Gjithnjë e më shumë dronë të armatosur mbi Ballkan dhe askush nuk i mbikëqyr, RMV-ja akoma në proces të blerjes

Gati tridhjetë vjet pas pushimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, dronë të rinj të armatosur janë duke patrulluar në heshtje mbi rajon, por askush nuk e di saktësisht numrin e tyre, raporton Radio Evropa e Lirë.

Marrëveshja për kontrollin nënrajonal të armatimit u nënshkrua në vitin 1996 – një vit pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë – nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Me të u vendosën kufizime për numrin e tankeve, automjeteve të blinduara, artilerisë së rëndë, avionëve luftarakë dhe helikopterëve sulmues në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi.

Por, sot, në këtë listë bie në sy mungesa e një arme moderne vdekjeprurëse: dronët e armatosur.

“Vetëm tri shtete zotëronin dronë të armatosur në vitin 2010. Në fund të vitit 2024, ky numër u rrit në mbi 40”, thotë për Radion Evropa e Lirë Antonio Prlenda, analist ushtarak nga Sarajeva, i cili së fundmi mbrojti tezën e magjistraturës për këtë temë.

Rregulla të reja të lojës së luftës

Dronët ushtarakë janë më të lirë, më të lëvizshëm dhe më vdekjeprurës sesa avionët luftarakë tradicionalë.

Ata janë bërë një armë e preferuar në konfliktet e sotme – nga Ukraina, përmes Kaukazit deri në Lindjen e Mesme – dhe të gjithë duan t’i kenë në forcat e veta të armatosura.

Ballkani Perëndimor nuk bën përjashtim nga kjo.

Serbia ka blerë dronë sulmues nga Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli.

Ajo është duke zhvilluar edhe modelet vendase: Pegaz, Vrabac dhe Komarac, të cilat e kanë mbushur qiellin mbi këtë vend, pasi – së paku tash për tash – marrëveshja për të blerë dronë Bayraktar nga Turqia ka dështuar.

Kroacia ka blerë gjashtë dronë të armatosur turq dhe është duke prodhuar mini-dronët e saj vdekjeprurës, të cilët i ka eksportuar, mes tjerash, edhe në Ukrainë.

Sipas deklaratave të zyrtarëve, me kapacitetin aktual, ky vend mund të prodhojë rreth gjysmë milioni mini-dronë në vit.

Një tjetër vend i NATO-s, Mali i Zi, është duke i rritur në heshtje, por gjithnjë e më shumë kapacitetet e tij ushtarake.

Me një buxhet të kufizuar ushtarak, ai ka blerë dronë zbulues nga Sllovenia dhe është duke investuar në blerjen e dronëve shtesë, të destinuar për mbikëqyrjen e kufijve.

Gjithashtu ka njoftuar se do të prodhojë edhe vetë, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Në Bosnje e Hercegovinë, modernizimi i forcave të armatosura pengohet nga një buxhet i kufizuar, si dhe nga përçarjet politike.

Përveç helikopterëve të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara, ky vend nuk ka avionë të tjerë.

Së voni, Turqia i ka dhuruar një sistem bllokimi të dronëve dhe i ka premtuar dy dronë Bayraktar.

Maqedonia e Veriut është në proces të prokurimit të dronëve ushtarakë.