Një video e vjetër pretendon në mënyrë të rreme se ushtria izraelite po evakuon aeroplanët luftarakë

Videoja është regjistruar para përshkallëzimit të fundit të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Kontrolli ynë tregoi se është filmuar në shtator, në distriktin jugor të Izraelit dhe nuk ka lidhje me sulmin e fundit të Hamasit ndaj Izraelit, siç pretendon në mënyrë të rreme postimi, shkruan Vërtetmatësi.

Një postim në rrjetin social Facebook pretendonte se ushtria izraelite kishte evakuar avionët e saj luftarakë pas sulmit nga Hamasi të shtunën, më 7 tetor. Kjo nuk është e vërtetë, videoja e bashkangjitur postimit është regjistruar para sulmit të kryer nga Hamasi.

Ushtria izraelite po evakuon në panik aeroplanët e saj luftarakë, për shkak të depërtimit të shpejtë të palestinezëve. Dhe kapja e bazave ushtarake, thuhet në postim.

Më 7 tetor, grupi militant palestinez Hamas nisi një sulm ushtarak ndaj Izraelit, duke pretenduar se kishte lëshuar 5000 raketa në vend. Në përgjigje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte “në luftë” dhe u zotua se grupi “do të paguante një çmim të paprecedentë”.

Në mes të këtij konflikti, imazhe dhe video të vjetra dhe të paverifikuara po shpërndahen nëpër mediat sociale, duke pretenduar se përshkruajnë ngjarjet e fundit.

Kështu në rrjetin social Facebook është shpërndarë një video në të cilën pretendohet se tregon se si ushtria izraelite evakuon bazën ajrore, pra aeroplanët luftarakë afër Rripit të Gazës pas sulmit. Në video shihet një kryqëzim i frekuentuar ku kalojnë disa makina. Dy kamionë që transportonin avionë luftarakë mund të shihen në kryqëzim dhe dy tabela rrugore që shihen në video tregojnë emrat e dy vendeve – Ar’ara Banegev dhe Arad.

Por pavarësisht pretendimit se videoja tregon evakuimin e avionëve luftarakë izraelitë, ajo është ende e vjetër dhe nuk ka lidhje me sulmet e fundit në Izrael.

Një kërkim imazhi i fotove nga videoja tregon se është postuar më 15 shtator 2023. Disa përdorues të rrjetit social X (ish Twitter) ndanë një version më të gjatë të videos me mbishkrimin: “Dy avionë luftarakë F-16 u panë duke u transportuar me transport tokësor në Izraelin jugor”. 

Kjo video është një version më i gjatë i një videoje të shpërndarë në postimin që po shqyrtojmë, e cila tregon kamionin që mban aeroplanët luftarakë duke u kthyer në një kryqëzim dhe më pas duke u larguar. Krahasuam dy videot dhe identifikuam të njëjtat numra në avionë dhe në tabelën e drejtimit. Krahasimi konfirmon se videot tregojnë të njëjtën situatë. Vendndodhja e tabelave në video, Ar’ara Banegev dhe Arad, janë dy qytete në distriktin jugor të Izraelit.

Sipas raporteve të mediave izraelite, Forcat Ajrore izraelite zhvilluan një stërvitje ushtarake në bashkëpunim me Greqinë më 13 shtator për të përgatitur ushtrinë për një sulm të mundshëm ndaj Iranit dhe objekteve të tij bërthamore. Gjatë stërvitjes, dhjetëra avionë luftarakë, aeroplanë spiunazhi dhe aeroplanët për furnizim me karburant fluturuan disa mijëra kilometra drejt Greqisë.

Sipas të gjitha fakteve konkludojmë se video është regjistruar para përshkallëzimit të fundit të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Provat që gjetëm konfirmojnë se është filmuar në distriktin jugor të Izraelit dhe nuk ka lidhje me sulmin e fundit në Izrael, siç pretendon në mënyrë të rreme postimi.