Çairi nuk mund të ndërtojë pishinë pasi Qeveria i ka dhënë objekt të lëshuar me qira deri në vitin 2049

Komuna e Çairit, me vendim të Qeverisë, prej 30 korrikut të vitit 2021 e ka marrë në përdorim objektin ku duhet të ndërtojë pishinë për qytetarët e komunës. Megjithatë, ky objekt ka dy kontrata aktive me subjekte të ndryshëm të cilët kanë të drejtë shfrytëzimi të tij, njëra deri në vitin 2035 dhe tjetra deri në vitin 2049. Andaj komuna, kërkon që të shfuqizohen marrëveshjet pasi që nuk mund të ndërmarrë asnjë aktivitet, shkruan Portalb.mk.  

Qeveria e Maqedonisë së Veriut para dy vitesh ia ka dhënë në përdorim të pakufizuar Komunës së Çairit objektin ku duhet të ndërtohet pishina për qytetarët e kësaj komune. Megjithatë në këtë objekt ka dy firma private të cilat kanë marrëveshje aktive me Ndërmarrjen Publike për Menaxhim me Objektet Sportive. Andaj, Komuna e Çairit pret vendim nga Qeveria për të gjetur zgjidhje, pasi që në të kundërtën nuk mund ndërmerr aktivitete për ndërtimin e pishinës.

Në Komunën e Çairit një objekt i pishinës së mbyllur, i cili është ndërtuar në kohën e komunizmit, gjegjësisht para më shumë se 40 vitesh, por mbi 20 vjet nuk është funksional dhe shfrytëzohet për biznese të ndryshme. Paraprakisht, aty ka funksionar një firmë për ndërtimin e dyerve dhe dritareve PVC, ndërkaq kohën e fundit shfrytëzohet si magazinë.

Ish pishina e vjetër në Çair, ku duhet të ndërtohet pishinë për të gjithë qytetarët
Ish pishina e vjetër në Çair, ku duhet të ndërtohet pishinë për të gjithë qytetarët

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, prej mandatit të parë, premton që aty do ta riaktivizojë funksionin e atij objekti, gjegjësisht sërish do ta bëjë pishinë, pasi që komuna me mbi 62 mijë banorë nuk kanë pishinë.

Ndërmarrja Publike për Menaxhim me Objektet Sportive: Qeveria nuk na ka pyetur 

Objekti në fjalë është nën kompetenca të Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Objektet Sportive të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për këtë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 30 korrik të vitit 2021, me vendim qeverie ia jep në shfrytëzim të pakufizuar Komunës së Çairit, me qëllim që ta ndërtojë pishinën e premtuar.

Megjithatë, Qeveria, para se ta miratojë vendimin nuk ka bërë verifikime për atë nëse objekti në fjalë është i pastër nga aspekti pronësor-juridik, gjegjësisht nëse është lëshuar në përdorim për ndonjë subjekt tjetër.

Problemi është që, para se të miratojë vendim Qeveria nuk ka kërkuar mendim nga ana jonë për çështjen e objektit”, thotë për Portalb.mk, Zoran Isajllovski, drejtor i NP për Menaxhim me Objekte Sportive.

Ai shton se e kanë njoftuar Komunën e Çairit që ta marrë objektin nën kompetenca të saj.

Sipas informatave nga burimet e Portalb.mk, dy kompanitë, kanë marrëveshje me NP për Menaxhim me Objektet Sportive në kohëzgjatje prej 30 vjet, gjegjësisht njëra deri në vitin 2035, ndërkaq tjetra deri në vitin 2049. Kjo i bie, që nëse komuna i merr përsipër kompetencat, do të duhet që të pret deri kur të skadojë afati i marrëveshjeve me qëllim që të ndërtojë pishinën.

Komuna e Çairit, foto: Suad Bajrami
Komuna e Çairit, foto: Suad Bajrami

Por, kjo për Komunën e Çairit është e papranueshme, ata kërkojnë që të ndërhyjë Qeveria për ta pastruar situatën, gjegjësisht, t’u dorëzohet atyre pa marrëveshje me palët.

“Komuna e Çairit me datë 19.04.2023 ka lëshuar Informatë për pishinën sportive Çair me propozim konkluzion deri tek Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që objekti në fjalë t’i jepet nën qeverisje faktike Komunës së Çairit, pa kontrata aktive për qiradhënie, gjegjësisht me kontrata aktive mes Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Objektet Sportive dhe subjektet qiramarrëse të hapësirave të objektit. Momentalisht presim mendimin dhe vendimin final të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që objekti në fjalë të na jepet nën menaxhim të plotë, të pastër nga kontratat e lidhura paraprakisht mes palët kontraktuese N.P. Menaxhimi me Objektet Sportive dhe Qiramarrësit. Në bazë të Planit Detal Urbanistik,  dedikimi i hapësirës së tokës është objekt sportiv për rekreacion – pishinë dhe ne si Komunë e Çairit jemi të interesuar që të investojmë dhe ta realizojmë dedikimin e planit dhe nevojën e qytetarëve të komunës tone”, thonë për Portalb.mk nga Komuna e Çairit.

Drejtori Zoran Isajllovski, nga ana tjetër, thekson se nuk mund të prishet marrëveshja pasi që subjektet private do ta padisin Ndërmarrjen për Menaxhim me Objekte Sportive.

“Nuk mund të prishet marrëveshja pasi që firmat do të kenë të drejtë të na padisin. Të vetmen zgjidhje e shoh që komuna ta marrë nën kompetencë objektin dhe firmat të paguajnë në Komunë për objektin, derisa t’u skadojë marrëveshja”, thotë Isajllovski.

Qeveria hesht

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e konfirmuan situatën dhe na informuan se janë duke punuar për ta zgjidhur situatën, megjithatë, pavarësisht se po presim më shumë se dy javë, nuk kemi një përgjigje të detajuar nëse do të arrihet marrëveshje me palët private për ta prishur marrëveshjen ose do ta prishin marrëveshjen në mënyrë të njëanshme, me qëllim që banorët e Çairit të mos presin ndërtimin e pishinës deri në vitin 2049.

Premtimet ndër vite për pishinën/at në Çair

Ndryshe, 62.586 qytetarë të Komunës së Çairit nuk kanë ende pishinë, pavarësisht se ndër vite autoritetet komunale dhe qendrore premtojnë se do të ndërtojnë hapësira ku qytetarët përveç që do të freskohen gjatë temperaturave të larta të verës, ato do të jenë edhe vend ku do të “shkëlqejë” sporti.

Premtimin e parë për ndërtimin e pishinës në Çair e ka dhënë Visar Ganiu në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të. Megjithatë, pishina nuk u ndërtua në mandatin e parë dhe Ganiu në mandatin e dytë sërish premtoi ndërtim të pishinave, kësaj radhe tre, dy për nxënësit dhe një për të gjithë qytetarët, i cili duhet të ndërtohet tek objekti i ish pishinave.

Megjithatë, deri më tani, as pishinat për nxënësit, por as pishina për të gjithë qytetarët nuk janë ndërtuar.