Anashkalimi i gjuhës shqipe në tabelën te Mega Parku i Butelit, reaguan këshilltarët e AKI-së dhe VLEN-it

Pas raportimit të Portalb.mk për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën informuese të Mega Parkut në Butel të Shkupit, sot kanë reaguar këshilltarët e AKI-së nga opozita dhe VLEN-it nga pushteti, të cilët kërkojnë vendosjen e mbishkrimit edhe në gjuhën shqipe në këtë tabelë.

Këshilltari i AKI-së në Komunën e Butelit, Armend Murseli, në një paraqitje për media kërkoi që institucionet kompetente të ndërmarrin masa për largimin e tabelës aktuale njëgjuhëshe dhe zëvendësimin e saj me një tabelë ku emërtimi “Oaza e Butelit” do të jetë i shkruar edhe në gjuhën shqipe, krahas gjuhës maqedonase.

“Si këshilltarë të Komunës së Butelit dhe të Qytetit të Shkupit, kërkojmë që të ndërmerren masa të menjëhershme për largimin e tabelës aktuale njëgjuhëshe dhe zëvendësimin e saj me një tabelë të re, ku mbishkrimi “Oaza e Butelit” do të jetë edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase”, deklaroi Murseli.

Ai njëkohësisht iu drejtua edhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, duke kërkuar që në kuadër të kompetencave të tyre ta shqyrtojnë rastin dhe të ndërmarrin masa për zbatimin e ligjit.

Edhe grupi i këshilltarëve komunalë të VLEN-it në Komunën e Butelit ka reaguar lidhur me këtë çështje. Përmes një reagimi të bërë publik nga këshilltari komunal Usein Ramadani, ata njoftuan se kanë dorëzuar kërkesë deri te Komuna e Butelit për vendosjen e mbishkrimeve në gjuhën shqipe në Mega Parkun që u promovua ditë më parë në këtë komunë.

“Sot dorëzuam kërkesë zyrtare për vendosjen e mbishkrimit edhe në gjuhën shqipe në Mega Park, si dhe për respektimin e dygjuhësisë në të gjitha tabelat, sheshet, rrugët dhe hapësirat publike ku këtë e parasheh ligji”, thuhet në reagimin e grupit të këshilltarëve të VLEN-it në Butel.

Ndryshe, Portalb.mk dje raportoi se tabela informuese në Mega Parkun e Butelit është vendosur vetëm në gjuhën maqedonase. Lidhur me këtë çështje, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk, ndërsa nga NP “Parqe dhe Gjelbërime” sqaruan se ndërmarrja ishte angazhuar vetëm për rregullimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe se vendosja e tabelave informuese nuk ka qenë në kompetencën e saj.

Kujtojmë se, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë 14.095 shqiptarë nga gjithsej 37.968 banorë, që përbëjnë rreth 37 përqind të popullsisë rezidente. Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në komunat ku së paku 20 përqind e qytetarëve flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja, ajo gjuhë dhe alfabeti i saj janë në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedonase.

Ky nuk është rasti i parë i mosrespektimit të gjuhës shqipe. Edhe më herët janë evidentuar raste të ngjashme, ndërsa institucionet janë arsyetuar se bëhet fjalë për lëshime teknike që do të korrigjohen.