MASH u bë e “gjallë”, Shaqiri premtoi datë të re për studentët e lënë jashtë konviktit të Tetovës

1 nëntori është afati i ri i premtuar nga ministri i Asrimit, Jeton Shaqiri për hapjen e dyerve të konviktit të Tetovës. Deklaratat dhe premtimet për konviktin e ri zvarriten me vite të tëra, ndërkaq studentët e pranuar në të ka një muaj që enden rrugëve për të gjetur akomodim. Ata nuk ishin të informuar nga MASh-i se kur do të hapet konvikti, shkruan Portalb.mk.

“Studentët e pranuar në Konviktin shtetëror për studentë “Tetovë” nga 1 nëntori do të akomodohen në hapësirat më moderne që ndonjëherë ndonjë konvikt i ka pasur në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Këtë e vendosëm bashkërisht në takimin që e realizuam me drejtorin e konviktit Ajetali Dervishi”, informoi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.

Ai ftoi studentët të cilët janë në listë por ende nuk kanë nënshkruar kontratat, ta bëjnë atë deri në fund të muajit që të evitohen problemet plotësuese.

Javën e fundit, pakënaqësitë dhe ankesat e studentëve për moslëshimin në përdorim të konviktit studentor në Tetovë nuk kishin të ndalur.

Studentët që janë pranuar në konviktin e Tetovës dhe që kanë nënshkruar kontratat me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për Portalb.mk ankoheshin se MASh-i nuk u jep informacion për atë se kur do të lëshohen në përdorim konvikti, si rezultat ata duhet të udhëtojnë dhe të shpenzojnë shumë para, por edhe të gjejnë zgjidhje tjera banimi derisa konvikti të jetë gati.

Në këtë konvikt janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.

Deri më tani në këtë konvikt, sipas të dhënave nga rezultatet e konkursit në ueb-faqen e MASh-it janë pranuar 33 studentë të vitit të parë dhe 49 studentë nga viti i dytë e lartë.

Ndërkaq në konkursin e MASh-t thuhej se pranimi në këtë konvikt do të jetë me kusht, pra nëse konvikti do të sigurojë kushte për punë deri më 1 tetor 2023.

Konvikti studentor në Tetovë u promovua vazhdimisht nga qeveritarët si nga ministri i Arsimit, Jeton Shaqirizëvendësministri i ArsimitAgim Nuhiupor edhe nga zëvendëskryeministri, Artan Grubi se do të jetë gati për vitin e ri akademik i cili filloi më 1 tetor, por kjo nuk u bë.

Për këtë konvikt janë bërë maratonë premtimesh.

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti. Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë.

Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Premtimi më i fundit ishte se konvikti do të lëshohej në përdorim në fillim të tetorit të këtij viti për vitin akademik 2023/24, megjithatë nuk u bë.

Konvikti u formalizua më 22 gusht me vendim të Qeverisë.

Përndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.