Nga skena te legjenda: Holta Sina Kilica për jetën artistike të Vaçe Zelës
Vaçe Zela nuk është thjesht një emër i artit shqiptar ajo është një epokë më vete. Zëri i saj, muzika e saj dhe forca që ajo la pas, vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë artistësh. Në këtë frymë, sot Portalb.mk sjell një bisedë të veçantë me Prof. Holta Sina Kilica, Muzikologe, pedagoge në Universitetin e Arteve, Tiranë. Në këtë intervistë, Kilica na çon pas skenës, te kujtimet, arkivat, emocionet dhe punët e saj kërkimore për një nga figurat më të mëdha të kulturës sonë. Ajo sjell jo vetëm fakte, por edhe ndjesi; jo vetëm histori, por edhe dimensionin njerëzor të Vaçes artisten që dritësoi muzikën shqiptare me zërin e saj unik. Kjo bisedë është një ftesë për të kujtuar, për të kuptuar më thellë dhe për t’u ndalur me respekt para trashëgimisë së Vaçe Zelës.
Portalb.mk: Si u formua Vaçe Zela si artiste në një kohë kur arti ishte i lidhur ngushtë me ideologjinë? A ishte ajo një zë që sfidonte kufijtë e kohës?
Holta Sina Kilica: Këngëtarja jonë e papërsëritshme Vaçe Zela, u formua si artiste në një periudhë kur arti dhe kultura në Shqipëri ishin shumë të kushtëzuara nga ideologjia dhe politika. Edhe brenda këtyre kufijve të ngurtë, ajo krijoi një identitet artistik të veçantë, duke u dalluar që në fillimet e saj për talentin e jashtëzakonshëm të zërit, pasionin për këngën dhe interpretimin plot sharm, dinamizëm dhe intensitet emocional.
Zëri i saj nuk kufizohej në përcjelljen e mesazheve të kohës; ai u bë hapësira ku ndjeshmëria, fuqia emocionale dhe stili interpretativ i veçantë formuan një gjuhë të vetën artistike. Përmes kombinimit të fuqisë vokale, dramatizmit dhe thellësisë së interpretimit, Vaçe Zela krijoi një individualitet të jashtëzakonshëm interpretativ, ku emocioni shprehej me sinqeritet dhe energji në të njëjtën kohë, duke e bërë atë të pakrahasueshme.
Portalb.mk: Çfarë e bënte Vaçen unike në skenë? Ishte zëri, shpirti apo mënyra si i jepte frymë çdo fjale e çdo këngë?
Holta Sina Kilica: Pikërisht, Vaçen unike në skenë nuk e bënte vetëm një tipar i veçantë; ai ishte rezultat i një bashkëveprimi të rrallë midis disa elementeve që ju i përmendët më sipër, të cilët e bënin interpretimin e saj tepër origjinal dhe të veçantë.
Kështu, së pari, zëri i saj kishte një fuqi natyrale të jashtëzakonshme; ai shtrihej në një regjister të gjerë, duke zotëruar një kontroll teknik të shkëlqyer, gjë që i mundësonte të përcillte çdo emocion në mënyrë të qartë dhe të ndjeshme.
Së dyti, shpirti i saj i pasur dhe ndjeshmëria e thellë artistike i jepnin interpretimit një dimension të gjallë dhe të prekshëm për publikun.
Së fundmi, mënyra se si Vaçe Zela i jepte frymë çdo fjale dhe çdo note ishte ajo që e bënte vërtet unike. Pra, unikaliteti i saj buronte nga bashkimi i fuqisë vokale, ndjeshmërisë shpirtërore dhe interpretimit me shumë origjinalitet – tre elemente që e bënin Vaçen një ikonë të pazëvendësueshme të skenës shqiptare. Ajo përthithte çdo tekst dhe çdo notë, duke i dhënë këngës një frymëmarrje të veçantë: të brendësuar në shpirtin e saj dhe njëkohësisht të hapur drejt emocioneve gjithpërfshirëse. Secili interpretim i saj kthehej në një përvojë të jashtëzakonshme dhe kjo shpesh nuk shpjegohet me fjalë; është thjesht talenti i saj unik.
Portalb.mk: Cilat momente të karrierës së saj do t’i veçonit si më përfaqësuese për artin shqiptar të shekullit XX?
