Nuk kanë të ndalur ankesat e studentëve ndaj MASh-it për mos hapjen e konviktit në Tetovë
Pakënaqësitë dhe ankesat e studentëve për moslëshimin në përdorim të konviktit studentor në Tetovë nuk kanë të ndalur. Studentët që janë pranuar në konviktin e Tetovës dhe që kanë nënshkruar kontratat me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për Portalb.mk ankohen se MASh-i nuk u jep informacion për atë se kur do të lëshohen në përdorim konvikti, si rezultat ata duhet të udhëtojnë dhe të shpenzojnë shumë para, por edhe të gjejnë zgjidhje tjera banimi derisa konvikti të jetë gati, e që nuk dihet se kur do lëshohet në përdorim.
Të udhëtojnë çdo ditë për në universitet ose të banojnë te familjarët apo miqtë, kjo është mëdyshja e studentëve, të cilëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u jep detaje konkrete se kur do të munden t’i vendosin valixhet, në dhomat e tyre.
Një studente për Portalb.mk thekson se është munduar ta kontaktojë MASh-in me email por pa sukses. Ajo gjithashtu tregon se edhe ministri i Arsimit ia ka lënë sms-në “seen”.
“Gjithashtu i kam shkruar sms ministrit të Arsimit që para disa ditëve u lavdëronte, por pa suksese, vetëm i lexon mesazhet dhe asgjë. Jam e detyruar të udhëtoj çdo ditë ku shpenzimet ditore shkojnë deri në 1000 denarë dhe tani bëni llogarinë ju se sa kap shifra për tre javë. Kjo punë shkon duke u zvarritur, së paku të na japin datat kur do lëshohet në përdorim që nëse zgjat edhe më tepër të shikojmë opsione tjera. Orari i ligjëratave shkon ndonjëherë deri pas orës 19:00, tash bëni llogaritë se kur do arrin një studente në shtëpi nëse duhet t’i kalon mbi 100 kilometra rrugë. Turp”, tha studentja.
Një studente tjetër theksoi se nga mungesa e konviktit, studentët detyrohen të udhëtojnë dhe harxhojnë shumë para.
“Edha java e tretë mbaroi, kur ishim të nënshkruajmë kontratën na thanë maksimumi dhjetë ditë, mirëpo edhe ata dhjetë ditë kaluan. I kemi liruar edhe banesat me shpresën se do të futemi në konvikt, kemi mbetur, të udhëtosh çmimi është shumë i shtrenjtë”, tha një studente.
Para dy ditësh, Portalb.mk bisedoi edhe me disa studentë të tjerë të cilët alarmuan për të njëjtat probleme.
Për moslëshimin në funksion të konviktit, dje reaguan nga Forumi Rinor Lëvizjes Besa, ata theksuan se përfundimi dhe vendosja në funksion i këtij objekti vazhdon të mbetet premtim i rremë dhe ëndërr e parealizuar për çdo student shqiptarë.
Në lidhje me zvarritjen e punimeve për konviktin në Tetovë, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) për Portalb.mk ka theksuar se Ministria e Arsimit ka treguar neglizhencë totale ndaj nevojave të studentëve.
Ditën e enjte, drejtori i konviktit studentor në Tetovë, Tushi Dervishi për Portalb.mk tha se punimet janë në fazë përfundimtare, ku kanë mbetur disa punë teknike dhe se beson që së shpejti do të fillojë me punë konvikti.
“Datë nuk kam, por së shpejti, sot isha shikova punimet, në fazë përfundimtare janë, besoj se së shpejti do të hapet”, tha Dervishi.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), para disa ditëve për Portalb.mk theksoi se pasi konvikti të fillojë me punë, studentët që janë në listën e kandidatëve të pranuar që aplikuan në konkurs, do të mund të akomodohen menjëherë.
Në këtë konvikt janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.
Deri më tani në këtë konvikt, sipas të dhënave nga rezultatet e konkursit në ueb-faqen e MASh-it janë pranuar 33 studentë të vitit të parë dhe 49 studentë nga viti i dytë e lartë.
Ndërkaq në konkursin e MASh-t thuhej se pranimi në këtë konvikt do të jetë me kusht, pra nëse konvikti do të sigurojë kushte për punë deri më 1 tetor 2023.
Konvikti studentor në Tetovë u promovua vazhdimisht nga qeveritarët si nga ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, zëvendësministri i Arsimit, Agim Nuhiu, por edhe nga zëvendëskryeministri, Artan Grubi se do të jetë gati për vitin e ri akademik i cili filloi më 1 tetor, por kjo nuk u bë.
Për këtë konvikt janë bërë maratonë premtimesh.
Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.
Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë.
Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, edhe kjo nuk u bë.
Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.
Premtimi më i fundit ishte se konvikti do të lëshohej në përdorim në fillim të tetorit të këtij viti për vitin akademik 2023/24, megjithatë nuk u bë.
Konvikti u formalizua më 22 gusht me vendim të Qeverisë.
Përndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.
- LEXO: Konvikti i Tetovës gati, pritet të lëshohet në përdorim për studentët këtë semestër
- LEXO: U formalizua themelimi i konviktit të Tetovës, pritet të lëshohet në funksion në tetor
- LEXO: Çfarë do të ndodh me studentët nëse Konvikti i Tetovës nuk do jetë gati? MASh pa përgjigje, FNA: Në rrugë
- LEXO: Konkursi për konvikte i MASh-it: Në konviktin e Tetovës pranimi me kusht – nëse konvikti do sigurojë kushte pune deri në tetor
- LEXO: “Konvikti i Tetovës i gatshëm për këtë vit akademik” – do të ketë konkurs të veçantë pranimi, paralajmëroi Shaqiri