Nën dyshime për korrupsion u arrestua Fehmi Stafa, ish-avokati i shtetit

Është arrestuar ish-avokati i shtetit të Maqedonisë së Veriut, Fehmi Stafa. Rastin e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku Stafa hetohet për veprën penale Pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm’, transmeton Portalb.mk.

Policia e konfirmoi se nëpunësit policorë me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i hoqën lirinë F.S.

“Në periudhën nga tetori deri më 13.12.2025, i dyshuari ka pranuar një shumë totale prej 50.000 eurosh për të ndërmjetësuar dhe për të shfrytëzuar ndikimin e tij real, me qëllim që të ndërhyjë te një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Shkup dhe, përmes ryshfetit ndaj gjyqtarit, të ndikojë që të kryhet një veprim zyrtar që nuk do të duhej të kryhej”, informoi Prokuroria.

Sipas tyre, i dyshuari kishte kërkuar 100.000 euro për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të caktuar ndaj një personi që është i paarritshëm për organet e ndjekjes penale dhe ndaj të cilit Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit zhvillon procedurë tjetër për vepra penale lidhur me financat publike, qarkullimit të pagesave dhe ekonomisë.

“ Më 06.10.2025 ai ka pranuar një pjesë të shumës së kërkuar, konkretisht 30.000 euro, të cilat ia ka dorëzuar motra e personit në arrati. Më 13.12.2025 ai ka kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt edhe 20.000 euro të tjera, si pjesë e ryshfetit që kishte kërkuar për t’ia dhënë gjyqtarit. Menjëherë pas pranimit të mjeteve monetare, i dyshuari është privuar nga liria dhe te ai janë gjetur paratë”, informoi Prokuroria.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, për shkak të të gjitha rrethanave që tregojnë rrezik nga arratisja, mundësi për kryerjen e veprave të reja penale ose ndikim në procedurë.

Stafa aktualisht është avokat. Ai është pjesë e mbrojtjes së një të akuzuari në rastin e tragjedisë në “Puls” në Koçan dhe ka komunikuar me gazetarët edhe si avokat i të arratisurit dhe të dyshuarit Lupço Pecov.

Ai e ka ushtruar funksionin e avokatit të shtetit nga gushti i vitit 2018 deri në gusht të vitit 2022, kur u shkarkua. Gjatë asaj periudhe, ai paraqiti kallëzim penal kundër drejtorit të Policisë Financiare dhe prokurorit publik të Shkupit lidhur me rastin “Trust” dhe konfiskimin e pasuksesshëm të pasurisë së sekuestruar të Sead Koçanit. U hetua gjithashtu edhe sjellja pasive e Avokaturës së Shtetit në mbrojtjen e pasurisë shtetërore të fituar me konfiskim.

Në opinionin publik ai u lidh edhe me rastin e dërgimit si konsull të Besmira Ejupit që nuk u realiza dhe e cila ishte e angazhuar me honorar në Avokaturën e Shtetit.

Pas largimit nga funksioni, ai ushtroi profesionin e avokatit dhe aplikoi për disa pozita në sistemin shtetëror. Së fundmi ishte kandidat për anëtar të Këshillit Gjyqësor.