Pas ankesës anonime tre gjykatës nga Këshilli Gjyqësor i rishqyrtojnë lëndët e gjykatësit të 350 mijë eurove Gjoko Ristov
Pas një ankese anonime nga “këshilltarë gjyqësorë që kanë punuar me gjykatësin” , Këshilli Gjyqësor ka hyrë në Gjykatën e Apelit Shkup për të rishqyrtuar lëndët e dyshimta të përmendura që i ka trajtuar gjykatësi në arrest shtëpiak, Gjoko Ristov, mëson SDK nga gjykata. Në ankesë janë përmendur dyshime për korrupsion, si dhe për punë joprofesionale dhe të pakujdesshme, transmeton Portalb.mk.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, dje deklaroi se nuk ka pasur ankesë kundër Ristovit nga kolegët e tij.
Ankesa anonime e marrë që në nëntor të vitit të kaluar ka qëndruar për dy muaj në sirtar.
Ajo u vendos në rend dite para dy javësh, në seancën e 534-të të Këshillit. Për pikat e rendit të ditës është përgjegjës kryetari i Këshillit Gjyqësor, në këtë rast Aleksandar Kambovski.
Siç ka snjoftuar SDK më heret, personat e kanë dorëzuar ankesën shumë përpara arrestimit të Ristovit, përkatësisht para se Prokuroria dhe MPB-ja t’i gjenin atij 350.000 euro në mur, me prejardhje të panjohur dhe të fshehur.
Në një pyetje të gazetarëve , Kambovski tha se nuk mund të tregojë se sa ankesa ka pasur për Ristovin dhe përsëriti se nuk ka pasur ankesë nga kolegët e tij.
Këtë ankesë e referoi anëtarja e Këshillit, Pavlina Crvenkovska. Në incizimin e kthyer nga kanali në YouTube, në minutën e 35-të ajo thotë:
“Ankesa numër 341. Me këtë ankesë, si parashtrues anonimë, Këshillit Gjyqësor i janë drejtuar këshilltarë gjyqësorë të punësuar që punojnë me një gjykatës të caktuar në Gjykatën e Apelit, lidhur me veprimet e tij dhe, sipas njohurive të tyre, në lëndët e përmendura në ankesë. Ata vlerësojnë se bëhet fjalë për punë joprofesionale dhe të pakujdesshme.”
Në parim, emrat e gjykatësve të tillë janë anonimë, por Crvenkovska dhe Kambovski i drejtohen menjëherë koordinatorës së gjykatës për ta hetuar denoncimin, dhe gjykatësja Antoaneta Dimovska merr fjalën. Dimovska është koordinatore e Gjykatës së Apelit Shkup.
Ajo kërkon që të formohet komision që të mos shkojë e vetme, sepse, siç thotë, ajo është gjykatëse civile, ndërsa bëhet fjalë për gjykatës penal. Ajo thekson se “bëhet fjalë për numër të madh lëndësh” dhe se, “duke marrë parasysh përmbajtjen e ankesës”, për lëndët e gjyqtarit të denoncuar duhet të shkojë një grup pune.
Jozyrtarisht, menjëherë është formuar komision i përbërë nga koordinatorja Dimovska, si dhe nga Danka Ristova dhe Xheneta Begtoviq.
Këto tri anëtare të Këshillit Gjyqësor po i shqyrtojnë në detaje lëndët e Ristovit, në të cilat ai ka qenë gjyqtar-raportues dhe në disa raste anëtar i trupit gjykues.
Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.
Më 20 janar, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”.
Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.
Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.
Avokati i gjykatësit ka deklaruar se paratë janë të prindërve të Ristovit.
Përveç bastisjes në shtëpinë e prindërve të tij, dy javë para saj është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.
Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.
Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.
Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.
- LEXO: Gjykatësi Gjoko Ristov dhe 350 mijë eurot në mur, karrierë nën hijen e dyshimeve
- LEXO: Avokati i Gjoko Ristov zotohet se prindërit e tij kanë shitur pronë fotovoltaikësh me vlerë 400 mijë euro
- LEXO: Prokuroria me detaje për Gjoko Ristov: Nuk është e besueshme mbrojtja se 350 mijë eurot e gjetura në mur nuk i përkasin gjykatësit
- LEXO: Avokati: 350 mijë eurot në mur nuk ishin të gjykatësit Gjoko Ristov, por të prindërve
- LEXO: MPB-ja ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit Gjoko Ristov për korrupsion dhe pastrim parash pasi u gjetën 350 mijë euro në mur
- LEXO: Prokuroria kërkoi arrest shtëpiak për gjykatësin Gjoko Ristov të cilit iu gjetën 350 mijë euro në mur, Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin
- LEXO: Në shtëpinë e gjykatësit të Shkupit u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur të cilat dyshohet se i fitoi me korrupsion
- LEXO: Ristov u bastis para dy javëve, e ndaloi përdorimin e telefonit dhe shkoi në pushim mjekësor, institucionet nuk tregojnë ku ndodhet
- LEXO: Nga gjykimi i çështjeve më të mëdha deri te 350.000 euro në mur, kronologjia e karrierës së Gjoko Ristovit