Pas dështimeve të mëparshme, projekti për zgjerimin e rrugës “Cvetan Dimov” përsëri në “skenë”

Në Këshillin e Qytetit të Shkupit është miratuar vendimi për bashkëpunim ndërkomunal me Komunën e Çairit për realizimin e projektit të zgjerimit dhe rregullimit të Bulevardit “Cvetan Dimov” — një nga arteriet më kritike të qarkullimit që lidh komunën me qendrën e Shkupit. Kështu njoftuan kreu i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski dhe ai i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, transmeton Portalb.mk.

Ky projekt, i premtuar për dekada, tashmë siç thanë ata, ka kaluar fazën konceptuale dhe po përgatitet për realizim praktik. Komuna e Çairit ka marrë përsipër përgatitjen e dokumentacionit projektues dhe urbanistik, ndërsa Qyteti i Shkupit do të sigurojë financimet për zbatimin dhe eksproprimin e pronave sipas planit.

“Morëm vendim në Këshillin e Qytetit dhe deri në fund të vitit planifikojmë të fillojmë procedurën për realizimin e Bulevarit Cvetan Dimov, i cili premtohet prej 15-20 vitesh. Komuna e Çairit do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, pjesën teknike, ne do ta realizojmë projektin bazë. Në periudhën e ardhshme, ekipi i Qytetit të Shkupit, në koordinim me Komunën e Çairit, dhe para se të jetë gati projekti ne do të fillojmë shpronësimi i zhvendosjes që të mos humbim kohë. Në të kaluarën shumë nga projektet që janë nisur, disa edhe me 15-20 vjet nuk mund të realizoheshin pasi qeveritë e kaluara nuk kishin mjaftueshëm angazhim në pjesë e shpronësimit. Kështu është rasti me bulevarin Boris Trajkovski. Që mos kemi probleme të tilla tani hyjmë para kohe për t’i zgjidhur marrëdhënie pronësore dhe juridike. Kur t’i zgjidhim do të hapim procedurë tenderuese. Zgjidhja e vetme në Cvetan Dimov është zgjerimi që duhet ta bëjmë”, tha Gjorgjievski.

Mexhiti gjithashtu tha se po punohet intensivisht që ajo që duhet bërë për katër vite, të bëhet që në vitin e parë.

“Ka kaluar në Këshillin e Qytetit, është paraparë në buxhet, po  punohet intensivit, fillimisht me fazën e eksproprimit. Atë që e kemi premtuar për katër vite, si duket në Çair do t’i realizojmë në vitin e parë”, tha Mexhiti,

Në të kaluarën, ky projekt ka hasur në vështirësi për shkak të tërheqjes së fondeve nga Qyteti i Shkupit për pagesat e borxheve të mëparshme, gjë që e shtyu fillimin e punimeve.

Gjatë vitit 2024 një muaj pasi kryetari i atëhershëm i Çairit, Visar Ganiu tha se me Danella Arsovskën nuk kanë komunikim dhe bashkëpunim për këtë projekt, Komuna e Çairit tha se 2,3 milionë eurot për projektin e zgjerimit të rrugës “Cvetan Dimov” apo të njohur si rruga e “Jahja Pashës”, Qyteti i Shkupit i ka tërhequr dhe i ka dedikuar për mbulimin e obligimeve Qytetit ndaj Ministrisë së Financave.  Nga Qyteti i Shkupit thanë atëkohë se paratë kanë kanë qenë lëndë e përmbarimit për shkak të borxheve nga udhëheqësia paraprake e qytetit në krye me Petre Shilegovin.

Problemi me kaosin në rrugën “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” prej kohësh parashihet të zgjidhet me projekt të përbashkët mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, por ky bashkëpunim deri më tani në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Ky problem shumëvjeçar, nuk ka arritur të zgjidhet edhe gjatë mandatit të kryetarit paraprak të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, i cili gjatë orës policore në bashkëpunim me komunën, vendosi një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Muri, sipas paralajmërimit ishte zgjidhje e përkohshme, por zgjidhja e tillë nuk është ndryshuar, ndërkaq kaosi vazhdon, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune.

Tekstet paraprake për rrugën “Cvetan Dimov”: