Në shtëpinë e gjykatësit të Shkupit u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur të cilat dyshohet se i fitoi me korrupsion

Prokuroria për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka gjetur 350 mijë euro të fshehura në mur në shtëpinë e një gjykatësi të Apelit nga Shkupi, të cilat dyshohet se i përfitoi me korrupsion. Bëhet fjalë për gjykatësin Gjoko Ristov, raporton Portalb.mk.

Në kuadër të një hetimi të gjerë të Prokurorisë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i nisur pasi më 14 dhjetor kishte dyshime për një avokat për shkak të dyshimeve për vepër penale ‘marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, në vazhdimësi po ndërmerren veprime intensive që rezultuan me zgjerimin e procedurës edhe ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Apelit në Shkup, i dyshuar për ‘përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë’, për të cilën ekzistojnë dyshime se është siguruar, ndër të tjera, përmes veprimeve të korrupsionit dhe tregtimit të ndikimit.

“Në bazë të një urdhri që prokurori publik e kërkoi dhe e siguroi nga gjykata kompetente, sot u krye bastisje e detajuar në një lokacion në Negotinë, në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit tashmë të dyshuar, ku janë gjetur 350.000 euro, të fshehura në mur, në një hapësirë brenda tij, deri në këtë moment për të cilat ekzistojnë dyshime se janë përfituar dhe fshehur në mënyrë të paligjshme”, informoi Prokuroria.

Bastisjet dhe veprimet e tjera hetimore vazhdojnë, ndërsa publiku do të njoftohet për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.

Bëhet fjalë për një nga hetimet më të gjera deri më tani për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë në shtetin tonë, i cili mbështetet me informacione dhe njoftime nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.

“Veprimet e koordinuara nga prokurori publik po i ndërmarrin pjesëtarë të Departamentit për Luftë Kundër Krimit të Organizuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë Financiare, angazhimi dhe integriteti profesional i të cilëve kontribuoi në zbulimin e suksesshëm dhe sigurimin e provave për një nga format më serioze dhe më komplekse të kriminalitetit”, tha Prokuroria.

Nga Prokuroria nuk njoftuan se kanë kërkuar paraburgim për gjykatësin. 

Megjithatë, sipas ligjit një gjykatës nuk mund të dërgohet në paraburgim pa vendim të Këshillit Gjyqësor. 

Sipas procedurave, Këshilli Gjyqësor duhet urgjentisht të mbajë një seancë në të cilën do t’i shqyrtojë pretendimet e Prokurorisë dhe Policisë për gjykatësin dhe do të vendosë nëse do t’i hiqet imuniteti që e gëzon gjykatësi.  

Në Ligjin për Gjykatat (neni 65), në paragrafin 1 thuhet se gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit gjykatës gëzojnë imunitet, ndërsa në paragrafin 3 thuhet: 

“Gjykatësi nuk mund të ndalohet në paraburgim pa miratimin e Këshillit Gjyqësor, përveç nëse kapet duke kryer vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg prej së paku pesë vjetësh”.

Për këtë rast informoi edhe Policia Financiare dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Drejtoria e Policisë Financiare, informoi se në kuadër të kompetencave të saj ligjore, po i ndërmerr të gjitha veprimet hetimore me një nivel të lartë profesionalizmi dhe ligjshmërie, në bashkëpunim të ngushtë dhe efikas me institucionet kompetente, dhe mbetet plotësisht e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për raste komplekse që cenojnë sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucione. 

“Veprimet janë kryer nën udhëheqjen e Drejtorisë së Policisë Financiare, në koordinim me prokurorin publik kompetent”, tha Policia Financiare.

Ndërkaq MPB-ja informoi se “bastisjet dhe veprimet e tjera hetimore vazhdojnë, ndërsa opinioni do të njoftohet për rrjedhën e mëtejshme të procedurës”.

Raportohet se bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.

Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.

Sipas raporteve të fundit të Komisionit Evropian dhe Freedom House, pavarësia e gjyqësorit mbetet e ulët, ndërsa besimi i qytetarëve në gjyqësor ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 2% që nga pavarësia në 1991.