Pas 15 vitesh premtime nga zyrtarët, Struga po bëhet me pishinë të mbyllur (FOTO)

Më në fund struganët po bëhen me pishinë të mbyllur. Ndonëse për shumë vite me radhë premtime rindërtimin e pishinës së qytetit kishte si nga pushteti lokal edhe nga ai qendror, u deshën afër 20 vite që ky projekt të merr formë reale. Pishina e qytetit në Strugë ishte një problem dhe kërcënim serioz për qytetarët pasi objekti i cili ndodhet shumë pranë shkollës fillore ishte lënë në harrës duke u shndërruar në një strehë narkomanësh. Pishina e mbyllur në Strugë është projekt i Agjencisë për Rini dhe Sport dhe kap vlerën e 5 milion eurove, shkruan Portalb.mk.

Lajmi u bë i ditur para pak ditësh nga koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së në pushtet, Jovan Mitreki, i cili në rrjetin social Facebook ka shpërndarë fotografi nga ndërtimi i pishinës së mbyllur në Strugë.

“Pas të gjitha peripecive, punimet me pishinën e mbyllur janë drejt përfundimit për kënaqësinë e madhe të notarëve, vaterpolistëve, të gjithë sportistëve dhe të gjithë qytetarëve të Strugës…”, thuhet në mesazhin e Mitreskit.

Ndërtimi i pishinës së mbyllur në Strugë është projekt i Agjencisë për Rini dhe Sport. Për një kohë shumë të gjatë, objekti i rrënuar pishinës së qytetit, që ndodhet shumë pranë shkollës fillore “Vëllezërit Milladinoci”, ka qenë një strehë e narkomanëve. Premtime për zgjidhjen e këtij problemi serioz në zemër të qytetit për një çerek shekulli ka pasur si nga ana e pushtetit lokal ashtu edhe nga ai qendror. Nga viti 2015 ka pasur paralajmërime se do të fillohen punimet, madje dhe janë kontraktuar firmat ndërtuese, megjithatë punimet konkrete kanë dështuar.

Në vitin 2021, drejtori i Agjencisë për rini dhe sport Naumce Mojsoski, bëri të ditur për mediat se zyrtarisht kanë filluar punimet për ndërtimin e pishinës së mbyllur në Strugë dhe premtoi se projekti do të përfundojë brenda një viti. Në prononcimin e vitit 2020, Mojsoski deklaroi se kostoja e ri-ndërtimit të pishinës së mbyllur në Strugë kap vlerën e 5 milion eurosh.

Punimet për ndërtimin e pishinës akoma nuk janë finalizuar edhe pse janë drejt fundit. Në fotot e realizuar nga Portalb.mk mundet të shikoni gjendjen aktuale të pishinës.

Lajmi është pritur mirë nga struganët.

“Të them të drejtët më dukej paradoksale që unë në kohën tim, pra para më shumë se 30 vitesh, kisha pishinë të mbyllur në shkollë ku na mësonin notin dhe aktivitete tjera ujore, ndërsa fëmijët e mi në ditët e sotme nuk e kanë idenë se si është të kesh një pishinë të mbyllur në qytet”, deklaroi një nënë!.

“Jemi të lumtur që më në fund mbaroi makthi i pishinës. Pikë së pari ishte rrezik serioz për sigurinë e fëmijëve tanë të cilët kishin qasje të lirë në objektin e rrënuar të mbushur me shirnga narkomanësh dhe së dyti më vjen mirë që vajza im do ketë një vend ku do ta ushtrojë sportin e saj të preferuar, pra notin, gjatë gjithë ditëve të vitit”, tha një tjetër prind struganë.

Për temën në fjalë, Portalb.mk ka shkruar më herët, artikujt mundet ti lexoni artikujt më poshtë: