Ministrat u lavdëruan se konvikti në Tetovë do fillojë me punë me 1 tetor, por konvikti nuk është lëshuar në përdorim ende për studentët

Në fillim të kësaj jave filloi viti i ri akademik për studentët e Universitetit të Tetovës, por konvikti studentor nuk u lëshua në përdorim ashtu siç ishte paralajmëruar nga ana e autoriteteve për më 1 tetor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) arsyetohet se konvikti do të hapet së shpejti, pa treguar se kur konkretisht, shkruan Portalb.mk.

Konvikti studentor në Tetovë u promovua vazhdimisht nga qeveritarët si nga ministri i Arsimit,  Jeton Shaqiri, zëvendësministri i Arsimit, Agim Nuhiu, por edhe nga zëvendëskryeministri, Artan Grubi se do të jetë gati për vitin e ri akademik, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur, viti i ri akademik filloi në fillim të kësaj jave, ndërkaq konvikti nuk u lëshua në përdorim.

Sot nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk thonë se konvikti do të hapet së shpejti, por pa treguar se kur konkretisht.

“Konvikti studentor  në Tetovë do të hapet së shpejti. Për momentin janë duke përfunduar aktivitetet përfundimtare përgatitore për fillimin dhe funksionimin me sukses të institucionit, pas së cilës studentët që janë në listën e kandidatëve të pranuar që aplikuan në konkursin e publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, do të mund të akomodohen menjëherë”, thanë nga MASH duke mos dhënë detaje të tjera se pse deri tani nuk është lëshuar në funksion konvikti.

Për mos lëshimin në funksion të konviktit në fillim të vitit akademik, nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) për Portalb.mk thonë se nuk ka asgjë të habitshme, sipas tyre ky është vit i ri akademik dhe mundësi e re për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për të dëshmuar edhe një herë se janë të paaftë për t’ju dalë ballë nevojave të studentëve.

“Për të treguar neglizhencë totale ndaj kërkesave të tyre, qofshin ato më baziket, siç është konvikti studentor. Ne si organizatë paralajmëruam kohë më herët për rrezikun që ky konvikt të mos jetë gati as këtë vit akademik, që edhe një vit tjetër akademik studentët e Tetovës të rrjepen financiarisht nëpër banesa private”, thanë nga FNA.

Konvikti shumë i premtuar i Tetovës më 22 gusht me vendim të Qeverisë edhe u formalizua.

Në këtë konvikt janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.

Maratonë premtimesh për konviktin studentor

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.

Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Ndërkaq premtimi më i fundit është se konvikti do të lëshohet në përdorim në fillim të tetorit të këtij viti për vitin akademik 2023/24, megjithatë nuk u bë. Tani MASH thotë se i njëjti do të lëshohet në përdorim së shpejti pa dhënë datë konkrete.

Përndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.