Partitë në RMV mblodhën 1,8 milionë euro në donacione për zgjedhjet, por si i shpenzuan ato?
Në llogaritë bankare zgjedhore të 10 koalicioneve dhe partive kryesore politike për zgjedhjet lokale u derdhën të paktën 1,8 milionë euro. Kjo shihet në raportet e para mbi financimin e fushatës zgjedhore të dorëzuara te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Raporti përfundimtar do të publikohet pas dy muajsh, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Në këto zgjedhje u shpenzuan 400 mijë euro më pak sesa paratë që u dhanë si donacion në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Partitë hapin llogari të veçanta për financimin e fushatave vetëm për këtë qëllim. Në këto llogari mund të depozitohen paratë nga buxheti i shtetit, të cilat u takojnë partive sipas ligjit e në varësi të numrit të votave të fituara në zgjedhjet e mëparshme, pastaj nga llogaritë e rregullta të partive, të cilat në fakt janë para që ato i mbledhin nga donacionet dhe nga pagesat për anëtarësim.
Analiza e kryer nga Radio Evropa e Lirë e dy raporteve të para të dorëzuara nga partitë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve tregoi se paratë në llogaritë zgjedhore të disa prej partive janë derdhur nga llogaritë e partive në të cilat donacione kanë bërë zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm, deputetë dhe kryetarë komunash, mjekë dhe drejtorë.
Por, një pjesë e partive në vend të pagesave për anëtarësim dhe donacioneve fushatën zgjedhore e kanë financuar me “para të fituara” nga buxheti i shtetit të marra nga zgjedhjet e mëparshme.
Transparenca e partive në lidhje me paratë e dhuruara, por edhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore, pa dallim nëse janë nga buxheti (rreth 60 përqind) apo nga donacionet dhe pagesat për anëtarësim, është e rëndësishme sepse këto janë para të qytetarëve që përdoren për promovimin e partisë. Edhe kur donacionet zyrtarisht vijnë nga individë ose kompani private, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet politike.
Sa i përket transparencës financiare të partive gjatë zgjedhjeve, ka një sërë vërejtjesh dhe rekomandimesh që nuk janë zbatuar nga bashkësia ndërkombëtare përmes vëzhguesve të tyre.
Maqedonia e Veriut tashmë ka përvojë dhe praktikë me dyshimet dhe akuzat për pastrim parash përmes fushatave zgjedhore dhe financimit të fushatave, siç ishte procesi gjyqësor kundër VMRO-DPMNE-së në vitin 2016 kur u akuzua për “pastrim parash” përmes llogarive zgjedhore dhe për parregullsi zgjedhore.
BDI dhe Aleanca për Shqiptarët i “riinvestuan” paratë shtetërore në fushatë zgjedhore
Koalicioni opozitar “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI) ka raportuar më shumë para në llogarinë e tij zgjedhore, gjithsej 760 mijë euro. Pjesa më e madhe e këtyre parave u janë derdhur nga buxheti i shtetit, të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët i morën nga shteti bazuar në numrin e votave të fituara në zgjedhjet e dyfishta të vitit të kaluar.
Për zgjedhjet VMRO-DPMNE-ja ka transferuar 690 mijë euro nga llogaria e partisë
I dyti në listën kryesore është koalicioni qeveritar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja “Për Maqedoninë tënde“, i cili në fushatën zgjedhore investoi të paktën 690 mijë euro në 12 llogari bankare nga donacionet. Për dallim nga koalicioni AKI raportet tregojnë se këto para vijnë nga depozitimet në llogarinë e partisë nga anëtarët e partisë, e që janë transferuar në llogarinë për zgjedhjet.
Një ndër donatorët më të mëdhenj të partisë është drejtori aktual i Drejtorisë së Zbatimit të Sanksioneve, Aleksandar Pandov, me një kontribut prej rreth 10 mijë eurosh. Nga donacioni i tij i partisë në llogarinë për fushatën zgjedhore janë transferuar vetëm 650 euro.
E ngjashme është situata me ish-futbollistin Igor Kralevski i cili ka bërë një donacion prej 6.500 euro për partinë, por vetëm 650 euro prej tyre janë depozituar në llogarinë zgjedhore.
Deputetët e shumicës qeverisëse si Antonio Milloshoski, Dragan Kovaçki, Dafina Stojanoska dhe Brane Petrushevski kanë dhuruar nga 5 mijë denarë secili.
Një nga kompanitë e pakta që kanë bërë donacione në këto zgjedhje është kompania ADR Group SHPK nga Dellçeva, e cila ka derdhur 3 mijë euro në llogarinë e partisë VMRO-DPMNE. Nga donacioni i saj për partinë në llogarinë zgjedhore janë transferuar pothuajse 700 euro.
Bëhet fjalë për një kompani me një punonjës, e cila është themeluar në vitin 2023 dhe, siç tregojnë të dhënat nga Regjistri Qendror, në vitin 2024 ka raportuar të ardhura prej 2.800 eurosh.
Kompania nga Dellçeva si veprimtari ka të regjistruar nxjerrjen e zhavorrit, rërës, argjilës dhe kaolinës.
Gjithsej 400 mijë euro në donacione kanë raportuar 6 parti dhe dy koalicione
Të dhënat nga raportimet tregojnë se donacionet që janë depozituar në llogaritë zgjedhore të partive të tjera janë më modeste. Për shembull, në llogarinë e partisë në pushtet VLEN janë derdhur 83 mijë euro. Nga këto para 50 mijë euro vijnë nga arka e Alternativës, të cilat ajo i ka marrë nga buxheti i shtetit.
Paratë e tjera janë donacione nga 22 persona, përfshirë këtu Visar Ganiun, i cili ka dhuruar 1.600 euro, trajnerin e basketbollit Erhan Ramadani të klubit “Çairi 2030” dhe drejtorin e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, Faton Fazliu.
50 mijë euro nga buxheti që përfunduan në llogarinë partiake të “Partia Jote”
Koalicioni “Përvoja për Sukses” i përbërë nga partitë Grom, Partia Liberal Demokratike, Integra dhe Partia për Emancipimin e Plotë të Romëve ka raportuar për gjithsej 138 mijë euro. Por, nga katër partitë vetëm dy kanë investuar në fushatë, nga të cilat 40 mijë euro janë të Grom-it, ndërsa pjesa tjetër nga PLD-ja.
Lëvizja ZNAM, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, ndryshe nga partitë e tjera ka raportuar detajisht për paratë e shpenzuara. Donacionet në llogarinë zgjedhore prej 50 mijë eurosh janë bërë nga llogaria e partisë. Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore ata kanë shpenzuar më shumë, gjegjësisht kanë shpenzuar rreth 150 mijë euro për reklama, nga të cilat 116 mijë u kanë mbetur të papaguara.
LSDM me donacione nga 50 deri në 100 euro nga një anëtar i partisë
Nga LSDM-ja opozitare si donacione për fushatën zgjedhore në zgjedhjet lokale u raportuan 7.650 euro në raundin e parë dhe 7.000 në raundin e dytë.
Sipas të dhënave nga raporti i tyre, kompania Total Engineering, e cila është në pronësi të vëllait të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të partisë Zoran Zaev, Vice Zaev, dhuroi 50 euro në shërbime, thuhet në raportin e LSDM-së.
14.600 eurot e mbetura u mblodhën nga pagesat mujore nga anëtarët në llogarinë e partisë që u transferuan në llogarinë zgjedhore. Lista e pagesave nga 50 deri në 100 euro përfshin ish-ministra dhe zyrtarë si Bllagoj Boçvarski, Sanja Llukarevska, Oliver Spasovski, Damjan Mançevski.
Transparenca financiare e partive është anemike
Kur partitë politike dorëzojnë raporte se si i financojnë fushatat e tyre zgjedhore ato zakonisht tregojnë vetëm se sa para kanë mbledhur, por jo sa para kanë shpenzuar dhe për çfarë i kanë shpenzuar ato.
Formulari që duhet ta plotësojnë është pjesërisht bosh për shumicën e kandidatëve – sidomos në pjesën për shpenzimet. Kjo është vënë re edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët për vite me radhë kanë rekomanduar që kjo gjë të ndryshohet në Kodin Zgjedhor.
