Papastërtia fillon nga komuna: Çairi mbytet në plehra, institucionet kanë dështuar në menaxhimin e mbeturinave
Papastërtitë me mbeturinat në Çair fillojnë që nga objekti i komunës dhe zona përreth. Situata me mbeturinat dhe deponitë tani e moti kohë është alarmante në këtë rajon. Derisa qytetarët për çdo ditë kërkojnë hapsira të pastra dhe pa mbeturina, institucionet kanë dështuar që ta zgjidhin këtë problem, shkruan Portalb.mk.
Sot (16.06.2025), Portalb.mk vizitoi Komunën e Çairit, oborri ishte i ndotur me letra dhe qese të ndryshme. Po ashtu, në hyrje të objektit të komunës kishte mbeturina të hedhura në një shportë betoni që ishte përdorur si kontejner.


Qytetarët e Komunës së Çairit ankohen për këtë situatë të krijuar me mbeturinat, duke theksuar se mungesa e pastrimit të rregullt, papërgjegjësia e qytetarëve dhe mos reagimi i institucioneve kanë kthyer lagjet në deponi të hapura. Ato çdo ditë përballen me ndotje, pamje jo të mira dhe erëra të rënda të cilat kundërmojnë sidomos tani kur temperaturat janë rritur.
“Ku mos të sëmuresh, çdo hap që e hedh ballafaqohesh me mbeturinat, dhe për rreth kontejnerët nuk i pastrojnë rregullisht, sot paramendo dërrasat kishin hedh. Mendoj se njerëzit te ne nuk kanë as kulturë, çka të heqin prej shpie i hedhin në rrugë dhe lënë për rreth. Është mirë të marrin masa dhe t’i heqin njëherë e mirë, se më jemi lodh duke parë çdo ditë lloje të ndryshme të mbeturinave”, tha një qytetare.
“Kjo është një katastrofë, mund t’i shihni mbeturinat edhe te banesat që janë grumbulluara, dhe janë të gjitha të hedhura nëpër tokë, nuk i pastrojnë siç duhet. Njerzit te ne nuk kanë aspak higjienë, prej te ura e andej si me qenë tjetër shtet, kurse këtu në komunën tonë është bë katastrofë”, tha një qytetar.
“Kur t’i marrin kontejnerët nuk i pastrojnë deri në fund por i lejnë gjysmë, dhe pastaj ato menjëherë mbushen. Këto mbeturina janë të mbledhura prej më shumë se një muaj, është mirë të vendohen kamera dhe të shohim të gjithë se kush i hedh e kush nuk i mbledh mbeturinat”, tha një qytetar tjetër.

Nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” thonë se mbeturinat i pastrojnë rregullisht, dhe se situata ditët e fundit është shumë më mirë.
“Mbeturinat mblidhen rregullisht dhe se çdo mbrëmje i pastrojmë, kështu që nuk ka shanse të ketë mbeturina. Po ashtu, kemi katër ditë rregullisht që i pastrojmë në mbrëmje dhe të dhe se brenda ditës prej në ora 9:00 ato mblidhen dhe qytetarët gjuajnë”, thanë nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”.
Megjithatë pamjet nga terreni flasin ndryshe.

Nga ana tjetër, Komuna e Çairit thekson se pastrimi i mbeturinave në Komunën e Çairit është kompetencë ekskluzive e Ndërmarrjes “Higjiena Komunale – Shkup” dhe Qytetit të Shkupit, të cilët për javë të tëra po e neglizhojnë qëllimisht Çairin.
“Kur komuna ka ndërmarrë hapa për të pastruar vetë mbeturinat, është ndaluar nga Inspektorati për Çështje Komunale pranë Qytetit të Shkupit, duke e bërë të qartë se ata nuk lejojnë as ndërhyrje, por as nuk ofrojnë shërbim. Madje, janë larguar me vetëdije gjysma e shportave të mbeturinave nga territori ynë, si ndëshkim i heshtur për qytetarët e Çairit, të cilët janë taksapagues të rregullt të këtij qyteti”, thanë nga Komuna e Çairit.
Ata thonë se kjo është neglizhencë që prek drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve. Komuna e Çairit i bën thirrje Qytetit të Shkupit dhe “Higjienës Komunale” të ndalojnë diskriminimin ndaj Çairit dhe të marrin përgjegjësi.
“Mos luani me shëndetin e qytetarëve për hakmarrje politike”, shtuan nga Komuna e Çairit.

Nga Qyteti i Shkupit nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Ndryshe me 29 maj, Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Çairit së bashku me rreth 30 qytetarë dhe një kamion plot me mbeturina ia sollën mbeturinat Danela Arsovska, kryetares së Qytetit të Shkupit para zyrës së saj, dhe i shpërndau mbeturinat para portës hyrëse. Po ashtu, Ganiu theksoi se ia sollën mbeturinat Arsovskës sepse ajo dhe Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” nuk i pastrojnë kontejnerët dhe komuna është e mbuluar me mbeturina, pas së cilës u larguan.
Pas kësaj, kryetarja e Qytetit të Shkupit Danela Arsovska, dhe ekipi i saj shkuan te Qyteti i Shkupit, ku u futën drejtpërdrejt në profilin e saj në Facebook dhe e pyetën Ganiun pse ai iku menjëherë dhe nuk priti të përballej.
Kujtojmë që disa kryetarë të komunave të Shkupit së fundmi paralajmëruan padi penale dhe gjoba për “Higjienën Komunale”.
- LEXO: Padi penale dhe gjoba për “Higjienën Komunale” paralajmëruan kryetarët e komunave Qendër dhe Aerodrom
- LEXO: Ganiu hodhi mbeturina përpara qytetit të Shkupit, Arsovska e pyeti pse iku menjëherë nëpër park kur mori vesh se po vinte
- LEXO: Nëse lodheni duke ecur, mund të pushoni në divanet rrugore që i ofron Çairi (Foto)