Holta Sina Kilica: Karriera e Vaçe Zelës është e lidhur ngushtë me historinë e këngës së lehtë shqiptare dhe transformimet kulturore të gjysmës së dytë të shekullit XX. Fitorja e saj në Festivalin e Këngës në RTSH në 1962 me këngën “Fëmija i parë” shënoi fillimin e një kulture muzikore të re, ku zëri i saj u bë simbol i ndjeshmërisë dhe emocioneve kolektive. Gjatë viteve ’60–’70, Vaçe Zela zhvilloi një stil interpretimi unik, ku elementet e përmendur më sipër bashkoheshin në një rezultante të padiskutueshme në vlera skenike.
Repertori i saj përfshin balada, kantata dhe dhjetëra këngë të paharrueshme, që pasqyrojnë gjuhën emocionale të shoqërisë shqiptare të asaj kohe. Ajo kalonte natyrshëm nga këngë të fuqishme të tipit si “Për ty atdhe”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Këngët e vendit tim”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Këputa një gjethe dafine”, “Valsi i lumturisë” etj., në këngë të një natyre krejt tjetër si “Sot jam 20 vjeç”, “Djaloshi dhe shiu”, Flakë e borë”, “Natën vonë”, “Lemza” e shumë të tjera. Këto interpretime e kthyen Vaçen në zërin e një epoke dhe në simbol të një identiteti artistik e estetik kombëtar. Ajo e lidhi jetën e saj artistike pazgjidhshmërisht me festivalet e këngës në RTSH, duke qënë fituesja absolute në shumë prej tyre. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime tepër të cilësueshme në vlera. Kur ndonjë këngë s’i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste, pasi ishte shumë skrupuloze – do të thoshte kompozitori i këngëve “Flakë e borë”, “Natën vonë”, “Me lule të bukura”, “Erë pranverore”, të cilave Vaçja i kishte vënë ‘vulën’ e saj. Në këtë kontekst, me praninë e saj artistike, Vaçe Zela gjatë këtyre viteve e çoi muzikën e lehtë shqiptare përtej funksionit thjesht argëtues, duke e orientuar atë drejt një standarti më të lartë profesional dhe duke ndikuar kështu në rritjen dhe kultivimin e shijes së publikut. Këtu ndikuan më së shumti edhe kompozitorët dhe poetët më të cilët ajo bashkëpunoi, të tillë si P. Gaci, Abdullah Grimci, Tish Daija, Feim Ibrahimi, Avni Mula, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Agim Krajka e të tjerë kompozitorë të njohur, por edhe poetët Llazar Siliqi, Dionis Bubani, Gjokë Beci, Haxhi Rama, Koçi Petriti, Xhevahir Spahiu etj., të cilët krijuan perla artistike, të cilave Vaçja u dha jetë e frymë me shpirtin dhe zërin e saj.
Vaçe Zela gjithashtu ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit shqiptar, duke interpretuar këngë që bëjnë pjesë në kolonat zanore të filmave të njohur (të viteve ’70 – ‘80 të shekullit të kaluar). Ndër to veçohet kënga nga muzika e filmit “Në shtëpinë tonë” (1979), kompozuar nga Aleksandër Peçi, si dhe kënga e kolonës zanore të filmit “Fillim i vështirë” (1986), gjithashtu nga ky kompozitor, të cilat janë të lidhura ngushtë me identitetin e këtyre veprave kinematografike.
Pas viteve ’80, ajo u perceptua jo vetëm si këngëtare, por si figurë kombëtare e artit, përmes talentit, inteligjencës, profesionalizmit të lartë dhe dinjitetit artistik. Edhe pas tërheqjes nga skena, në fillim të viteve ’90, ndikimi i saj mbeti i gjallë, ndërsa këngët e saj vazhduan të riinterpretohen nga brezat e rinj, duke ruajtur gjithmonë statusin e saj, si një pikë referimi e pakonkurueshme.
Portalb.mk: Si ndikoi ajo në formimin e identitetit kulturor të shqiptarëve gjatë dekadave të vështira?
Holta Sina Kilica: Edhe pse vepronte brenda një konteksti socio-politik të ngurtë (vitet ‘60-’90 të shekullit XX), ajo arriti që përmes zërit të saj të krijonte një hapësirë të një lirie emocionale, duke u shndërruar në simbol të ndjenjës kolektive. Interpretimet e saj, plot intensitet dhe ngarkesë shpirtërore, ishin thuajse hipnotizuese për publikun e gjerë. Së bashku me këngëtarë të tjerë të brezit të saj, artistë të përmasave të mëdha, si Gaqo Çako dhe Avni Mula, ajo kontribuoi në formësimin e një identiteti emocional që bashkonte njerëzit përtej kufizimeve të kohës.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i artit të saj ishte edhe aftësia për të interpretuar këngët popullore qytetare me një elegancë të rrallë. Përmes zërit të saj, kjo traditë e hershme merrte jetë të re, duke tingëlluar moderne, e pastër dhe thellësisht emocionale për çdo dëgjues. Në këtë mënyrë, Vaçe Zela ndikoi në krijimin e një kulture muzikore të përbashkët, të kuptueshme dhe të ndjerë nga çdo shqiptar, pavarësisht brezave të ndryshëm për të cilët dhuronte art.
Njëkohësisht, ajo u bë model i gruas aktive, të guximshme dhe me karakter të fuqishëm, duke dëshmuar se talenti dhe personaliteti mund të tejkalonin kufijtë e kohës; ajo ishte pikërisht një prej zërave emancipues të skenës dhe shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst, me praninë e saj artistike, Vaçe Zela, gjatë këtyre, viteve e çoi muzikën e lehtë shqiptare përtej funksionit thjesht argëtues, duke e shndërruar atë në një tjetër dimension, në atë të emocioneve të thella dhe narrativave kolektive të një populli.
Portalb.mk: Si arriti Vaçe Zela të mbetej e madhe pa skenografi të mëdha e pa bujë? Cili ishte sekreti i saj që çdo notë tingëllonte si rrëfim i një zemre që digjej për publikun?
Holta Sina Kilica: Vaçe Zela mbeti e madhe pasi vetë personaliteti i saj artistik fliste më shumë se çdo skenografi. Forca e saj vinte nga brenda, nga energjia e saj e përqendruar në zë dhe interpretim; ajo vetë ishte ‘skenografia’ më e mirë. Çdo interpretim i saj krijonte një dinamikë të rrallë artistik, duke i dhënë publikut një përvojë thellësisht njerëzore. Në çdo notë ajo vendoste diçka personale: dhimbje, gëzim, kujtim, dashuri, nostalgji, të cilat i përcillte me gjithë qënien e saj. Edhe kur qëndronte në qendër të skenës, ajo e mbushte hapësirën me qëndrimin e saj potent, me gjithçka të sajën, si me gjestikulacionet tepër të natyrshme, hapjen e krahëve, me flokët, veshjen, ndonjëherë me kitarën e saj (si te kënga e mrekullueshme “Moj e bukur Arbëri”), pra me gjithë energjinë magnetike që të bënte për vehte, dhe siç ka thënë një tjetër ikonë e muzikës shqiptare, e madhja Nexhmije Pagarusha për artin e Vaçes, kur pohon se “nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela”.
Portalb.mk: Në një kohë kur fjala e lirë kishte kufij, a mund të thuhet se arti i Vaçes ishte një formë rezistence dhe dashurie për atdheun?
Holta Sina Kilica: Në një periudhë kur shprehja e lirë e fjalës ishte e kufizuar, arti i Vaçes u shfaq si një formë e veçantë rezistence, jo politike, por shpirtërore dhe moderne për kohën. Kjo shprehej kryesisht përmes interpretimit, një tjetër mjet i fuqishëm përveç zërit të saj, që e bënte çdo tekst dhe çdo melodi të perceptueshme në nivel emocional, duke dhuruar ndjesi që shpesh tejkalonin kufijtë e teksteve, të cilat në shumë raste ishin të politizuara.
Ky angazhim artistik nuk ishte politik në kuptimin konvencional të fjalës, por një formë rezistence shpirtërore, një dashuri e palëkundur për atdheun, që përmes zërit dhe pranisë së saj skenike arrinte të prekte çdo dëgjues dhe të ruante një lidhje të drejtpërdrejtë me emocione autentike kombëtare.
Portalb.mk: A mendoni se zëri i saj ishte një mënyrë për të thënë atë që shumë njerëz s’guxonin ta thoshin hapur?
Holta Sina Kilica: Në një farë mënyre, zëri i Vaçe Zelës dhe gjithë kompleksiteti i saj si artiste, e bënin atë një pikë reference për të rejat, për avangardën e kohës – një portë e hapur me shumë finesë prej saj. Mendoj se ajo arrinte të artikulonte atë që shpesh mungonte përtej kufijve politikë të kohës: lirinë e ndjenjës! Ndoshta mund të thuhet se zëri i saj ishte një formë e ‘heshtur’ e të vërtetës, e asaj të vërtete të brendshme që shprehet përmes emocioneve dhe ndjenjave, dhe që mund të komunikojë edhe vetëm në tre minuta, aq sa zgjat një këngë. Pikërisht për këtë arsye, “zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar”, siç ka theksuar edhe shkrimtari disident, Visar Zhiti.
Portalb.mk: Pse çdo shqiptari, edhe sot, i dridhet zemra kur dëgjon Vaçen? Çfarë kishte ajo që s’e ka askush tjetër?
Holta Sina Kilica: Zëri i Vaçe Zelës vazhdon të krijojë emocion te çdo dëgjues edhe sot, sepse ajo përfaqëson një autenticitet të rrallë në art. Ky zë, siç u theksua, nuk shquhet vetëm për fuqinë dhe potencën, por edhe për ngrohtësinë, sinqeritetin dhe emocionin e drejtpërdrejtë që përçonte. Ajo dinte të shndërronte një melodi të thjeshtë në një rrëfim personal, duke bërë që secili dëgjues të gjejë veten brenda këngës.
Vaçja ishte unike, sepse nuk imitonte askënd dhe nuk kërkonte efekte të panevojshme. Ajo këndonte gjithmonë live, prandaj dhe emocioni që ajo ka përcjellë mbetet gjithmonë i gjallë. Zëri i fuqishëm, frazimi i pastër, elokuenca e linjës vokale, mënyra si i jepte emocion çdo note, po ashtu forca e madhe interpretative e saj, që lidhej mbi të gjitha me shkallën e lartë të inteligjencës dhe frymëzimit artistik, krijonin së bashku lidhjen e veçantë me publikun, lidhje që pak artistë arrijnë ta kenë. Prandaj, çdo herë që dëgjojmë zërin e saj, ndjejmë emocion drithërues, sepse Vaçe Zela përfaqëson zërin e një brezi, kujtesën emocionale të një epoke që me gjithë vështirësitë e saj, pati të tillë artiste përmasash.
Portalb.mk: A e kuptojnë brezat e rinj madhështinë e Vaçe Zelës, apo ajo po mbetet kujtim i një epoke të artë të muzikës shqiptare, sa shoqëria i ka dhënë asaj vëmendjen e merituar?
Holta Sina Kilica: Brezat e rinj gjykoj se e njohin Vaçe Zelën, por nuk e përjetojnë domosdoshmërisht me të njëjtin intensitet si ne, që u rritëm me zërin e saj. Ata e shohin më shumë si një këngëtare- ‘legjendë’, sesa si pjesë të përditshmërisë muzikore, sepse muzika e saj u lidh fort me një kohë të caktuar dhe me një mënyrë të të dëgjuarit që sot ka ndryshuar.
Pikërisht për këtë arsye, ekziston rreziku që Vaçe Zela të mbetet kryesisht kujtim i një epoke të shkuar, nëse mungon një angazhim i qëndrueshëm kulturor për ta mbajtur të gjallë figurën e saj. Megjithatë, madhështia e Vaçe Zelës nuk lë vend për diskutim; ajo që mungon mendoj se është një rikthim i vëmendjes sonë kulturore ndaj veprës së saj.
Portalb.mk: Çfarë mund të bëjmë sot si shoqëri për ta mbajtur gjallë shpirtin dhe trashëgiminë e saj artistike?
Holta Sina Kilica: Edhe pse Vaçe Zela vazhdon të nderohet dhe të respektohet sa herë që zëri i saj dëgjohet ose përmendet në hapësirën publike, dhe ndonëse janë botuar artikuj dhe biografi, ato ende nuk e pasqyrojnë figurën e saj në të gjitha dimensionet. Prandaj gjykoj se mbetet e domosdoshme që shoqëria dhe institucionet kulturore-artistike të ndërmarrin një projekt të mirëorganizuar dhe afatgjatë për ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë së saj, pasi një talent të tillë do ta dëshironte çdo komb. Një projekt i tillë mund të përfshijë krijimin e një muzeu të dedikuar, pse jo një arkivi të kuruar profesionalisht, apo të krijohen dokumentarë të thelluar, ribotime të repertorit të saj në CD ose platforma digjitale, si dhe iniciativa të tjera që rikthejnë dhe risjellin përmasën e saj artistike, kështu, mund të sigurojmë që Vaçe Zela të mos mbetet thjesht një figurë mitike e një kohe tjetër. Ajo, si një institucion në vetvete, mund të shndërrohet, në këtë mënyrë, në një prani të gjallë dhe të prekshme për brezat e ardhshëm, një memorie aktive që vazhdimisht ushqen dhe pasuron identitetin tonë muzikor.