Sipas OBSЕ/ODIHR, që para fillimit të fushatës partitë u trajnuan se si t’i plotësojnë raportet financiare, por edhe krahas kësaj mbetën pa u sqaruar disa çështje praktike. Për shkak të kësaj, disa e interpretuan ligjin në një mënyrë, të tjerët në një tjetër, ndërsa institucionet nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm për të kontrolluar gjithçka.
Në pyetjet e parashtruara nga REL lidhur me atë se pse nuk i kanë publikuar edhe shpenzimet e tyre, nga VRMO-DPMNE-ja u përgjigjën se gjatë kësaj periudhe ishin të detyruar t’i raportojnë vetëm donacionet, ndërsa se shpenzimet do t’i prezantonin kur të faturohej gjithçka. LSDM-ja dhe partitë e tjera nuk u përgjigjën fare.
Sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor të vitit 2024 afati për dorëzimin e raportit të plotë është zgjatur – në vend të 20 ditëve ata tani kanë 60 ditë pas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për të treguar se për çfarë i kanë shpenzuar paratë.
Rekomandimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nga viti 2020, të cilat përsëriten çdo zgjedhje dhe kanë të bëjnë me përmirësimin e procesit dhe transparencën më të madhe të partive gjatë fushatës në lidhje me shpenzimet, ishin pjesë e një projekt-ligji që nuk u miratua, thotë ish-kryetari i KSHZ-së dhe kryetari i grupit të punës Aleksandar Novakovski. Sipas tij problemi kryesor është mungesa e vullnetit politik.
“Ne punuam, si grup pune, i përfshimë propozimet e Entit Shtetëror të Revizionit, procesi u monitorua nga OSBE/ODIHR, por tek partitë nuk ka vullnet dhe në minutën e fundit u bllokua e gjitha. Pra, arsyet janë të qarta, ato nuk duan t’i raportojnë në mënyrë transparente shpenzimet”, thotë Novakovski.
OSBE/ODIHR: Transparencë e kufizuar dhe mbikëqyrje e pasuksesshme
Formularët nuk kërkojnë të dhëna sipas komunave, siç rekomandojnë vëzhguesit ndërkombëtarë, kështu që nuk mund të kontrollohet nëse partitë i respektojnë kufizimet ligjore për shpenzimet për reklama.
Vëzhguesit thonë se edhe KSHPK-ja dhe Enti Shtetëror i Revizionit e kanë përmbushur vetëm minimumin e detyrimeve të tyre – ata i kanë publikuar raportet në uebfaqet e tyre, por nuk kanë iniciuar procedura kundër atyre që nuk i kanë respektuar afatet.
Nga 167 raportet që është dashur të dorëzoheshin vetëm 57 janë dorëzuar në kohë. Asnjë institucion nuk ka ndërmarrë hapa kundër shkelësve të mundshëm, kështu që mekanizmi i ndëshkimit ka qenë praktikisht jofunksional, thonë nga OBSE/ODIHR.
“Kjo e zvogëlon besimin e publikut në procesin zgjedhor”, shtojnë ata në raportin e tyre.
Ligji parasheh një gjobë prej 9.000 eurosh për ata që i shkelin rregullat, por nuk është e qartë se cili institucion duhet ta fillojë procesin.
OSBE/ODIHR që në vitin 2020 rekomandoi që para zgjedhjeve të kërkohen të paktën raportet bazë mbi të ardhurat dhe shpenzimet, por këto rekomandime nuk janë zbatuar plotësisht.
Novakovski është i mendimit se ekziston një marrëveshje e heshtur midis partive për të mos e rritur transparencën, por edhe për të mos përcaktuar konkretisht se cili institucion do të jetë përgjegjës për verifikimin e detajuar të raporteve mbi donacionet dhe shpenzimet në fushatën zgjedhore.
“Sepse nëse pranohen ndryshimet, partitë do të mund të kontrollohen dhe pastaj ato do të duhet t’i raportojnë shpenzimet e tyre. Sepse në këtë mënyrë kontrollet do të jenë më të lehta për autoritetet”, shpjegon ai.
Sipas të dhënave pjesa më e madhe e parave për fushatat zgjedhore vjen nga buxheti i shtetit – rreth 60%. Donacionet e partive përbëjnë 20-30%. Ligji e kufizon donacionin maksimal: një person fizik mund të japë maksimum 3.000 euro, një person juridik maksimum 30.000 euro.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2025 mbajt më 19 tetor ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.