Nga gjykimi i çështjeve më të mëdha deri te 350.000 euro në mur, kronologjia e karrierës së Gjoko Ristovit
Gjykatësi Gjoko Ristov që nga viti 2020 është gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, ku gjatë viteve të fundit ka vendosur për disa nga çështjet më të mëdha dhe më të ndjeshme gjyqësore, në të cilat të akuzuar ishin politikanë, biznesmenë dhe persona me pushtet dhe ndikim të konsiderueshëm. Paralelisht me punën e tij, në Këshillin Gjyqësor kishte pasur ankesë me pretendime se disa lëndë mbaheshin në sirtar, ndërsa njëkohësisht kërkohej ryshfet për zgjidhjen e tyre, veçanërisht në rastet ku Ristovi ishte gjykatës-raportues, transmeton Portalb.mk nga Skopje1.
Një nga lëndët më të njohura në të cilat ka gjykuar edhe Ristovi është “Target–Fortesa”, rasti për përgjimin masiv të paligjshëm, në të cilin i akuzuar ishte Sasho Mijallkov. Me shfuqizimin e aktgjykimit të Gjykatës Penale, lënda u vjetërsua, gjë që rezultoi me mbylljen e saj pa një vendim gjyqësor të formës së prerë për atë se kush kishte përgjuar në mënyrë të paligjshme: politikanë, gazetarë, biznesmenë dhe qytetarë. Këshilli i Apelit, ku bënin pjesë edhe gjyqtarët Niça, Bexheti, Mileva dhe Çaçeva, kishte mundësi ta rihapte procedurën dhe të merrte vendim përfundimtar pa e kthyer lëndën në rigjykim. Lënda, sipas informacioneve të bëra publike, kishte qëndruar në sirtar për nëntë muaj, në një periudhë kur gjykatës-raportues ishte Enver Bexheti, i cili më vonë u shkarkua dhe u vendos në listën e zezë të SHBA-së.
Ristovi mori pjesë edhe në vendimmarrjen për paraburgimin e Mijallkovit në lëndën “Thesari”, së bashku me Bexhetin, ku u mor vendim që ai të lirohej, ndonëse më herët kishte qenë i pakapshëm për organet e ndjekjes. Bëhet fjalë për periudhën kur Mijallkovi deklaroi se kishte qenë i sëmurë dhe nuk e kishte parë se për dy ditë rresht po kërkohej.
Vendim për heqjen e paraburgimit ai mori edhe në rastin e ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, ku së bashku me gjyqtaret Lirie Elezi Ajrullau dhe Tanja Mileva u pranua garancia pasurore.
Me votën e Ristovit u finalizua edhe lënda “27 prilli”, ku Apeli e konfirmoi aktgjykimin, por i uli dënimet e shqiptuara. Të dënuarit edhe sot pretendojnë se janë dënuar padrejtësisht dhe kërkojnë rihapjen e procedurës.
Ristovi ishte gjykatës-raportues edhe në lëndën “TNT”, ku i dëmtuari Fijat Canoski e akuzoi publikisht se lënda mbahej qëllimisht në sirtar me qëllim që të vjetërsohej dhe të mos vinte deri te dëmshpërblimi për rastin “Kosmos”.
Në opinion bëri jehonë edhe informata se lënda për vdekjen e lehonës Maja Kadieva nga Dojrani dhe foshnjës së saj të porsalindur, në të cilën të akuzuar ishin dy gjinekologë, kishte qëndruar e pazgjidhur për tre vjet, ndërsa gjykatës-raportues ishte Ristovi. Aktgjykimi në Veles ishte marrë në vitin 2020, ndërsa Apeli, ku lënda i ishte ndarë Ristovit në maj të vitit 2023, mori vendim vetëm një javë para vjetërsimit, duke i shpallur të akuzuarit fajtorë.
Ristovi ka gjykuar edhe në lëndët “Metastaza” për keqpërdorime me pensione invalidore, “Izgrev” për keqpërdorime financiare me pronën e Kishës Ortodokse Maqedonase, si dhe “Albatros” dhe “Bumerang” për ryshfet te policët kufitarë. Në vitin 2012 ai kandidoi për kryetar të Gjykatës Penale, por humbi garën nga Vladimir Pançevski, ndërsa më pas, në vitin 2020, u bë gjykatës i Apelit. Zgjedhja e tij u votua njëzëri nga të 12 anëtarët, me shumë lavdërime për karrierën e tij.
Sot, Gjoko Ristov është i dyshuar për përfitim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, për të cilën ekzistojnë dyshime se është siguruar përmes veprimeve të korrupsionit dhe tregtimit me ndikim. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se gjatë një bastisjeje në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, në një hapësirë në mur, janë gjetur 350.000 euro, për të cilat ekziston dyshimi se janë fituar në mënyrë të paligjshme. Bastisjet dhe veprimet hetimore vazhdojnë.
Për momentin nuk ka informacion zyrtar nëse Ristovi është ndaluar dhe nëse do të kërkohet paraburgim. Në rast se propozohet një masë e tillë, Prokuroria do t’i paraqesë gjykatës propozim, pas së cilës Këshilli Gjyqësor do të duhet të vendosë për heqjen e imunitetit gjyqësor, si parakusht për paraburgim të mundshëm në Burgun e Shutkës.