Veprimit në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që mbajti Dialog Strategjik me ShBA-në më 2 qershor të vitit të kaluar, në Uashington. Me këtë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve u ngritën në një nivel më të lartë, duke forcuar partneritetin strategjik dhe aleancën e kahershme mes dy vendeve. Në kuadër të takimit të parë të Dialogut Strategjik, u përcaktuan disa fusha me rëndësi kryesisht dypalëshe, por edhe me interes rajonal dhe global. Si fusha kryesore për bashkëpunim u theksuan: iniciativat rajonale; mbrojtja dhe siguria; lidhjet midis njerëzve; bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i së drejtës; tregtia dhe investimet etj.

Qëllimi i Dialogut Strategjik është që nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë të forcojë kontributin e ShBA-së në kuadër të zbatimit të agjendës së reformave të brendshme, forcimin e progresit dhe zhvillimit demokratik të vendit, rritjen e nivelit të sigurisë, ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve, si dhe realizimin e interesave reciproke të të dy vendeve nga perspektiva rajonale dhe globale.